Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bruno Shllaku: U hapim dyert regjisorëve të huaj të panjohur për të përfunduar me salla teatrore të mbushura me të ftuar...

Postuar: 21/04/2019 - 07:58

 Në teatro problemet me aktivitetin artistik janë dhe nga puna që bëhet për të sjellë veprat teatrore në skena. Regjisori Bruno Shllaku e quan gabim fatal, që ai kontingjent artistësh që i ka dhënë shumë teatrit mbahet larg tij. Në intervistën për “SOT” regjisori Bruno Shllaku shprehet se ka raste kur në teatro janë afruar dhe regjisorë të panjohur të huaj, duke lënë mënjanë krijuesit shqiptarë të njohur me aktivitetin e tyre artistik. Shqetësuese për regjisorin është dhe fakti që aktorët e brezit të vjetër po ashtu nuk angazhohen sa duhet në teatro me shfaqjet. Problem për regjisorin është dhe financimi i artit. Sipas tij arti nuk bëhet dot me arna, por duhen buxhete. Përballë problemeve që janë sot me teatrin në vend, sipas tij duhet që Ministria e Kulturës të rishikojë të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me teatrin.

 

 

-Ju vijoni aktivitetin artistik dhe këto kohë po merreni edhe me një vepër teatrore. Kur pritet të jetë në skenë?

Unë këto ditë jam si aktor me shfaqjen teatrore “Ditari i Ana Frank” në teatrin Metropol, që vijon për publikun. Por jam edhe duke punuar fuqishëm për të sjellë si regjisor shfaqjen premierë “Të korrat e gjelbërta”, sipas tregimeve të njerëzve, të cilët kanë jetuar në burgjet komuniste në kohën e diktaturës. Janë disa kujtime me momente të hetuesive të kohës, të cilët unë i kam marrë dhe i kam dramatizuar, dhe i kam kthyer në personazhe, gjithashtu kam marrë dhe disa gjëra nga vepra e At Zef Pllumit “Rrno për me tregu”. Në pamundësi për të punuar në teatrin “Migjeni” po punojmë në një sallë të kishës së murgeshave, sepse atje nuk është bërë e mundur meqë është shfaqje me projekt bashkie në Tiranë. Premierën po ashtu ne do ta kemi në teatrin Metropol, sepse është në bashkëpunim, dhe më pas kemi ftesë dhe në Boston në SHBA. Atje do të luajë rolin e njërit prej të persekutuarve të atij sistemi Tef Pogun aktori Ymer Bala. Tef Pogu ishte njëshi i industrisë së sapunit jo vetëm këtu, por dhe në Itali. Me atë rol do të jetë si dublim atje Ymer Bala, që do ta vazhdojë turneun në Amerikë me këtë vepër. Ai ishte një prej industrialistëve më të mëdhenj të Europës në kohën e luftës që dhe ai ka vuajtur disa vite burg në kohën e komunizmit. Po ashtu kam në plane dhe projektin e një filmi artistik për të cilin po punoj.

 -Çfarë kërkoni për zhvillimin e teatrot në vend?

Për teatrot në rrethe unë do ta them deri sa të jem gjallë, që duhet urgjentisht të shkëputen nga dyert e njerkës. Bashkia për teatrot është njerkë. Nuk mundet të bëhet art nën flamurin e bashkisë. Nuk është ajo përkujdesje, nuk bën ato subvencione që duhen. Duhet të jetë nën juridiksionin e Ministrisë së Kulturës, sepse po ndodh që në këto teatro janë hapur dyert për njerëz të paaftë. Janë hapur dyert, sepse nuk ka doganë. Njerëzit hyjnë në teatër dhe gdhihen në mëngjes aktorë ose aktore të pazhdoganuar, të pa provuar askund në skenë. Dhe nëse vijon kjo kështu do të mbyllen teatrot tanë, sepse ka njerëz të paaftë. Teatrin e ka mbytur paaftësia kudo. Na rroftë ne të tjerëve që bëmë diçka për të lënë trashëgim, sepse sot nuk po mbetet trashëgim asgjë, aq më tepër që i ka mbytur paaftësia në pjesët që vihen në skena, por që janë pa pjesë.

-Çfarë keni parasysh për këtë me teatrin për pjesët, që vihen në skena?

Që teatri nuk mendon më për pjesë teatri me përjashtim të Teatrit Metropol, që është për t’u marrë shembull, që në skena vjen me pjesë teatrore që përcjellin një mesazh dhe  thithin spektatorin.

-Ju pohoni se teatrot në rrethe kanë probleme, po përgjegjësia ku shkon?

