BREAKING NEWS

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i republikës”, Frrok Çupi del sërish me deklaratën e fortë: Në Shqipëri fundërrinat...

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i
x

Kultura

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjes

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë me rastin e 100-vjetorit të

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjes (1920-2020), përmes një ekspozite me koleksione nga fondi i arkivës, risjell në vëmendje të publikut këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Koleksionet e rralla si gazeta “Albania”, “Fletorja Zyrtare”, por edhe botime, albume dhe studime si “Kongresi i Lushnjes (21 janar- 31 janar 1920); “Qeveria e Kongresit të Lushnjes dhe veprimtaria e saj”, “Këshilli Kombëtar 1920”, “Kongresi i Lushnjes dhe lufta e Vlorës”, etj, do të qëndrojnë të ekspozuara për publikun në hollin e Bibliotekës Kombëtare. Kongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga, nga 21 deri më 31 janar të vitit 1920. Në kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Delegatëve i uroi mirëseardhjen në kongres Ferit Vokopola, që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshëm i asaj kohe Aqif Pashë Elbasani. Aqif Pasha ju përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët, duke mbyllur kështu ceremoninë e hapjes së kongresit. Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh si kryetar i kongresit Aqif Pashë Elbasani. Kongresi i Lushnjes mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjes me shumicë votash rrëzoi qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.