BREAKING NEWS

‘S’do lemë gur pa luajtur’, kryeministri Rama niset drejt SHBA dhe jep lajmin e madh për qytetarët

‘S’do lemë gur pa luajtur’, kryeministri Rama niset drejt
x

Kultura

Dhjetë filma të animuar nga fondi i AQSHF shfaqen në Paris, prodhime gjatë viteve ’80-’90-të

Dhjetë filma të animuar nga fondi i AQSHF shfaqen në Paris,

Dhjetë filma të animuar shqiptarë u prezantuan në Francë. Filmat pjesë e fondit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit u shfaqën në Paris, në një program të kuruar nga Louise Burkart,   programuese dhe restauruese e pavarur në Deutsches Filminstitut & Filmmuseum. Në këtë program nga filmat në AQSHF ishte një përzgjedhje e prodhimit të viteve '80 dhe '90. Filmat e animuar shqiptarë, që u shfaqën ishin realizime nga autorë të njohur, si Artan Maku, Gëzim Qendro, Stefan Taçi, Artur Dauti, Boris Ikonomi, Shaqir Veseli, Albert Malltezi, Rikarda Nova dhe Ergys Faja. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit më herët lajmëronte se në këtë program, disa prodhime të filmit të animuar shqiptar u shfaqën për herë të parë jashtë vendit. “Miq që jetoni në Paris, mos mungoni në kinemanë Forum des images në qendër të qytetit në Chatelet - Les Halles, në datë 22 tetor, 18:30”, njoftonte arkivi i filmit. Në këtë program të animacionit shqiptar prodhime të Kinostudios në vitet 1980-’90 përmendim tituj filmash, si “Gjërat që nuk ndryshojnë”, “Sizifiane”, “Kompozim” nga regjisori i animacionit Stefan Taçi, “Kënga e fundit” e autorit Artan Maku, “Guernica” nga Shaqir Veseli, “Ëndrrat nuk vdesin” nga Robert Qafzezi, “Zëri i Gjakut” realizim nga Artur Dauti e Boris Ikonomi, “Parrulla” nga Gëzim Qendro, etj. Në një reagim të tij regjisori i filmit të animuar Stefan Taçi shprehet se ky program me prezantimin e filmave të animuar, ku u shfaqën prodhimet shqiptare të realizuar vite më parë merr një rëndësi të veçantë dhe përzgjedhja e titujve është bërë nga kuratorja Louise Burkart. “Po kjo panoramë mos gaboj është shfaqur edhe në Vjenë dhe është një përzgjedhje e kuratores gjermane Louise Burkart, pra nuk është zgjedhje e arkivit. Natyrisht mund të ishin edhe filma e autorë të tjerë, por këto zgjodhi ajo”, thotë regjisori i filmit të animuar piktori Stefan Taçi, në një reagim të tij për këtë program filmash në Paris.

Vështirësia e animacionit

Dhjetë filma të animuar shqiptarë prodhime të Kinostudios dekada më parë në vendin tonë u prezantuan në Paris, por për autorin e animacionit Stefan Taçi në Shqipëri ka shumë vështirësi për këto realizime. Sipas tij, në vendin tonë në ekranet e televizioneve mungon filmi i animuar shqiptar. “Për ne ka rëndësi që shfaqen filmat, sidomos kur bëhet fjalë për kryeqytete të Evropës si Vjenë, Paris, e uroj të ndodhi edhe në vende të tjera, sepse këtu televizionet tona i kanë dënuar me vdekje. Vend tjetër për tu shfaqur nuk ka”, thotë regjisori i animacionit shqiptar Stefan Taçi. Në historinë e kinematografisë shqiptare, viti 1975 shënoi një sukses të ri, u prodhua i pari film multiplikativ shqiptar (teknika e kartonave) “Zana dhe Miri” nga piktori Vlash Droboniku i cili mbasi kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, bëri një specializim të shkurtër në studion “Animafilm”në Bukuresht (Rumani). Kritiku i kinemasë Abaz Hoxha, shkruan se filmi multiplikativ ishte një domosdoshmëri e kohës për të mbushur një boshllëk të ndjeshëm për filmat për fëmijë, ndonëse tematika që trajtuan ata nuk ishte vetëm për botën fëminore. Filmi multiplikativ mori një zhvillim të shpejtë, një vit më vonë në 1976 u prodhuan 4 filma. Ekipi krijues u zgjerua ndonëse baza teknike ishte ende e dobët mbasi u përdorën aparatura të vjetra, të cilat u adaptuan për këtë qëllim. Viti 1977 një hap cilësor, nga kartoni i animuar realizohet filmi i parë me vizatime “Zhgarravinat” me regjisor piktor Bujar Kapexhiun. Një kontribut të rëndësishëm në xhirimin e filmave për fëmijë dhanë kinooperatorët Tomi Vaso, Diana Diamanti, Jovan Kondakçi, Beqir Vaqari,Vangjush Valla, Sonja Mamaqi, etj.