BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë të re doktoresha e njohur (Emri)

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë
x

Kultura

“Darka mistike”, ikonë që shquhet për një kompozim të veçantë

“Darka mistike”, ikonë që shquhet për një

Ikona “Darka mistike” ose “Darka e fundit” është vepër e fundit të shekullit XVIII (i atribuohet Eftimi e Terpo Zografit). Vepra është marrë nga ikonostasi i Kishës “Lindja e Shën Mërisë” në fshatin Vokopolë të Beratit. Në një material që ka publikuar Qendra Muzeore Berat thuhet se është një ndër ikonat e programit ikonografik të “Festave të mëdha” në liturgjinë kristiane. “Teknika e përdorur është temperë mbi pano druri. Ikona shquhet për kompozimin e saj të veçantë. Krishti në qendër, rrethohet nga 12 apostujt të kompozuar në formë rrethi. Në të majtë të Jezuit dhe në plan të parë Joani dhe Juda pa aureolën e shenjtorëve thyejnë simetrinë e kompozimit në formë rrethi. Tavolina është e rrumbullakët tipike e stilit oriental. Edhe orenditë që plotësojnë skenën, janë po ashtu objekte të kulturës orientale. Ibriku për shembull ka pasur përdorim te gjerë në territorin ballkanas përgjatë dominimit otoman. Ky stil harmonizohet bukur me subjektin e krishterë të “Darkës së fundit”. E gjithë skena përfshihet brenda arkitekturës trenefëshe të kishës. Emërtimi i ikonës është në greqisht”, bëhet me dije në materialin, që ka publikuar Qendra Muzeore Berat. Kjo vepër është ekspozuar në Munih të Gjermanisë më 2001 dhe në Ankona e Vicenza të Italisë më 2002. Ikona “Darka mistike” ose “Darka e fundit”është pjesë e koleksionit të ekspozuar në muzeun e ikonografisë "Onufri". Muzeu kombëtar “Onufri” në Berat është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kala, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit. Katedralja është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit. Ikonat janë punuar nga piktorë e ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV - XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët ( Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonim.