BREAKING NEWS

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas gabimit të pafalshëm që...

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas
x

Kultura

Biblioteka Kombëtare në 100- vjetor, një ekspozitë në muze

Biblioteka Kombëtare në 100- vjetor, një ekspozitë në

Biblioteka Kombëtarë më 10 korrik shënoi 100- vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast në Muzeun Historik Kombëtar u çel një ekspozitë për jehonën e krijimit të Bibliotekës Kombëtare, në shtypin e kohës. E pranishme në hapjen e kësaj ekspozite në fjalën e saj ministrja Elva Margariti në këtë 100-vjetor të themelimit të këtij institucioni u shpreh edhe për një projekt për një bibliotekë të re, si dhe ndërhyrjet në godinën ekzistuese. “Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka kaluar faza të vështira në historinë e saj, por ky është 100-vjetori i BKSh dhe shpresoj shumë që të jetë viti i bibliotekës. Përveç ndërhyrjeve në godinën aktuale, ky kremtim meriton një projekt për një hapësirë të re. Ky është guri i themelit në këtë përvjetor”, tha ministrja Elva Margariti. Për ministren e Kulturës, kjo është një ekspozitë retrospektivë, që na kthen 100 vjet pas në kohë, në atmosferën e themelimit të bibliotekës, e cila na përcillet përmes shtypit të kohës. Në këtë ekspozitë gjejmë aty njoftimin e krijimit, të përurimit, fjalimin e Luigj Gurakuqit, qarkore të ndryshme, thirrje për pasurimin e këtij institucioni të ri, por edhe riprodhime frontespicesh gazetash e revistash, të cilat në këtë 100-vjetor vijnë të digjitalizuara dhe të hapura për të gjithë përdoruesit. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së parë botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Nga institucion në varësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.