BREAKING NEWS

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë përditëson të dhënat: Ja sa persona janë konfirmuar pozitivë në 24 orët e fundit

Koronavirusi në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Butrinti, specialistët e trashëgimisë: Nuk duhen dhënë me koncesion monumentet, përdoruesit i intereson vetëm fitimi

Butrinti, specialistët e trashëgimisë: Nuk duhen dhënë

Monumentet e kulturës në vend nuk duhen dhënë me koncesion duke u shfrytëzuar, sepse përdoruesve iu intereson vetë fitimi. Kështu shprehen specialistët e trashëgimisë kulturore, të cilët nuk pajtohen me faktin e dhënies së parkut kombëtar të Butrintit me koncesion. Edhe pse nga Ministria e Kulturës muaj më parë bëhej me dije se Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit 2020-2030 është hartuar në kuadër të ligjit të ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, duke sjellë perspektiva të reja kjo gjë po kundërshtohet nga specialistë të ndryshëm. Në reagimin e tyre specialistë të njohur të trashëgimisë kulturore lidhur me parkun kombëtar të Butrintit, që gjatë kësaj kohe ka ngjallur reagime thonë se duhet ta mbajë shteti. Specialist i njohur i fushës së trashëgimisë kulturore në vendin tonë Ajet Nallbani thotë se monumentet e kulturës janë të popullit, duke mos qenë dakord me faktin e dhënies me koncesion të tyre. “Për mua nuk duhen dhënë me koncesion monumentet, sepse ato rrënohen duke u shfrytëzuar dhe duke mos bërë mirëmbajtjen e nevojshme. Përdoruesit i intereson vetëm fitimi. Provat janë dhënë me sektorët ekonomik që kanë dështuar. Duhet ta mbaj shteti me dorën e ngrohtë të specialistëve "fanatik" të trashëgimisë, jo me njerëz politik, hajdut që i shërbejnë eprorëve politik apo subjektit që e ka vënë. Monumentet janë të popullit”, shprehet specialisti i njohur Ajet Nallbani, në një reagim të tij lidhur me çfarë po ndodh këto kohë me parkun kombëtar të Butrintit, në vendin tonë. Parku i Butrintit pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci. Në ligjin e ri të miratuar njihet si “Fondacion”, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik. Në reagimin e tij specialisti i trashëgimisë kulturore Ajet Nallbani thotë se kur flitet për administrim, duhet të jenë në krye njerëzit e duhur. “Administrimi i mirë bëhet kollaj. Vendos njeriun adapt për atë punë. Sipas ligjit, që vetë nuk duan ta zbatojnë, paratë e fituara nga vizitorët duhet të shkojnë në mirëmbajtje dhe jo në buxhet apo ku dreqin venë”, vijon më tej Nallbani.

Institucionet dhe trashëgimia kulturore

Problemet në fushën e trashëgimisë kulturore janë përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe Ministrisë së Kulturës. Përballë problemeve që shfaqen herë pas here nuk kanë munguar dhe reagimet e specialistëve të fushës, të cilët kanë kërkuar më shumë vëmendje për monumentet e kulturës. Reagimeve në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në vend i bashkohet dhe dr. Latif Lazimi, arkitekt. Në reagimin e tij arkitekti Latif Lazimi thotë se për administrimin parkut kombëtar të Butrintit duhet të jenë institucionet shtetërore, që sipas tij i kanë kapacitetet e nevojshme për të bërë atë që duhet. “Për menaxhimin e parkut të Butrintit, që është tashmë pasuri botërore nën mbikëqyrjen e UNESCO-s, kërkohet në radhë të parë një trajtim shkencor në gërmimet arkeologjike, restaurimet dhe konservimin e tij. Për të garantuar këtë administrim të kësaj qendre më të rëndësishme arkeologjike shqiptare, institucionet kopetente shqiptare i kanë kapacitetet e nevojshme për të realizuar këtë mbarëvajtje. Duke pasur parasysh dhe të ardhurat nga vizitueshmëria e saj. Pra realizohet me kopetencë shkencore dhe të ardhurash monetare ky administrim më së miri nga mundësitë që ka Shqipëria, pa pasur nevojë për t’ia dhënë administrimin e saj fondacioneve të ndryshme, që nuk i kanë këto kopetenca”, thotë arkitekt Lazimi. Më parë edhe të tjerë specialistë të trashëgimisë kulturore janë shprehur se ministrat e Kulturës ende nuk po kuptojnë pasojat të veprimeve, që po bëjnë me trashëgiminë kulturore.