BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

Botues dhe autorë: Vit i vështirë, zhvillimi i edicionit të 23 të Panairit të Librit domosdoshmëri dhe për të ruajtur traditën

Botues dhe autorë: Vit i vështirë, zhvillimi i edicionit të

Panairi i 23 i Librit në Tiranë do të zhvillohet pas disa ditësh, por këtë vit online për shkak të situatës me pandeminë në vend. Për Shoqatën e Botuesve Shqiptarë kjo ngjarje nuk duhet t’i mungojë Tiranës dhe do të zhvillohet nga data 12 deri më 15 nëntor. Por edhe pse në formatin online, disa aktivitete që janë në programin e këtij viti do të zhvillohen, duke respektuar rregullat ndaj Covid-19. Panairi i Librit cilësohet si ngjarje madhore, por vështirësitë që kanë shoqëruar këtë vit botues dhe aurorë të ndryshëm nuk kanë qenë pak edhe për shkak të situatës me pandeminë. Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga nisja e edicionit të 23, botues dhe autorë të ndryshëm shprehen se me kushtet që janë këtë vit kryesore ishte që të mos shkëputej kontakti me lexuesit dhe panairi të vijonte traditën, ndërsa librat do të jenë përmes platformave online. Botuesi i njohur Jani Malo që prej vitesh zhvillon aktivitetin me shtëpisë botuese “Nereida” në vendin tonë thotë se zhvillimi i këtij edicioni në një format të tillë u diktua nga koha, që po kalojmë. Sipas botuesit Jani Malo zhvillimi i edicionit të këtij viti online ishte domosdoshmëri. “Nuk është një gjë që varet nga ne, sepse ne u përpoqëm të bëjmë më të mirën në këto kushte që jemi dhe besoj se arritëm, që të bëjmë një zgjidhje të pranueshme. Zhvillimi i Panairit të Librit online në kushtet e këtij viti ishte domosdoshmëri, kjo për të ruajtur traditën dhe për të mos krijuar shkëputje me lexuesin. Por dhe për të mbajtur emrin e Panarit të Librit dhe për të zhvilluar aktivitete të ndryshme të planifikuara. Ne këtë vit kishim si temë përkthimin dhe nëse nuk do ta bënim Panairi e Librit ishte mjaft e vështirë që të kishim njerëzit, ku do të diskutonin, temat, etj”, thotë botuesi Jani Malo.

Një kohë e vështirë

Zhvillimi i panairit online për botuesin Jani Malo edhe pse do të jetë pa shitje në stenda, librat do të prezantohen nëpërmjet platformave të ndryshme. “Panairi online unë mendoj se është diçka pozitive dhe madje mendoj se do të ndikojë pozitivisht edhe në të ardhmen. Ne nuk do të kemi shitje në panair, por ne po i provojmë librat dhe nëpërmjet platformave të ndryshme dhe rrjeteve sociale. Dhe këtë po e bëjmë shumë herë më tepër se sa kemi bërë. Aktivitetet që janë planifikuar do të bëhen duke ruajtur distancën dhe zbatuar rregullat. Platforma online te “Adrion”, Bukinist.al, si dhe platforma të tjera digjitale mendoj se do ta bëjnë lexuesin që të mos i mungojë libri”, thotë botuesi Jani Malo. Si autor Mustafa Tukaj është i njohur me veprat e tij, ku dhe së fundmi bëri me dije se sapo ka dalë nga shtypi romani i dytë për të rinj i shkruar gjatë kohës së karantinës prill - qershor 2020, me titull "Ajo dhe të tjerët". Por sipas tij ky vit ka qenë shumë i vështirë për autorë dhe botues, dhe nëse do të krijohet mundësia panairi i nëntorit të zhvillohej vitin që vjen sërish në pranverë. “Për mua ka qenë një vit shumë i vështirë për autorët, por dhe botuesit besoj. Por nëse do të ishte mundësia ky panair të përsëritet në pranverën që vjen. Shkrimtarët kanë nevojë dhe që të shiten librat e tyre, por dhe lexuesi është më mirë kur e shikon librin në stenda. Ka qenë një vit shumë i vështirë nga pandemia për librin”, thotë Tukaj. Pak ditë na ndajnë nga panairi i këtij viti në Tiranë, por dhe për botuesin e njohur Luan Pengili që prej vitesh zhvillon aktivitetin e tij me shtëpinë botuese “Omsca-1” pandemia ka kufizuar veprimtaritë me librat. “Të gjitha shtëpitë botuese po zhvillojnë aktivitetin online këtë kohë. Edhe panairi do të jetë online. Pandemia ka ndikuar dhe në aspektin ekonomik këtë vit”, thotë botuesi Pengili. Gjatë ditëve të panairit botues, shkrimtarë, poetë, përkthyes, lexues dhe njerëz të kulturës do të takohen për diskutime librash, prezantime titujsh të rinj, por edhe tryeza debatesh, në live stream, ose në mjedise fizike, duke respektuar të gjitha kushtet e sigurisë.