Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Botuesit, të pakënaqur me fondin e përkthimit: Përkthimet e mira kushtojnë, po sakrifikohet cilësia

Postuar: 20/04/2017 - 07:57

Ministria e Kulturës edhe këtë vit shpalli fituesit e fondit të përkthimit letrar, ku u mbështetën 14 projekte në fushën e librit. Një fond prej 2 milionë lekësh të reja është këtë vit për përkthimet, por sërish botues të ndryshëm edhe pse e shikojnë si ndihmë këtë fond të ministrisë shprehin pakënaqësi për buxhetin, që ndan ministria. Një pjesë e tyre pohojnë se kanë qëndruar larg aplikimeve në ministri për shkak të mënyrës se si veprohet për ndarjen e projekteve, ndërsa të tjerë sërish gjejnë probleme. Frano Kulli nga shtëpia botuese “Gjergj Fishta” vijon të jetë një nga zërat më kritikë ndaj problemeve me fushën e përkthimeve dhe librit. Edhe këtë fond që është për përkthimet ai e shikon mjaft të paktë. “Sigurisht cilado mbështetje që Ministria e Kulturës jep për librin është për t’u përshëndetur. Fondi i përkthimit ka qenë destinacioni i parë i fondeve për librin nga Ministria e Kulturës, që në vitin 2013. Por shumë pak janë aq para për të mbështetur përkthimin, pa përsëritur këtu shproporcionimin e përparësive, që kjo ministri ka zgjedhur”, shprehet botuesi Kulli. Në reagimin e tij, ai vijon të pohojë se përkthimi i një libri të mirë kushton dhe po ashtu një përkthyes i mirë duhet paguar, por kur ke pak mbështetje financiare kjo sjell probleme. “Çfarë cilësie mund të sigurohet me kaq pak mbështetje financiare? Sigurisht që përkthimi i një libri të mirë kushton, sepse vetë një përkthyes i mirë duhet paguar mirë, ndaj duhet të rriten fondet”, nënvizon më tej botuesi Kulli. Ndërsa në lidhje me këtë fond të përkthimit apo të tjerë që ndan Ministria e Kulturës në fushën e librit, Manushaqe Bako nga shtëpia botuese “Dritan” tregon se nuk kanë qenë pjesë e aplikimeve, pasi nuk kanë njohur politikat e ministrisë. “Ne me botimet tona nuk kemi qenë pjesë e aplikimeve, nuk jemi njohur me politikat e ministrisë, por sigurisht gjithmonë kërkohen rritje të fondeve për librin”, pohon Bako. Ndërkaq që Aida Baro nga shtëpia botuese “Pegi” edhe pse e vlerëson këtë mbështetje shton se më shumë fonde ndikojnë më mirë në fushën e përkthimeve. “Gjithmonë nëse ka më shumë buxhet është shumë më mirë, por kjo varet dhe nga libri që do përkthehet, sa faqe përmban ai, etj. Por dhe me kaq buxhet, është gjë e mirë, sepse po ndahet për përthimin”, vijon mes të tjerave Baro.

Ymeri: Mbështetja, vlerësim

Botuesi i “Diturisë” Petrit Ymeri, fondin 2 milionë lekë të reja në vit për përkthimet e shikon si një nga punët e mira, por shton ai akoma më shumë mund të bëhet në fushën e librit. “Fondi i përkthimit është një nga punët e mira, që janë bërë nga Ministria e Kulturës. Por a është i mjaftueshëm ose jo, kjo nuk ka fund. Mbështetja e disa përkthimeve të mira të veprave të mira për disa vite me radhë, është një vëmendje që duhet vlerësuar”,  shprehet botuesi Ymeri. Në kriteret e ministrisë thuhet mes të tjerave se financimi (i plotë ose i pjesshëm) i përkthimit të veprës do të mundësohet nga Ministria e Kulturës dhe i shkon drejtpërdrejt përkthyesit. Sipas botuesit Ymeri edhe pse mund të jetë i pjesshëm si financim kjo është vlerësim. “Në radhë të parë kjo është një ndihmë, por edhe vlerësim për përkthyesin, i cili paguhet direkt nga ministria dhe paguhet me një tarifë më të lartë se tregu. Pra pagesa e ministrisë është pjesore (psh për 150 apo 200 apo 250 faqe) me çmimin e caktuar, pjesa tjetër paguhet nga botuesi sipas kontratës që ka me përkthyesin. Pra është edhe një ndihmë për botuesin, por edhe vlerësim, sigurisht”, shton Ymeri nga shtëpia botuese “Dituria”. Kufiri  i financimit nga Ministria e Kulturës për një aplikim nuk mund të jetë më shumë se 250 000 lekë të reja, pavarësisht numrit të faqeve të librit që është përzgjedhur, por sipas botuesit Petrit Ymeri për kushtet e trgut në vendin tonë kjo ëhstë normale. “Për kushtet tona më duket normale. Edhe institucionet e huaja ndërkombëtare, nuk paguajnë komplet përkthimin, por një pjesë të tij. Janë pa fund shembujt. Si shembulli më i mirë dhe më i njohur këto vitet e fundit është Projekti i BE Creative Europe. Themeli i këtij projekti është bashkëfinancimi 50/50 me shtëpinë botuese”, cilëson më tej Petrit Ymeri nga shtëpia botuese “Dituria”.

