BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

“Bukurshkrimi” nga Adrian Paci, vendoset në një hapësirë publike në Tiranë

“Bukurshkrimi” nga Adrian Paci, vendoset në një

“Bukurshkrimi” titullohet vepra e artit publik e artistit Adrian Paci, që u inaugurua tek sheshi mes Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave (mbrapa Katedrales Ortodokse. Në veprën e tij Adrian Paci shpesh trajton temën e kujtesës, të nostalgjisë dhe të ndarjes, përmes krijimit të një imazhi angazhues të formës vazhdimisht të ndryshueshme të jetës dhe të artit. Kjo vepër është e para ndër disa, pjesë e një projekti të “Harabel” që ka si qëllim vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me artin bashkëkohor dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane dhe artit. Në materialin që ka publikuar për këtë vepër, Platforma e Artit Bashkëkohor “Harabel” thuhet se “Bukurshkrimi” është një punë që është menduar për tu vendosur në një hapësirë publike në Tiranë. Dy ministri i qëndrojnë anash, përballë ka Katedralen Ortodokse, nga ana tjetër e Bulevardit qëndron Teatri Kombëtar. Ndërkohë, duket sikur marrëdhënien më intime puna e ka me një pemë, që qëndron në mes të këtij sheshi të vogël. Materiali vijon se vepra daton në vitin 2020, por vjen si dëshmi e një reflektimi mbi një eksperiencë të fëmijërisë. Një bankë shkolle, dy fletë bronzi të mbështetura mbi të. Mbi fletën e parë disa shënjime fëmije, të cilat ende nuk janë fjalë, por pikënisje e një artikulimi të ardhshëm. Mbi tjetrën lexohen të shkruara bukur disa fraza: “Tirana është kryeqyteti ynë”; “Në Tiranë jetojnë udhëheqësit tanë të dashur”; “Tirana po zbukurohet dita-ditës”. Në materialin e Platformës së Artit Bashkëkohor “Harabel” thuhet se viti i shkrimit është 1975, ndërkohë që vepra e artit vjen sot, si një gjurmë e reflektimit të mëvonshëm. “Vepra hulumton së pari marrëdhënien e pushtetit politik me gjuhën si mjet manipulimi, por vjen gjithashtu edhe si reflektim i vetë pushtetit të gjuhës, e cila është në thelb një bashkësi kodesh që marrin kuptim përmes përmbajtjes, që i zgjeron apo i ngushton mundësitë e ligjërimit”, shpjegohet për veprën “Bukurshkrimi” të artistit të njohur Adrian Paci. Dy fletët mbi bankë rrinë si dëshmi të dy momenteve të ndryshme në kohë; një para e një mbas. Shenjat e pakodifikuara të fletës së parë shoqërohen në fletën e dytë me momentin “mbas”, ku frazat e shkruara bukur mbartin të gjithë peshën e deformimit propagandistik të asaj që në fletën e parë na shfaqet si potencialitet fillestar. Fleta me gjuhën si territor i mundësisë dhe fleta me gjuhën si territor i propagandës mbështeten në një bankë shkolle për fëmijë. Në hapësirën mes njërës fletë e tjetrës, sfumaturat e mbivendosjet mund të jenë të shumta, ashtu si të shumta mund të jenë sfumaturat mes kësaj pune të vogël dhe qytetit përreth me shenjat dhe shprehjet, që artikulohen përditë mbi hapësirën e tij urbane.

Nga aktiviteti i artistit

Adrian Paci ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Në vitin 1997 ai është vendosur në Milano, ku jeton dhe punon. Gjatë karrierës së tij Adrian Paci ka pasur shumë ekspozita personale në institucione të ndryshme ndërkombëtare si: Musee d'Art Contemporain de Montreal (2014); Padiglione d’Arte Contemporanea- PAC, Milano (2014); Jeu de Paume, Paris (2013); Galeria Kombëtare e Kosovës (2012); Museum am Ostëall, Dortmund (2007); MoMA PS1, New York (2006), etj. Ndër ekspozitat e ndryshme kolektive, puna e Adrian Pacit është paraqitur edhe në edicionin e 14 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia (2014); në edicionin e 48 dhe 51 të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Venecia, përkatësisht në vitin 1999 dhe 2005; në Bienalen e 15 të Sidneit (2006); në edicionin e 15 Quadriennale Romë, ku ai fitoi çmimin e parë (2008); në Bienalen e Lyon (2009) dhe në edicionin 4 të Bienales së Selanikut për Artin Bashkëkohor (2013).