Drejtuesit e teatrove unë se di sa përgjegjësi kanë, por për të mbajtur mbi shpatull një teatër është njëlloj si të mbash një vargmal të pafund gurësh. Por duke e perceptuar të tillë drejtuesit e teatrove nuk janë në pozicionet luftarake për miratinë e teatrove. Kjo sepse teatri ka principe totalisht të tjera. Teatri ka principin mesazhor, atë që përcjell. Nëse në një teatër nuk përcillen idetë e kohës që ne i kemi të pafundme shqetësuese, nuk afrohen autorët dhe largohen aktorët e mirë me dhunën e pambuktë duke thënë hë mo se ky është plakur tani, në një kohë kur pa ata nuk ka art, kjo është problem shumë. Ne për çdo ditë po e shikojmë që nëse në një trupë të aktorëve është i aktivizuar një artist i brezit të vjetër gjithmonë aty ka një frymëmarrje tjetër teatri. Mirëpo shumë teatro janë duke larguar kontingjentin e njerëzve më të vjetër, janë duke e larguar si diçka të padëshirueshme në një kohë kur ata janë përballë me publikun salla shembet dhe thonë sa mirë që janë në skena, sa të dëshirueshëm janë për ti parë këta aktorë më të vjetër. Në teatro kanë dhe një gabim fatal. Ne kemi kontingjente regjisoriale të mrekullueshme. Pa dashur të vë emra, janë edhe në pension dhe kjo nuk është problem, por kemi përzgjedh në teatro një kontigjent me disa emra që për mua janë totalisht të panjohur. Që atje në vendin e punës së tyre në teatrot e vet as i afrojnë, por kur vijnë në Shqipëri marrin ato para dhe bëjnë një shfaqje që është natën e parë dhe të dytë, por më pas nuk ka më as spektator, nuk ekzistojnë as aktorët, nuk ekziston as ai vetë, por ka ikur dhe në drejtim të paditur. Nuk ngelet në teatër asnjë shfaqje prej regjisorëve të vetëshpallur regjisor, të cilët nuk kanë absolutisht dhe një CV sa i takon shkollës regjisoriale. Por vijnë nga disa meridiane të çuditshme, që ky është filani dhe ka emër, por kur shikon punët e tyre të kap vaji. Në një kohë kur regjisorët e mirëfilltë të teatrit shqiptar, që janë besnikë të fjalës shqiptare, që kanë thënë fjalët e mrekullueshme në alfabetin skenik mbi regjisurën rrinë dhe sodisin nga larg këtë atentat, që iu bëhet teatrove tanë.

-Ju kërkoni që teatrot në rrethe t’i marrë ministria në varësi, por ndërkohë që është akuzuar nga artistët në Tiranë për problemet me teatrin. Për ju çfarë është shqetësuese në politikat që ndjek ministria?

Ministria e Kulturës duhet automatikisht duhet të bëjë një rishikim mbi të gjithë ligjet që janë mbi teatrin, mbi statuset e teatrove, sepse kështu teatrot janë si automjet ose si një kalë i bukur i një rrace indiane që turret pa pajime, pa kalorës, dhe nuk din se ku shkon nëpër natë. Ndalon aty ku i mbesin këmbët. Duhen “kalorës” të mirëfilltë. Duhen rishikuar të gjithë ligjet që janë mbi teatrot. Lum, lum se kemi godina teatri dhe nuk kemi asgjë çfarë bëjmë brenda. E theksoj sërish që vetëm në teatrin Metropol sallat nuk pushojnë së punuari dhe kjo është e lakmueshme, por kjo nuk ndodh te tjerët.  

-Artistët me projektet e pavarura janë shprehur se ministria jep pak buxhet për një shfaqje teatrore. Sipas jush si ndikon kjo?

Kjo është shumë shqetësuese. Unë nuk mundem për të dalë kundra njerëzve, që janë të punës sime. Unë vë re teatrin tonë në Shkodër që merr projekte nga bashkia dhe kur duan, pra aty nuk diskutohet më puna e projekteve. Por sa i takon ministrisë për çështjen e projekteve duhet të hapet më shumë kuleta. Unë si artist mendoj që është shumë më mirë të hapet kuleta për të bërë art se sa për t’u hapur kuleta për të bërë burgje. Më mirë të bëjmë art se sa të ndërtojmë burgje. Kjo është alarmante. Arti nuk bëhet pa para. Nuk ka art që bëhet pa buxhet. Nuk bëhet arti me arna. Arti me arna në shekullin 21 është për turpin tonë. Ndaj them që Ministria e Kulturës duhet të afrojë teatrot siç ka qenë dikur. Nuk po them të gjithë teatrot, por teatri i Shkodrës padiskutim që mund të kthehet në teatër rajonal, i Vlorës dhe Elbasanit po ashtu. Janë teatro që kanë spektatorë dhe kanë një lloj tradite dhe kanë dalë kolonat e teatrit shqiptar, se sa ti lënë në këtë gjendje si janë sot. Para viteve ‘90 teatrot në vend kanë qenë një fabrikat i mrekullueshëm ku rridhte kulturë, art, zbuloheshin talente.

