BREAKING NEWS

Tërmet i fuqishëm 4.9 ballë në detin Jon, ja deri ku u ndjenë lëkundjet

x

Kultura

Cirku Kombëtar nga arena, në zona të ndryshme pranë fëmijëve

Cirku Kombëtar me aktivitetin e tij është dhe pranë fëmijëve larg arenës. Artistët e Cirkut Kombëtar ishin në Ndroq pran fëmijëve, për ti larguar ata nga situata e vështirë që po kalojmë pas tërmetit. Edhe artistët e Cirkut Kombëtar ashtu si të tjerë institucione është gjatë këtyre ditëve pranë fëmijëve, duke dhuruar për ata momente të gëzueshme. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se artistët me aktivitetin e tyre i kujtojnë fëmijëve se ka shpresë për tu gëzuar. “Cirku Kombëtar ishte gjatë ditës së djeshme në Ndroq, duke larguar fëmijët sado pak nga situata e vështirë që po kalojmë dhe duke i kujtuar që në këtë pjesë të vitit ka ende shumë arsye për t'u gëzuar! Bashkë do ia dalim”, shprehet ministrja e Kulturës. Gjatë këtyre ditëve artistët e Cirkut Kombëtar kanë qenë dhe në Shkozë, në qendrën “Gonxhe Bojaxhi”, në qendrën sociale “Betim Muço, në qytetin e Shijakut, në zona të ndryshme në Tiranë, etj. Misioni i Cirkut Kombëtar është ruajtja dhe lartësimi i vlerave të veçanta artistike-kulturore të artit të cirkut në vendin tonë, duke u mbështetur në traditat më të mira kombëtare e botërore, për të shërbyer në edukimin, çlodhjen dhe argëtimin e të gjithë brezave. Vizioni për të ardhmen e Cirkut Kombëtar është shtrirja e aktivitetit të tij anembanë Shqipërisë, në të gjitha shtresat e grupmoshat, nëpërmjet bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës dhe ministritë e tjera për të zbavitur, argëtuar, çlodhur dhe edukuar shikuesit. Arti i cirkut në vendin tonë është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë duartrokitur dhe brohoritur fuqishëm nga shikuesit e shumtë. Në këtë rrugë të gjatë të rritjes, me vështirësi dhe suksese, artistët dhe drejtuesit e cirkut, këta njerëz që patën kurajon të kultivonin këtë gjini specifike, bënë të mundur që vendi ynë i vogël të kishte një vlerë të veçantë kombëtare artistike e kulturore. Duhet theksuar se në shtetet përqark nesh ky art është fare pak i zhvilluar. Duke filluar nga viti 2012, cirku ynë është njohur si Cirk Kombëtar.