Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bienalja e Arkitekturës në Venecia, Shqipëria prezantohet me “Hapësira zero”

Postuar: 24/04/2018 - 08:14

Shqipëria përfaqësohet në Bienalen e Arkitekturës në Venecia me një pjesë të mjedisit urban të Tiranës. Në edicionin e 16 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës, Shqipëria do të përfaqësohet me projektin “Hapësira zero”, i cili ka zgjedhur portat e vjetra të marra nga banesa në kryeqytet, si element për të shpjeguar Tiranën ku bashkëjetojnë e vjetra me modernen. Seria e dyerve, e instaluar në “Hapësirën zero” linjëzon kalimin mes të brendshmes dhe të jashtmes në urbanistikën bashkëkohore të Tiranës, karakterizuar nga prania e shumë dyqaneve, punishteve, kafeneve, të pranishëm kudo nëpër qytet dhe pothuaj 24 orë në shërbim të qytetit. Pasuri e një kulture antike, e adaptuar në mënyre kreative me nevojat e përditësuara të qytetarëve për një hapësirë totalisht në dispozicion, një hapësirë të lirë për publikun. Për këto arsye, “Hapë- sira zero” e Tiranës ridimensionon qytetin në shkallë njerëzore, duke u kthyer tashmë në këtë hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten. Më herët në kuadër të thirrjes së hapur për projekte për realizimin e pavionit shqiptar Ministria e Kulturës shpalli se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 16-të të ekspozitës është “Hapësira zero”, i paraqitur nga Commonsense, Studio/PRGBR Architektur FABLAB, Tirana. Pavijoni shqiptar komisionohet dhe mbikëqyret nga Ministria e Kulturës, dhe kurohet nga një ekipi i kompozuar që ka si emërues të përbashkët qasjen e thellë kritike ndaj projektimit, një qasje kjo, që kërkon stimujt jo vetëm në botën vizuale, por gjithashtu inspirohet nga pëlhura sociale, njerëzimi, historia dhe kultura lokale si e tërë. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nënvizoi se projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë bienale sjell jo vetëm një ide, por mbi të gjitha qytetari. “Erioni e ndërton dhe e zhvillon bashkë me ekipin e tij në Bashki, ndërsa Ministria e Kulturës ka marrë përsipër përgjegjësinë ta transformojë në një projekt, që përmes arkitekturës ta përcjellë artistikisht në një publik ndërkombëtar, me një kalendar shumë të ngjeshur 6-mujor, duke synuar që të shkojmë jo vetëm në Venecia, por përtej Venecias, përtej Italisë, të bëjmë një ekspozitë shëtitëse. ‘Kati zero’, që ne në shqip i themi kati përdhes, atje ku ndodh gjithçka, ku është Tirana jonë me zhurmë, me ndryshim, pa zhurmë, me imazhe, me zërin e njerëzve që çdo ditë të jetojnë, çdo ditë të gëlojnë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë bashkë duam ta çojmë si një pasaportë në këtë ekspozitë botërore të arkitekturës”, tha Kumbaro. I pranishëm në prezantimin e këtij projekti, që mbështetet nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi idetë e prezantuara dhe pritshmëritë e larta për pavionin shqiptar. “Me çelësin e dyerve do të takohemi në Venecia. Është një fabul fantastike. Historia jonë duhet treguar. Jemi të lumtur që do shkojmë ta tregojmë historinë tonë falë këtij grupi historik dhe që jam i sigurt se do të na bëjnë shumë krenarë”, tha Veliaj

Bienalja në Venecia

Ekspozita e 16 Ndërkombëtare e Arkitekturës - Bienale e Venecias 2018 këtë vit është me temë “Freespace” dhe do të zhvillohet nga 26 maji deri më 25 nëntor 2018 në Arsenale dhe Giardini në Venecia, Itali. Tema e kësaj Bienaleje “Freespace” është përzgjedhur nga kuratorët e edicionit të 16-të, Yvonne Farrel dhe Shelley McNamara, të cilat kanë motivuar zgjedhjen e tyre duke pohuar se "Freespace” përshkruan bujarinë e shpirtit dhe ndjenjën e humanizmit, në thelbin e agjendës së arkitekturës, duke përqendruar vëmendjen në vetë cilësinë e hapë- sirës. “Freespace përqendrohet në aftësinë e arkitekturës për të ofruar hapësira të lira dhe hapësira shtesë për ata që e përdorin atë, si dhe në aftësinë e saj për të adresuar dëshirat e pashprehura të të huajit. Freespace inkurajon të rishqyrtojmë mënyrën e të menduarit, duke nxitur mënyra të reja të të parit të botës dhe të japë zgjidhje në të cilën arkitektura siguron mirëqenien dhe dinjitetin e çdo banori të këtij planeti të brishtë. Freespace mund të jetë një vend i mundësive, një hapësirë publike, jo e planifikuar dhe e lirë për përdorime ende të pa përcaktuar. Ajo ç’ka na intereson është të shkojmë përtej asaj që është e dukshme, duke theksuar rolin e arkitekturës në skenën e jetës së përditshme” përfundon kuratorët./Julia VRAPI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 17

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/12/2018 - 07:50

Në Bibliotekën Kombëtare u zhvillua dje ceremonia për Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skëndo” për vitin 2017.

Postuar: 15/12/2018 - 07:49

Tragjikomedia “Hollyshit” vjen këtë mbrëmje për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar

Postuar: 15/12/2018 - 07:42

Në muajin e fundit të këtij viti artistët shprehen se vijuan të njëjtat probleme me jetën artisti

Postuar: 14/12/2018 - 07:32

Komedia "Tag" nga Bashkim Hoxha dhe me regjisore Andia Xhunga është rikthyer për publik

Postuar: 14/12/2018 - 07:31

Ekspozita “Plein Air” mbërrin në edicionin e katërt në Muzeun Historik Kombëtar.

Postuar: 14/12/2018 - 07:26

Kompozitori i mirënjohur, profesor Thomas Simaku është në jurinë ndërkombëtare të vlerësimit të v

Postuar: 14/12/2018 - 07:22

Ekspertët europianë kanë publikuar raportin për rehabilitimin e monumenteve pas-bizantine në Vosk