-Sipas jush si zhvillohej jeta artistike ato vite?

Teatrot para viteve ‘90 ishin shtëpitë më të dashura. Sot edhe vetë spektatori është zbehur dhe thotë nuk po bëni asgjë sot, ai kujton kohën më parë. Pra automatikisht kthehen në nostalgji, në një kohë kur janë të gjitha mundësitë me pak përkushtim dhe përkujdesje mos me bërë budallallëqe, jo me i kthyer teatrot si në kopshte fëmijësh. Teatri ka tjetër sinjal në publik. Nuk dua të vë vizën e zezë që nuk bëhet asgjë, por bëhet për hir të asaj që jam në punë dhe po punoj. Më mire ti lëshosh vendin dikujt tjetër se sa të paguhesh kot me paratë e taksapaguesve dhe kur vjen puna mos të bësh asgjë që e kënaq publikun. Kjo është alarmante në një kohë, që ne i kemi bërë shfaqjet me bukë e djathë, dhe kemi festuar dhe100 apo 150 shfaqje. Pa përmendur “Kopracin” e Molierit të vitit 1958-’59, që është një histori e jashtëzakonshme me 700 shfaqje në të gjithë republikën, një vepër teatrore me regji nga Lec Shllaku “Artist i Popullit”.

-Po sot çfarë ndodh me shfaqjet që vihen në skena?

Sot nëse një shfaqje arrin në të tretën quhet bukur, por dhe aty arrihet me gjysmë salle publik. Edhe ajo gjysma me ftesa. Ndaj Ministria e Kulturës duhet të vërë dorë urgjentisht te teatri në vend, mos ta lërë të degradojë më shumë.

-Ju vetë po punoni me pjesë shqiptare në skena. Por mungesa e veprave shqiptare është parë problem në teatër?

Drama shqipe është një ndër plagët tona të pamenduara. Kurrë nuk do ta kishim menduar që teatri shqiptar nuk do të ketë mundësi për teatrin e mirëfilltë shqiptar që quhet drama shqipe, në një kohë kur kemi autorë me bollëk. Kemi dramaturgun Fadil Kraja që nuk përfillet më, nuk i shkohet në shtëpi për ti thënën duam një dramë. Në teatrot tona nuk afrohen autorët, sepse mungon ajo që quhet para. E them sërish, që duhet të hapet kuleta dhe të afrohen autorët me përzemërsi. Nëse ndodh kjo ne do të kthejmë dhe njëherë sukseset e famshme të teatrit shqiptar që fillon që nga 1948 dhe vdes në 1990.

-Çfarë mendoni për festivalet e teatrit në Shqipëri gjatë këtyre viteve?

Festivali është një ballafaqim i trupave artistike, që mblidhen në qytetet ku zhvillohet. Por unë mendoj që primare është që duhet të ketë një juri jo benjaminësh, por juri me plot kuptimin e fjalës. Nëse ne do të nisemi të bëjmë festival dhe në fund të kthehet në një objekt bisedash ishte shfaqje e dobët, ky mori çmim e ku jo, etj, nuk kemi bërë festival. Por kemi bërë një festival ngatërresash dhe inatesh, nga të cilat njerëzit nuk kanë pretendime për t’u rikthyer dhe njëherë sepse kanë ikur të zhgënjyer. Nëse duhet të bëhet festival duhet të ketë dhe një juri të tillë pa bennjaminizma dhe pa ujdhesa të tjera që janë të nënujshme dhe fatkeqësisht ne në Shqipëri i shohim duke notuar mbi ujë.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/05/2019 - 07:36

Në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” Berat, prezantohet sot sistemi dixhital i audioguidave.

Postuar: 23/05/2019 - 07:35

“I humburi” titullohet filmi me skenar nga Tonin Çekliqi dhe regji nga Bruno Shllaku

Postuar: 23/05/2019 - 07:34

Artistët shprehen se ndryshimet në ligjin e artit janë të rëndësishme për të përmirësuar situatën

Postuar: 22/05/2019 - 07:30

Në kuadër të “Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim”, Qendr

Postuar: 22/05/2019 - 07:28

Vepra “Jul Qezar” nga Uilliam Shekspir është një tjetër produksion, që po përgatitet

Postuar: 22/05/2019 - 07:26

Filmi dokumentar “Koha e Pelikulës” kushtuar regjisores Xhanfise Keko do të shfaqet t

Postuar: 22/05/2019 - 07:25

Veprat që janë realizuar nga skulptorë të njohur janë shpërndarë në territorin e vendit, por janë