BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

“Biblioteka sekrete e Aushvicit”, bazuar në historinë e vërtetë të një vajze që rrezikoi jetën për të mbajtur gjallë magjinë e librave gjatë Holokaustit

“Biblioteka sekrete e Aushvicit”, bazuar në historinë e

Romani “Biblioteka sekrete e Aushvicit” shkruar nga autori Antonio Iturbe vjen për lexuesit nga shtëpia botuese “Morava”. Libri është me përkthim nga Agim Doksani dhe lexuesit mund ta gjejë jo vetëm në libraritë e ndryshme, por dhe në platformat online, që janë këto ditë për Panairin e Librit “Tirana 2020”, që po zhvillon edicionin e 23. Botim nga “Morava” me përkthim nga Agim Doksani, romani “Biblioteka sekrete e Aushvicit” është bazuar në historinë e vërtetë të një vajze, që rrezikoi jetën për të mbajtur gjallë magjinë e librave gjatë Holokaustit. Ngjarjet zënë fill në janar të vitit 1944, në kohën kur katërmbëdhjetëvjeçarja Dita Adler dhe prindërit e saj ishin burgosur në kampin e Aushvic-Birkenaut. Me të mbërritur, atyre iu bë e ditur për një shkollë sekrete të krijuar nga njëri prej të burgosurve, Fredi Hirsh, një ish-instruktor sporti për të rinjtë. Hirshi kishte arritur të bindte autoritetet e kampit që mbajtja e fëmijëve të argëtuar, në atë që njihej si Blloku 31, do ta bënte më të lehtë për prindërit e tyre që të punonin në “kampin familjar” ku ishin caktuar. Në këtë vend ku ndalohej gjithçka, duke përfshirë edhe shkollën, edhe librat, mësuesit ia dalin mbanë të pëshpëritin mësimet në klasat e tyre të sajuara, pa dërrasa të zeza, pa shkumësa, pa mjete, madje edhe duke vizatuar forma gjeometrike në ajër. Dita është një vit më e madhe se mosha e lejuar për t’iu bashkuar shkollës, por mund të marrë pjesë si ndihmëse. Asaj i ofrohet pozicioni i bibliotekistes, një rol që ajo e pranon pavarësisht se është e vetëdijshme se, nëse do t’i gjejnë qoftë edhe një libër të vetëm, do ta dënojnë me vdekje. Ka pak ditë që është bërë bibliotekiste, por i duket sikur është prej muajsh. Në Aushvic koha nuk rend, hiqet zvarrë. Ecën me një shpejtësi shumë herë më të vogël se në pjesën tjetër të botës. Pak ditë mjaftojnë për ta kthyer në veteran një rishtar. Për të shndërruar një të ri në plak, një njeri të shëndetshëm në një relikt. Kur shkonin në shkollë, shumë prej këtyre fëmijëve i urrenin librat. Ishin sinonim i lëndëve të mërzitshme, i leksioneve të gjata, leximeve nën vështrimin kanosës të mësuesit, detyrash shtëpie që u hanin kohën për të dalë në rrugë e për të luajtur me shokët. Kurse këtu, libri është shndërruar në një magnet: nuk ua shqisin dot sytë atyre fletëve dhe shumë syresh nuk i bëjnë dot ballë tundimit dhe brofin nga stoli e shkojnë t’i prekin. Në lutjet e tyre më të zjarrta, nuk dëshirojnë lojëra shumë të kushtueshme as objekte të jashtëzakonshme; thjesht i kërkojnë Zotit të mund të luajnë kukafshehthi në një shesh, të pinë ujë nga një curril.

Një roman që nuk harrohet

Me siguri do të jetë dikush që mund të rrudhë buzët para joshjes që të ngjall fakti, që disa persona kanë rrezikuar jetën për të mbajtur hapur një shkollë të fshehtë dhe një bibliotekë sekrete në Aushvic-Birkenau, thuhet në një material për këtë roman. Të tjerë mund ta mendojnë si një akt guximi të padobishëm në një kamp shfarosjeje, ku pa dyshim përparësitë janë krejt të tjera: librat nuk shërojnë sëmundjet as s’mund të përdoren si armë për të luftuar një ushtri xhelatësh, nuk të mbushin barkun dhe as të shuajnë etjen. “Është e vërtetë: kultura nuk është e nevojshme për mbijetesën. Një njeri mbijeton vetëm nëse ka bukë për të ngrënë dhe ujë për të pirë, por vetëm me kaq mbarë njerëzimi nuk mund të mbijetojë. Nëse njeriu nuk emocionohet para bukurisë, nëse nuk mbyll sytë dhe nuk vë në lëvizje mekanizmat e imagjinatës, nëse s’është në gjendje t’i bëjë pyetje vetes dhe të pranojë caqet e njohjes ë tij, mund të jetë një burrë, mund të jetë një grua, por nuk do të jetë njeri; asgjë s’do ta dallojë nga salmoni, zebra apo një viç”, thuhet për librin. “Biblioteka sekrete e Aushvicit” mund të rekomandohet pa rezerva, krahas romaneve të tillë si “Ditari i Ana Frankut”. Pasi lexohet, nuk harrohet kurrë. Një rrëfim i jashtëzakonshëm dhe autentik i Holokaustit.