BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën shqiptare

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën
x

Kultura

"Bolero në vilën e pleqve" shpallet "Filmi më i mirë", në edicionin e 16 të "Paris Play International Film Festival”

"Bolero në vilën e pleqve" shpallet "Filmi më i

Filmi "Bolero në vilën e pleqve" me regji nga Spartak Pecani fitoi çmimin "Filmi më i mirë" në "Paris Play International Film Festival". Festivali zhvilloi edicionin e 16 këtë dhjetor dhe u zhvillua online, ku merrnin pjesë në konkurrim prodhime të ndryshme kinematografike të huaja. Prodhim i shtëpisë kinematografike "Eclipse SA Film", ky është çmimi i dytë që merr këtë dhjetor ky film pas atij më parë në festivalin e Varshavës në Poloni për skenarin më të mirë. Lajmin për çmimin e filmit në festivalin në Paris të Francës e ka publikuar edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Skenari i filmit “Bolero në vilën e pleqve” është shkruar nga Linda Fejzaj dhe Spartak Pecani me motive të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit Fatos Kongoli. Bashkëskenaristja Linda Fejzaj thotë ky vlerësim krijon sigurinë dhe për bashkëpunimin e radhës për filmin në vijim. “Mendoj se krijon sigurinë dhe garancinë jo vetëm të suksesit të "Bolero në vilën e pleqve", por dhe mundësinë e sigurisë për projektin e radhës, që shpresojmë në mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Të jesh pjesëmarrës është diçka, të fitosh është gjithçka dhe fjalët janë të tepërta. Megjithatë "Bolero në vilën e pleqve" nuk ndalet. Jemi në pritje të festivaleve të tjera”, tregon bashkëskenaristja Fejzaj. Në qendër të filmit “Bolero në vilën e pleqve” është një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëjë që ajo të shko përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbirojë mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit, si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare.

Mesazhet e filmit

Filmi “Bolero në vilën e pleqve” me regji nga Spartak Pecani mori çmimin “Filmi më i mirë” në “Paris Play International Film Festival”, ku ministrja e Kulturës Elva Margariti e cilësoi një lajm të mirë që vjen nga kinematografia. Në rolet e filmit përmendim aktorët e njohur Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj apo Ledjon Zoi. Muzika e filmit është nga Endri Sina dhe kostumografia e Gerta Oparakut. Bashkëskenariste në film Linda Fejzaj shprehet se “Bolero në vilën e pleqve” tregon vlerën e vërtetë të jetës. ““Bolero në vilën e pleqve” përcjell dashurinë, mirësi, pranimin. Bukuria e tij qëndron në vërtetësinë dhe ndjesinë fondamentale. Ky film është emocion i vërtetë dhe tregon qartë vlerën e vërtetë të jetës dhe dashurisë në të”, vijon Linda Fejzaj. Duke folur për punën që është bërë me këtë projekt kinematografik, që po merr çmime të ndryshme në festivale filmi në botë, bashkëskenaristja Linda Fejzaj thekson punën e regjisorit të filmit. “Spartak Pecani është vlera e vërtetë e këtij filmi, nuk mund të imagjinosh strapacimin e tij për këtë arritje që në çastin që kemi nisur derisa ka mbërritur në fund. Ai njeri nuk dihet nëse ka bërë gjumë apo jo, sepse është detajist dhe kërkon përsosmërinë” shprehet ajo. Për bashkëskenaristen Fejzaj këto kanë bërë, që filmi “Bolero në vilën e pleqve” të ketë arritje.