BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

Botues e përkthyes: Sfidat e përkthimit janë të shumta, shoqata e përthyesve jo të kontrollohet nga Ministria e Kulturës

Botues e përkthyes: Sfidat e përkthimit janë të shumta,

Problemet në fushën e përkthimit ishin pjesë e debatit, që u zhvillua dje nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Botues dhe përkthyes të ndryshëm morën dje pjesë, në diskutimi mbi debatin “Arti i përkthimit dhe kontributi i letërsisë së përthyer në kultivimin e shijeve të lexuesit”. Cilësia e përkthimeve në këto 30 vjet, ripërkthimi i veprave të klasikëve, përkthimi nga gjuhët e dyta, vendosja e standardeve të përkthimit, etika e përkthimit, bashkëpunimi botues-përkthyes, gjuha standarde dhe dialekti në një përkthim, përkthyesi dhe institucionet, shoqata apo dhe urdhri i përkthyesit ishin disa nga temat e debatit, që u trajtuan në takimin që u zhvillua në sallën “Amerikan Corner”, në Bibliotekën Kombëtare. Botuesi i njohur Petrit Ymeri njëkohësisht dhe kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në fjalën e tij mes të tjerave tha se një nga sfidat e ngritura këto kohë ka të bëjë me urdhrin e përkthimit në vendin tonë. Botuesi Ymeri foli dhe për shoqatën e përkthyesve, që sipas tij nuk dihet se për çfarë arsyesh nuk ka funksionuar në vendin tonë. “Kemi përkthime të mira këto vite, por sfidat e përkthimit janë ende të shumta. Shqetësime ka jo pak. Një nga sfidat që është ngritur këto kohë ka të bëjë me krijimin e një urdhri të përkthimit apo të një shoqate të tillë. Por ne e kemi pasur një shoqatë, që nuk e di për çfarë arsye nuk ka funksionuar”, u shpreh botuesi Petrit Ymeri në fjalët e tij gjatë këtij debati.

Historia e përkthimeve

Rexhep Hida është një emër i njohur në fushën e përkthimit dhe editorisë. Botues, por dhe përkthyes në diskutimin që u zhvillua dje mbi përkthimin ai shprehu dakordësinë, që në vendin tonë të jetë një shoqatë e përkthyesve. Në fjalën e tij mes të tjerave Rexhep Hida shprehu më tej se shoqata e përkthyesve duhet të jetë zëri i përkthyesve, që kërkon nga Ministria e Kulturës, por jo të ketë kontroll prej saj. “Jam dakord të ketë një shoqatë për përkthyesit, por jo një urdhër të përkthyesit, si është përmendur. Pa diskutim kjo shoqatë duhet të jetë e pavarur nga Ministria e Kulturës, sepse shoqata duhet të jetë zëri i përkthyesve që kërkon nga ministria e nga institucionet, por jo të kontrollohet nga ajo”, tha mes të tjerave botuesi dhe përkthyesi i njohur Rexhep Hida, në fjalën e tij. Piro Misha drejtor i Bibliotekës Kombëtare i pranishëm në këtë diskutim që u zhvillua dje në institucionin ku ai drejton, tha se duhet të hedhim sytë nga historia e përkthimeve tona. “Duhet të studiohet dhe kam parë dy fletore të Mitrush Kutelit kur bëhej diskutimi i përkthimit të “Anna Karenina” nga Petro Zheji. Kanë qëndruar disa ditë përkthyesit kush ishin kriteret e përkthimit, tradita e shqipërimit e shumë të tjera piketa, që diskutoheshin e diskutojmë edhe sot. Ndaj mendoj se duhet ti hedhim sytë nga historia e përkthimeve tona”, tha mes të tjerave Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Debati “Arti i përkthimit dhe kontributi i letërsisë së përthyer në kultivimin e shijeve të lexuesit” u zhvillua në kuadër të aktiviteteve që janë këto ditë për edicionin e 23 të Panairit të Librit “Tirana 2020”. Shoqata e Botuesve Shqiptarë disa javë më parë njoftoi se panairi i këtij viti do të jetë një edicion special. “Të bindur që Panairi i Librit është një ngjarje madhore, e cila nuk duhet t'i mungojë qytetit të Tiranës, por edhe lexuesve nga gjithë vendi, të gjithë të pranishmit ishin të një mendjeje për organizmin, në ditët e caktuara që më parë, të një Panairi Libri, kësaj here në një edicion special, kryesisht online, për shkak të pandemisë”, shprehej SHBSH. Në katër ditët e panairit që nisi të enjten për të vijuar deri të dielën, janë planifikuar më shumë se 60 aktivitete.