Shqipëria me “Gangsteri i vogël”, në distribucionin e filmit europian

Një film hollandez e fut Shqipërinë në hartën e distribucionit të filmit europian. “Gangsteri i vogël” një film, i cili rendit disa çmime ndërkombëtare dhe i kushtohet fenomenit të bulizmit do të shfaqet në kinematë shqiptare në të njëjtën kohë me rrjetin e kinemave në Kroaci dhe Maqedoni. Film komedi, 1 orë e 41 minuta, për të rinj e për të rritur, i cili bazohet mbi historinë e romanit të Marjon Hoffman-it është një prej filmave familjarë hollandezë më të mirë të viteve të fundit. Me regji nga Arne Tooner, skenari Lotte Tabbers, subjekti Marjon Hoffman dhe muzika Erik Jan Grob. Aktorë në film Thor Braun, Henry van Loon, Meral Polat, Rene van 't Hof, Rick Lens. Drejtori i “Tirana Film Institute” Agron Domi shprehet se është ndër të paktat raste fatlume që Shqipëria përfiton nga program i “Media i Creative Europë”. “I njëjti film qarkullon në tre shtete në këtë rast, në Shqipëri, Maqedoni dhe Kroaci dhe quhet “Date to Date”. Kam pasur mbështetjen e programit “Media i Creative Europë”. Filmi ka një temë të rëndësishme sociale siç është bulizmi, ndaj dhe përbën një sfidë ndaj filmave të Hollivudit, të cilët kanë dominuar skenën dhe sallat e kinemave komerciale në Shqipëri, por jo vetëm”, pohon mes të tjerave Agron Domi. Zgjedhja e një filmi për fëmijë nuk është e rastësishme. Ajo është pjesë e një strategjie afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë për të edukuar dhe ndërtuar audienca të konsoliduara në të ardhmen, duke kontribuar sadopak në zbutjen e kësaj krize frekuentimi me të cilën përballet Shqipëria dhe Ballkani. Suksesi i këtij projekti jep mundësinë që në të ardhmen të shfaqen edhe filma shqiptarë në këtë mënyrë simultane të distribucionit. Filmi “Gangsteri i vogël” do të shfaqet nga data 20 deri me 27 prill në rrjetin e kinemave shqiptare në Tiranë dhe në Korçë. Një odë me humor të mprehtë mbi të nëpërkëmburit dhe dhunuesit në shkolla, "Gangsteri i Vogël" tregon historinë e Rick Boskamp, i cili është i lodhur nga të qenurit objekt i përditshëm i talljeve nga shokët e tij të klasës. Kur Rick dhe familja e tij shpërngulen në një qytet tjetër, për të shmangur ngacmimet nga shokët e rinj të klasës, ai shkon deri tek ideja t'i mashtrojë se babai i tij është një bos i rëndësishëm dhe i rrezikshëm mafioz. Të gjithë shokët e tij të klasës dhe fqinjët në lagje respektojnë Rick-un dhe babain e tij, deri sa shfaqet banditi nga e kaluara e tij.

 Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/11/2017 - 07:45

Në kuadër të “Ditëve të Kujtesës 2017”, në Muzeun Historik Kombëtar u zhvillua leximi publik i dosjes së disidentes Musine Kokalari, organizuar nga IDMC në bashkëpunim me Institutin Musine Kokalari dhe Autoritetin për hapjen e dosjeve të komunizmit.

Postuar: 23/11/2017 - 07:44

Filmi “Derë e hapur” ka bërë bashkë regjisorin Florenc Papas dhe producentin Eno Milkani.

Postuar: 23/11/2017 - 07:43

Nga data 24 Nëntor deri në 31 Dhjetor, Tirana do të bëhet pjesë e njërit prej panaireve më të rëndësishëm të dimrit, i njohur si “Winter Wonder”, i cili zhvillohet ç

Postuar: 23/11/2017 - 07:41

Artistë të institucioneve të artit dhe përfaqësues të skenës së pavarur kulturore bëhen bashkë kundër Ministrisë së Kulturës, e cila sipas tyre ka komunikim zero, politika të mb

Postuar: 22/11/2017 - 07:49

 “Mashtrimi”, një shfaqje nga Anthony Shaffer me një kast aktorësh të njohur shqiptarë e të huaj po shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar me regji nga Artan Imam

Postuar: 22/11/2017 - 07:49

Artizanët në parkun kombëtar të Butrintit pohojnë se ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro po mashtron në daljet e saj mediatike.

Postuar: 22/11/2017 - 07:47

Filmi “Dita zë fill” me skenar dhe regji nga Gentian Koçi mori çmimin Golden Sun - Best Film në CineBalkan në Cinedays Festival of European Film në Shkup.