BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Kultura

Botuesit kritikë: Nuk kemi librari të funksionojnë në mënyrë bashkëkohore, janë në kufijtë e mbijetesës

Botuesit kritikë: Nuk kemi librari të funksionojnë në

Politikat e shtetit duhet të jenë në ndihmë të librit, por botuesit shprehen se në fushën e botimeve në vend problemet nuk janë pak. Pandemia ka sjellë që librat të shiten edhe në mënyrë online, ndërsa sipas botuesve problem janë edhe libraritë, që nuk funksionojnë në mënyrë bashkëkohore. Frano Kulli nga enti botues “Gjergj Fishta” thotë se situata në fushën e botimeve nuk ka ndryshuar. Në një reagim të tij botuesi dhe publicisti i njohur ndër të tjera thotë se janë institucionet, që bëjnë politikat në fushën e botimeve. “Mendimi im personal si botues është se problemet tona në fushën e botimeve vetëm kanë agravuar. Nuk është se ka ndryshuar situata. Ministria e Kulturës me politikat që ndjek nuk ka ndonjë ndryshim për mirë”, shprehet botuesi Frano Kulli. Në reagimin e tij Frano Kulli thotë se problemet me libraritë shihen jo vetëm në Tiranë, pasi edhe në qytetet e tjera gjendja është edhe më keq. Për botuesin Frano Kulli sot libraritë në vend janë në mbijetesë. “Tirana nuk ka librari, vetëm “Adrion” është që funksionon me një mënyrë bashkëkohore. Por nuk mjafton kjo. Ne kemi një kryeqytet, që nuk ka librari të kohës. Ne flasim për Tiranën, por në qytete të tjera është dhe më keq. Shqipëria në fushën e librit meriton të ketë shumë më tepër se sa kaq. Në rrethe as nuk bëhet fjalë të kemi librari të funksionojnë në mënyrë bashkëkohore. Janë librari që mbijetojnë, flas për Shkodrën e Lezhën që i njoh më mirë, por dhe qytete të tjera. Libraritë te ne janë në kufijtë e mbijetesës”, thotë botuesi Frano Kulli.

Libri, online një ndihmë

Të gjendur në këto kushte shitjet e librit online kanë qenë një ndihmë në fushën e botimeve. Për botuesit kjo ka qenë pozitive, por transferimi i librave është një tjetër problem. Botuesi Frano Kulli thotë se shitjet online u diktuan si pasojë e pandemisë, gjë që ka qenë më e mirë brenda vendit. “Te shitjet online ka një zhvillim pozitiv, por gjithsesi me kufizimet që sjell koha. Online parimisht është një gjetje e mirë, por kjo marrëdhënie me jashtë vendit ka problemin e madh të transferimit të mallit. Nëse libri ka çmim kopertine x lekë, bën gati dyfish posta ta çosh në një vend tjetër të Europës. Brenda vendit po funksionon me librat më shumë mënyra online, por gjithsesi ka problemin që shteti jonë dihet”, thotë botuesi dhe publicisti. Jani Malo drejtues i shtëpisë botuese “Neraida”, thotë se koha e pandemisë tregoi se puna me shitjet online ishte mënyra më e mirë. Sipas botuesit të njohur problemet në aktivitetin e tyre janë të mbartur. “Jemi në një kohë, që askush nuk e ka mendjen te ne botuesit. Problemet janë po ato. Nuk kanë shanse për të ndihmuar botuesit në këtë situatë që jemi. Nuk ka ndryshuar asgjë. Problemat kanë qenë të mbartura, madje pandemia na ka ndihmuar pak sepse ne kemi filluar të kërkojmë rrugë alternative nëpërmjet shitjeve online, që më përpara dhe i nënvlerësonim”, pohon botuesi Jani Malo. Ashtu si dhe të tjerë edhe botuesi Jani Malo e shikon problem mungesën e librarive, që të funksionojnë në mënyrë bashkëkohore. Sipas tij, edhe Tirana ka vetëm një librari që funksion si duhet. Të gjendur në këto kushte botuesi Jani Malo thotë se librat që janë online kanë qenë një ndihmë, por jo se ka sjellë rritje tirazhi. “Më thoni sa librari ka Tirana që janë të mira, pra bashkëkohore. Ka vetëm një librari që është “Adrion”. Nëse do të shkojmë në Bari, libraria më emirë te ne është sa libraria më e vogël e Barit, në Itali. Kjo bën që online të jetë e nevojshme dhe një ndihma e mirë për të gjithë, por jo se ka rritur tirazhet. Atë që kemi ulur nga shitjet në librari e kemi plotësuar nëpërmjet shitjeve online, por jo se është rritur tirazhi”, pohon ai. Problematikat me të cilat po përballet bota e editorisë në Shqipëri, evidentimi i tyre i lidhur edhe me sektorë të tjerë që janë pranë librit, si bibliotekat apo institucionet e arsimit, si edhe gjetja e mekanizmave për përmirësimin e këtyre problematikave janë diskutuar dhe më parë nga botuesit.