BREAKING NEWS

SHBA rritje e tmershme e të infektuarve, 135.738 deri të dielën në darkë, 2391 të vdekur

SHBA rritje e tmershme e të infektuarve, 135.738 deri të dielën
x

Kultura

Bienalja ballkanike e humorit dhe karikaturës “Niko Nikolla”, për herë të parë në Pogradec

Bienalja ballkanike e humorit dhe karikaturës “Niko Nikolla”,

Bienalja ballkanike e humorit dhe karikaturës “Niko Nikolla” do të zhvillohet për herë të parë, në vendin tonë. Është qyteti i Pogradecit, që do të presë këtë aktivitet që bën bashkë artistë nga vendet e Ballkanit. Bienalja do të zhvillohet në kuadër të “Ditëve të Humorit” në Pogradec, ku organizatorët tashmë kanë nisur përgatitjet. President i bienales, që për herë të parë pritet të zhvillohet në Shqipëri, piktori i njohur Agim Sulaj tregon se aktiviteti do të zhvillohet në galerinë e arteve të qytetit të Pogradecit. “Së bashku me Flora Nikollën, ishte një ide për të prezantuar këtë nismë ballkanike në qytetin e Pogradecit. Duhet të mendohemi ti kthejmë krahët të kaluarës plot keqkuptime e vështirësi midis popujve ballkanike, e të shohim përpara një Ballkan të ri, paqeje e miqësie, ku çdo vlerë kombëtare bëhet vlerë e pasuri e përbashkët. Pikërisht kjo ide do të jetë trajtuar në nivel ballkanik nga artistë, nga Turqia Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Kosova, Serbia dhe Shqipëria”, tregon artisti i vlerësuar ndërkombëtarisht Agim Sulaj. Ky bashkëpunim do të gjejë kurorëzimin e tij, në muajin maj në datat 18-21, në qytetin e bukur të Pogradecit. President i bienales, Agim Sulaj tregon se ky aktivitet jo vetëm nderon një nga themeluesit e karikaturës e humorit shqiptar, por dhe i jep gjallëri kësaj gjinie. ““Ditët e humorit”, mban emrin e Niko Nikollës, themelues e mbështetës i karikaturës e humorit shqiptar për shumë vite në revistën “Hosteni”. Falenderoj me këtë rast kryetarin e bashkisë së qytetit dhe gjithë stafin, të cilët do të bëhen mbështetës me këtë bienale, duke i dhënë një frymë gjallërie dhe karikaturës shqiptare”, pohon artisti i njohur Agim Sulaj.

 Tradita e bienales

I angazhuar për zhvillimin e kësaj bienaleje, që ka temë “Buzëqeshja Ballkanike”, artisti Agim Sulaj tregon se puna për projektin ka filluar, ku do të ketë dhe një juri e do të ndahen dhe çmime në muajin maj. “Puna ka filluar dhe së shpejti ftesat për pjesëmarrje do t’ju shpërndahen të gjithë kolegëve të mi ballkanas. Duam ta vazhdojmë këtë nismë në qytetin e mrekullueshëm të Pogradecit, si vlerë e vazhdueshme që promovon artin e satirës e humorit, kësaj radhe me Ballkanin e më pas me Europën e mbarë botën. Është kënaqësi e veçantë dhe do të bëjmë më të mirën. Falemnderit i veçantë për Bujar Kapexhiun e Robert Goro, të cilët do të jenë pjesë e stafit të jurisë e mbështetës të mrekullueshëm”, thotë piktori Sulaj. Ajo që ka ndodhur me karikaturën shqiptare ndër vite, sipas artistit Agim Sulaj ka qenë një zbehje e saj. “Shumë artistë u larguan jashtë dhe mungesa e tyre e zbehu karikaturën shqiptare. Artistë që punuan në Shqipëri krijuan me shumë sforco për vite me radhë, por më në fund duket se ju nënshtruan realitet indiferent, i cili nuk e vlerëson artin e karikaturës e sidomos artistët, si Kapexhiu, Meksi, Beqo, Belortaja etj”, thotë piktori Agim Sulaj. Paralelisht me bienalen në muajin maj në Pogradec, artisti Agim Sulaj tregon se do të organizohet dhe ekspozita e tij me vepra të botuara te “Hosteni”, që para 30 vjetësh. Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar, 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga "Hosteni". Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te "Hosteni (revistë)", e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Me shumë vlerësime ndërkombëtare, artisti trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet, etj.