Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bujar Alimani: Ministria e Kulturës është shndërruar në një makinë kundër kulturës, Kumbaro të dorëhiqet

Postuar: 02/09/2018 - 08:03

Teatri në Shqipëri është pështyrë ndër gjithë këto vite nga politikanët. Kështu pohon regjisori Bujar Alimani, i cili iu bashkua protestës së artistëve që nga Amerika me qëndrimin e tij. Në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, regjisori Alimani shprehet se edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro gjënë më të thjeshtë që duhet të bënte në gjithë këtë krizë është të japë dorëheqjen. Sipas regjisorit kjo do ta nderonte, pasi Ministria e Kulturës është shndërruar në një makinë kundër kulturës. Në intervistën për “SOT” regjisori Alimani duke komentuar situatën pohon se me çfarë po ndodh nuk shikon asnjë brerje ndërgjegjeje, asnjë dorëheqje, asnjë reflektim. Regjisori Alimani tregon se ministrja e Kulturës nuk ka pasur asnjëherë dialog të pastër dhe të ndershëm, që të dëgjohen artistët. Ai kujton se artistët u ftuan në ministri, por ndodhi që ata u “vaksinuan” e u hodhën kundër njëri- tjetrit. Sipas regjisorit në këtë klimë nuk mund të flitet për dialog. Duke folur rreth situatës me institucionet në vend, regjisori Alimani shprehet se të gjitha qeveritë e kanë përbuzur artin, duke shtuar se dalëngadalë politika shqiptare nga një Kuvend me akademikë, artistë, intelektualë, pedagogë, etj, degradoi ndër vite në turma deputetësh të paarsimuar apo dhe tregtarë të pashpirt. Sipas regjisorit, artin duhet ta çmosh shumë që ta mbështesësh, por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh në Shqipëri.

-I jeni bashkuar qëndrimit të artistëve për Teatrin Kombëtar. Që nga Amerika edhe ju iu bashkuat protestës. Në gjykimin tuaj, çfarë ka sjellë kjo situatë?

Situata rreth Teatrit Kombëtar dhe për Teatrin Kombëtar në thelb ka sjellë vizionin më të qartë se çfarë është në të vërtetë forca politike, që në Shqipëri u trumbetua se po rilindte kombin dhe shtetin. Qeveria e të ashtu quajturve socialiste, po e ruante teatrin qe prej kohësh duke e piketuar një nga viktimat e rradhës. Zhbërja e institucioneve të tilla e lejonin kryeministrin të kryente dy punë, e para të lërë një gjurmë që s’mundi as si njeri as si artist, por as si politikan ta linte, pyllëzimin e Tiranës me kulla- një masiv betoni, i cili në jetë të jetëve do ishte shumë e vështirë ta shkatërrojë në të ardhmen, dhe e dyta aferat e majme financiare që vijnë si produkt i marrëveshjeve të pista me ndërtuesit që kërkojnë troje dëshiruese në qendër të kryeqytetit. Në Shqipëri flas me njerëz, në të gjitha bisedat ndihet kjo, që njerëzit e dinë të vërtetën, që ngrenë supet, që duket se frika dhe dëshpërimi i ka kapluar e mendimi fatal se ky vend nuk bëhet më. Ja çfarë më shtyu që ti bashkohem pa asnjë interes lëvizjes së artistëve e qytetarëve për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Nuk ka rëndësi mendoj se nga ç’pikë e globit je, e rëndësishme është të jesh aktiv me mënyrat e tua në mbrojtje të demokracisë, të vërtetës dhe fjalës së lirë.

-Pavarësisht se presidenti Ilir Meta e ktheu ligjin për teatrin nuk e dekretoi, mazhoranca është e vendosur ta rrëzojë dekretin. Si e komentoni këtë?

Mesa duket do kemi një vjeshtë të vështirë. Presidenti Meta ka mëkatet e tij si politikan ndërkaq vite i përzier me lloj-lloj makinacionesh. Në thelb kthimin e ligjit prej tij e shoh si një gjest prej të cilit presidenti nuk e di në qoftë se do ishte në një front me “socialistët” do e kthente. Pra është dhe këtu një përplasje politike dhe jo një gjest qytetar. Jo, nuk e besoj se presidenti kreu një gjest të ndershëm qytetar, i ndërgjegjësuar se çfarë po bën, thjesht ky gjest në luftën e sotme për mbrojtjen e teatrit solli pak më tepër kohë mbrojtësve të kauzës në drejtimin e ndërkombëtarizimit të çështjes. Nuk u besoj politikanëve në Shqipëri. Nuk i besoj asnjë politikani në Shqipëri. Le të dëgjohet si nihilizëm. Teatri në Shqipëri është pështyrë ndër gjithë këto vite pikërisht nga politikanët. Ndaj rikthimi në parlament i ligjit tregon pikërisht këtë, urrejtjen e madhe të politikës shqiptare karshi teatrit.

-Me përgjegjësi për ligjin e teatrit artistët i janë drejtuar dhe ministres së Kulturës për hartimin e tij, madje ata e quajnë jo kushtetues ai ligj. Për ju sa përgjegjësi ka ministrja?

Ministrja Kumbaro gjënë më të thjeshtë, që duhet të bënte në gjithë këtë krizë është të japë dorëheqjen. Kjo do ta nderonte. Në Japoni një tren vonohet 3 minuta dhe jep dorëheqjen ministri i Komunikacionit. A e mendoni ku jetojmë? Ministria e Kulturës është shndërruar në një makinë kundër kulturës. Asnjë brerje ndërgjegjeje, asnjë dorëheqje, asnjë reflektim, njerëzit përgjohen, provokohen, kërcënohen me vendin e punës. Frika, blerja, joshjet janë kryefjala e ditës. Shqiptarët po jetojnë diçka midis Rahjut te 3 dhe Perandorisë Otomane.

