BREAKING NEWS

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit Kombëtar prodhoi një gënjeshtër të madhe

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit
x

Kultura

“Bylispolifonia” nuk zhvillohet këtë vit, Yzeir Llanaj: Ndër vite zero interes për folklorin nga institucionet

“Bylispolifonia” nuk zhvillohet këtë vit, Yzeir Llanaj:

Festivali ndërkombëtar “Bylispolifonia” nuk do të zhvillojë edicionin e dhjetë këtë vit. Festivali ishte menduar të zhvillohej në muajin qershor të këtij viti, por për shkak të situatës me koronavirusin organizatorët kanë vendosur, që ai të mos zhvillohet në 2020. Prej vitesh ky aktivitet zhvillohet në Bylis duke përcjellë vlerat e trashëgimisë, por këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj thotë se për shkak të gjendjes që po kalojmë “Bylispolifonia 2020” nuk mund të zhvillohet siç ishte parashikuar më parë. Në reagimin e tij, Llanaj vijon se për festivalin që zhvillohet një herë në dy vjet bëhet një punë përgatitore madhe, por këtë vit nuk u krijua mundësia për organizimin e tij. “Festivali këtë vit ishte i padiskutueshëm që do të bëhej, por meqë ndodhi fatkeqësia me pandeminë nga koronavirusi që ka përfshirë botën dhe vendin tonë, nuk do të zhvillohet edicioni i dhjetë i “Bylipolifonia ”, që ishte menduar në muajin qershor në Bylis. Nuk bëhet sepse janë dhe grupet e huaja që duhet të vijnë, por ata nuk munden dot për shkak të kësaj fatkeqësie. Ne kishim dilema deri tani nëse do të hapeshin apo jo kufijtë, por e kemi të pamundur që ta zhvillojmë festivalin”, tregon Yzeir Llanaj, president i festivalit “Bylispolifonia”. Festivali ndërkombëtar ka vite që zhvillohet, duke mbledhur grupet folklorike jo vetëm nga Shqipëria por dhe nga vende të tjera. Festivali zhvillohet nga shoqata “Polifonia shqiptare” me ndihmën e bashkisë së Ballshit. Këngëtari i polifonisë Yzeir Llanaj thotë se gjatë zhvillimit të tij nuk mungonin dhe simpoziumet shkencore. “Një festival që sillte në skenë grupet folklorike shqiptare dhe të huaja, por nuk mungonin veprimtaritë e tjera si simpoziumet shkencore. Këtë vit festivali do të kishte grupe nga Italia, Maqedonia, Bullgaria, Greqia, edhe nga Franca kisha një komunikim, por u ndërpreva për arsye të pandemisë. Unë kam shpresë që festivali vitin që vjen të vazhdojë vrullin e tij tradicional, ku çdo dy vjet bëhet në Bylis”, shton më tej këngëtari Llanaj.

Pa interes për kulturën popullore

Por edhe pse festivali këtë vit nuk do të zhvillojë edicionin e tij të dhjetë, sipas këngëtarit Yzeir Llanaj prej vitesh vazhdon të mungojë interesimi për vlerat e kulturës sonë popullore. Në reagimin e tij Yzeir Llanaj shprehet se festivali nuk ka pasur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës ndër vite. “Festivali është mbështetur vetëm një edicion në fillim nga Ministria e Kulturës e asaj kohe më pas jo. Festivali ndërkombëtar i polifonisë nuk është në konsideratë nga Ministria e Kulturës dhe nuk është trajtuar. Në kaq vite Ministria e Kulturës as nuk ka marrë pjesë në këtë aktivitet, që vijnë grupet nga vendit dhe bota. Unë shpreh keqardhjen. Nuk duan ata që ne të themi polifonia shqiptare si Ramadan Sokoli, por duan të thonë isopolifonia”, thotë ai. Për këngëtarin e polifonisë Yzeir Llanaj, ka qenë zero interesim ndër vite nga institucionet për vlerat e kulturës sonë popullore. Ai shprehet se folklori është lënë pas dore nga institucionet në vend. “Përkrahja e folklorit nga shteti në Shqipëri është zero. Kostumet kombëtare që kanë bartësit i mbajnë në familjet e tyre, duke i restauruar vetë, duke i mbajtur në valixhet e tyre kudo që shkojnë dhe kontribuojnë. Nga kostumografia shteti nuk ka asnjë lloj interesimi, është zero. Kur them shteti me përgjegjësi të gjitha qeveritë ndër vite. Nuk ka vatra kulture, nuk ka komuna që të merren, bashkitë nuk interesohen dhe mbajnë vetëm një grup të vogël. Folklori ynë është një kulturë e madhe, institucionet e kanë lënë pas dore, zero vlerësimi për folklorin”, shprehet Yzeir Llanaj. Festivali “Bylispolifonia” sipas organizatorëve të tij është një promovim i vlerave të trashëgimisë sonë dhe në çdo edicion të tij ka sjellë një program të pasur folklorik.