BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Kultura

Biblioteka Kombëtare në 100 vjetor, shkrimtarë dhe studiues: Bilanc negativ, flitet për kremtimin kur ajo është mbyllur

Biblioteka Kombëtare në 100 vjetor, shkrimtarë dhe studiues:

Biblioteka Kombëtare në këtë 100-vjetor të saj është e mbyllur për lexuesit. Ndërsa duhej të ishte një kremtim me aktivitete, për shkak të pandemisë ky institucion ka mbyllur edhe dyert për lexuesit. Shkrimtarë dhe studiues të ndryshëm shprehen me kritika për çfarë po ndodh me Bibliotekën Kombëtare, që sipas tyre në këtë 100- vjetor është mbyllur, ndërsa problemet që e shoqërojnë nuk kanë munguar dhe më parë. Por ndërsa ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se data 10 korrik është dita e themelimit të Bibliotekës Kombëtare, ku i dedikohet ky muaj këtij institucioni frymëzues, shkrimtarë dhe studiues shprehen se nuk e kuptojnë çfarë do të thotë kremtim në këtë përvjetor kur institucioni është mbyllur. Studiuesi Behar Gjoka shprehet, se sot në Bibliotekën Kombëtare ndërsa flitet për këtë kremtim nuk ka lexues. “Kur Biblioteka Kombëtare është e mbyllur, nuk ka lexues, nuk e kuptoj çfarë domethënë, të shpallësh kremtimin e 100- vjetorit”, pohon studiuesi Gjoka. Ndërsa dhe shkrimtari Xhahid Bushati vijon më tej se në këtë 100-vjetor ky institucion vjen me një bilanc negativ dhe për shkak të problemeve, që ka pasur më parë, ku ai përmend zjarrin dhe përmbytjen nga shiu në vitet e fundit. “Në këtë 100- vjetor biblioteka vjen më shumë e mbyllur se sa e hapur ( flas edhe kur ra zjarri, u përmbyt nga uji, pra një historik i vogël). Në këtë 100-vjetor si bilanc ai është negativ”, shprehet shkrimtari Xhahid Bushati.

Sistemi online

Pak ditë më parë u bë me dije se Biblioteka Kombëtare hapet për lexuesin në rrugë digjitale. Përmes një faqeje të re online, BKSH ofron mbi 265 mijë faqe të digjituara, por shkrimtari Xhahid Bushati shprehet se kjo nuk mjafton për këtë institucion të rëndësishëm të librit në vendin tonë. “Biblioteka Kombëtare mund të kryejë punë online, por online është si puna e një çmimi inkurajues dhe nuk ka vlerën e domethënies. Shkencëtari, studiuesi dhe lexuesi do të jetë në tavolinë dhe kërkon librin mbi të, duhet të punojë më të, duhet të jetë ulur ta lexojë. Mua më vjen keq që Biblioteka Kombëtare nuk po kryen këtë funksion për të cilën është ndërtuar si Bibliotekë Kombëtare dhe ne të gjithë sytë dhe shpresën e kemi te ajo, ku dhe arkivin aty e gjejmë, por këto janë pothuajse të mbyllura”, shprehet shkrimtari Bushati. Në reagimin e tij shkrimtari vijon se për shkak të situatës me koronavirusin në vend duhet që të merren masa, që institucione të ndryshme të mos ndërpresin funksionimin. Duke folur për këtë problematikë shkrimtari Xhahid Bushati thotë se përgjegjësia është te Ministria e Kulturës për këtë gjendje, në institucione. “Covid ka sjellë dhe gjëra abuzive në institucione, unë di t’ju them që edhe biblioteka në Shkodër është mbyllur. Si është kjo punë kështu? Vetë institucioni duhet që të marrë masa dhe të krijohet mundësia për ata, që duan të punojnë. Ministria e Kulturës ka përgjegjësinë e plotë sipas meje për Bibliotekën Kombëtare. Më shumë janë gjëra të shkruara në letër se sa kanë funksion produktiv në Bibliotekën Kombëtare. Edhe në botë ka biblioteka kombëtare që duhet të rrinë hapur, pra kudo ka qenë pandemia jo vetëm në Shqipëri”, shton më tej Xhahid Bushati. Pak ditë më parë nga drejtues të Bibliotekës Kombëtare u pohua se procesi i digjitalizimit është një “revolucion”, i cili sapo ka nisur. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun e vitit 1920.