Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin, ja sa raste të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin, ja sa raste të
x

Kultura

Botues dhe autorë: Bibliotekat të varfra në libra dhe me buxhetet skandaloze, Ministria e Kulturës nuk ka ndërtuar asnjë projekt mbështetës

Botues dhe autorë: Bibliotekat të varfra në libra dhe me buxhetet

Bibliotekat në vend janë mes problemeve të ndryshme dhe duket se gjendja e tyre është shqetësuese për autorë dhe botues, por jo dhe aq për institucionet. Bibliotekat në vendin tonë jo vetëm vuajnë mungesën e investimeve, por dhe të pasurimit me libra, që sipas autorëve dhe botuesve të ndryshëm sot janë në gjendje të mjeruar. Pak fare është bërë për bibliotekat në vendin tonë, dhe kur flitet për pasurimin e tyre me libra botues dhe shkrimtarë të ndryshëm thonë se janë buxhetet skandaloze. Frano Kulli nga Enti Botues “Gjergj Fishta” thotë se qëndrimi i tij për problemet që hasin sot bibliotekat nuk ka ndryshuar, duke pohuar se gjendja vijon si para disa vitesh. “Unë nuk kam ndryshuar qëndrim për problemin me bibliotekat në vendin tonë. Shumë është folur, por unë kam të njëjtin konstatim si më parë. Buxhetet shtetërore, etj, për furnizimin e bibliotekave me letërsi, për azhornimin me botime të reja janë në gjendje skandaloze. Besoj se nuk është thjesht një rast për shembull vetëm për Lezhën apo ndonjë qytet tjetër, por është një problem akut siç ka qenë prej shumë vitesh. Në vendin tonë jashtëzakonisht pak bëhet për bibliotekat, investimet dhe furnizimin me libra. Unë po ju përmend një shifër, në periudhën sa isha unë në bibliotekën në Lezhë nga bashkia e kishte një fond prej rreth 500 mijë lekë të reja”, tregon botuesi Frano Kulli. Më tej si botues Kulli vijon, se me këtë fond kaq të vogël problemi me pasurimin e bibliotekave me libra do të vijojë të ekzistojë. “Pra është një fond shumë i vogël për bibliotekat dhe librin, projektet e tjera që të ndërmerren sërish është shumë e vështirë. Për mua problemi vazhdon të jetë akut. Më pas problemet ndërvartëse shkojnë zinxhir, sepse duke u furnizuar bibliotekat me libra sigurisht që dhe botuesit në letërsinë e zgjedhur kanë pjesën e vet të dobishme, por për mua është e njëjta gjendje dhe nuk ka ndryshuar për mirë”, shprehet botuesi i njohur dhe publicisti Frano Kulli.

Kontrolle për librat

Botues dhe autorë të ndryshëm pohojnë se jo vetëm bashkitë kanë përgjegjësinë e tyre, por Ministria e Kulturës që merret me politikat kulturore deri tani nuk ka treguar se ka një projekt të duhur për bibliotekat në vendin tonë. Botuesi dhe publicisti Frano Kulli vijon më tej se është një gjendje shumë shqetësuese, që kaq pak flitet dhe bëhet për bibliotekat dhe librin në vendin tonë. “Ministria e Kulturës sigurisht që me politikat e saj duhet të ndërhyjë, dhe duhet të bëjë më shumë. Ministria e Kulturës e ka pasur kurdoherë këtë mundësi shumë më të madhe besoj dhe asnjëherë nuk ka qenë dorëmbarë për bibliotekat. Nuk është se ka ndërtuar ndonjëherë ndonjë projekt mbështetës. Për mua e njëjta gjendje shqetësuese është”, shprehet Kulli. Shkrimtari Pandeli Koçi herë pas here është shprehur për këtë problem, por sipas tij ndërsa duhet të rriten buxhetet për të furnizuar bibliotekat nga ana tjetër edhe shteti duket të ketë më tepër kontrolle për librat. “Bibliotekat në vend janë shumë të varfra me libra dhe duhet të ndihmohen patjetër nga shteti. Madje ndihma duhet të arrijë deri tek bashkitë dhe komunat, të cilat ua japin shkollave buxhetin e tyre dhe duhet të kontrollohet nëse kanë vajtur apo jo librat. Pra duhet jo vetëm buxheti duhet të jetë i lirë, por dhe kontrolli që duhet të bëjë seksioni i arsimit i rrethit përkatës nëse kanë vajtur apo jo librat, si dhe sa janë lexuar”, pohon shkrimtari Pandeli Koçi, në një reagim të tij. Nëse bibliotekat nuk janë si duhet të vendin tonë për botues dhe autorë të ndryshëm edhe libraritë janë si kioska dhe mjaft të vogla.