-Akuzat për mungesë transparence dhe dialogu me artistët vijojnë në drejtim të Ministrisë së Kulturës?

Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë një dialog të pastër e transparent mes dy palëve. Thjesht ministria ka kryer “qokën” e rradhës, sepse në thelb nuk ka pasur asnjë forcë të marrë vendime e të dëgjojë artistët. Vendimet i merr tjetër kush më sipër.

-Në muajin shkurt u kërkua dhe pezullimi i projektligjit të artit, sërish akuza për mungesë konsultimi me artistët...

Siç e thashë më sipër nuk ka pasur asnjëherë dialog të pastër. Dialog të ndershëm. Që të dëgjohen artistët. Imagjinoni çfarë ndodhi, artistët u ftuan, u injektuan, u “vaksinuan” e u hodhën kundër njëri- tjetrit. Në këtë klimë barbarizmi për çfarë dialogu mund të flasim. Por njëkohësisht kjo klimë konstatonte dhe një herë se qeveria ia ka frikën artistëve.

-Arti dhe kultura po përballen jo vetëm me probleme ligjore, por dhe buxhetet e pakta. Si ndikon kjo sipas jush për jetën artistike?

Të gjitha qeveritë e kanë përbuzur artin. Dalëngadalë politika shqiptare nga një Kuvend me akademikë, artistë, intelektualë, pedagogë, etj, degradoi ndër vite në turma deputetësh të paarsimuar, kriminelë, mafiozë, dhe tregtarë të pashpirt. Çlidhje mund të kenë këta njerëz me artin? Artin duhet ta çmosh shumë që ta mbështesësh.

-Kineastët në vend pohojnë që në mungesë të sallave të kinemasë për filmat përballen me shumë vështirësi që filmi të shkojë te publiku. Po ju si kineast, si e shikoni këtë problem?

Nuk ka distribucion në Shqipëri, sepse nuk ka një politikë për mbështetjen e filmit shqiptar. Nuk mjafton ta bësh filmin, por ky dihet që është fenomen evropian tashmë. Në Shqipëri, akoma më i madh. Ndoshta një rrjet i kinemave të bashkive do mund të bënte një ndryshim duke i dhënë hov shpërndarjes së filmit. Ja që shteti mund të kontribuojë në qofte se do të mbështesë kinematografinë.

-Jeni shprehur në 2014 se në Shqipëri flitet për industri filmi dhe kjo është sa qesharake po aq edhe trishtuese. Sot, çfarë ka ndryshuar?

Fjala “industri kinematografike” vazhdon të tingëllojë qesharake. Nëse mund të bëjmë fjalë për industri. Nuk mund të ketë industri filmi me një buxhet 1 milion euro për kinematografinë në vit. Vende si Franca dhe Gjermania me buxhete marramendëse dhe sërish nuk flasin për industri. Industri do të thotë prodhim që nga ideja deri te shitja e një produkti. Ne në këtë drejtim jemi gjysmakë, sepse i bëjmë me shumë vështirësi filmat dhe nuk zotërojmë pjesë të tjera të gjithë këtyre departamenteve, që bëjnë një fenomen industri.

-Në fushën e kinemasë me çfarë projekti po merreni këto kohë?

Jam duke u marrë me dy projekte paralel, njëri mbështetet në një roman të Fatos Kongolit dhe tjetri një projekt që ka filluar ndërkohë me financime në Gjermani, i cili bën fjalë për ngjarje shqiptare në Shqipërinë e Veriut në mesin e viteve ‘60. Dhe e fundit, e konsideroj të tmerrshme, që në tubimet te sheshi i Teatrit Kombëtar ka kaq pak, po kaq pak kineastë. Akoma më i tmerrshëm mendimi-ku ishit ju kur u shkatërrua Kinostudio. Po, e vërtetë shteti kreu krim me Kinostudion e ambientet e saj, e shumë njerëz, shumë qytetarë nuk ishin aty, por kjo nuk do të thotë se pas kaq vitesh ndriçimi të mendjes, duhet lejuar si “për inat” të të shkuarës të vazhdojë shkatërrimi. Një intelektual nuk mund të heshtë. Në 1990 në studentët, vramë frikën. Sot, gati 30 vjet me pas qeveria nguli sërish frikën. Kjo është e tmerrshme.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 3. Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 08:05

Këtë rradhë grupimi i piktorëve pleneristë nga Shqipëria ishin të ftuar nga disa komuna të jugut të Italisë për të pikturuar vende historike, të bukura dhe turistike.

Postuar: 25/09/2018 - 07:59

Opera “Carmen” zyrtarisht realizon aktin e parë të protokollit të bashkëpunimit të TO

Postuar: 25/09/2018 - 07:57

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit, cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit ka nisur

Postuar: 23/09/2018 - 08:05

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit nis mbrëmjen e sotme dhe është cilësuar si ngjarja më e rëndësi

Postuar: 23/09/2018 - 08:03

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjell premierën e re “Kumt&rdqu

Postuar: 23/09/2018 - 07:58

Krijimtaria në vend nuk mbështetet sa duhet për zhvillimin e saj, por problem mbetet dhe zbatimi

Postuar: 22/09/2018 - 08:24

Ekspertë nga “Europa Nostra”, organizata kryesore e trashëgimisë në Europë dhe Instit