BREAKING NEWS

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia e spitalit 'Shefqet Ndroqi' në Tiranë, policia jep detajet e para

Ngjarje e rëndë/ Një tjetër pacient hidhet nga lartësia
x

Kultura

Dita Botërore e Baletit dhe kryevepra botërore “Zhizel”

Dita Botërore e Baletit dhe kryevepra botërore “Zhizel”

Vepra e baletit “Zhizel” u mirëprit nga publiku kur erdhi më parë në skenë, në programin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Një vepër, që theu rekordet e shitjes së biletave dhe që drejtoresha Zana Çela me një video nga kjo shfaqje dje uroi Ditën Botërore të Baletit. Drejtoresha e TOB në një status të saj në Facebook shprehej se “Zhizel” është një kryevepër botërore. “Të dashur miq, me këtë video dua të uroj sot Ditën Botërore të Baletit. Zgjodha baletin “Zhizel” kryeveprën botërore të baletit klasik, riprodhimin e plotë në kostume dhe skenografi të TKOB, me koreografinë origjinale të maestros Agron Aliaj, shfaqja e cila një vit më parë theu rekordet e shitjes së biletave dhe shikueshmërisë, në një shfaqje baleti në 5-së vitet e fundit. Me shpresën që shumë shpejtë do të shihemi në skenën e re të TKOB, me produksione madhore. Gëzuar Ditën Botërore të Baletit”, shkruan Çela. Vepra “Zhizel” i përket fondit të artë të baleteve botërore, por Teatri i Operës dhe Baletit e solli vjet në skenë te “ArTurbina” për 86- vjetorin e lindjes së koreografit, “Mjeshtrit të Madh” Agron Aliaj. Balet me dy akte nga Adolphe Adam, libreti është shkruar nga Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges e Theophile Gautier. Koreografia nga origjinali Jean Corallie dhe Jules Perrot. Baleti është vënë për herë të parë në botë në operën e Parisit më 28 qershor 1841. Por “Zhizel” është vënë në skenën shqiptare për herë të parë nga koreografi i njohur Agron Aliaj, në dhjetor të vitit 1988. Libreti i baletit “Zhizel” është ndërtuar mbi motivet e një legjende të lashtë gjermane mbi vilisat, të fejuara që vdesin pa arritur të martohen. Filozofia e baletit “Zhizel” është dashuria. Një vajzë e re 15 vjeçe dashuron për herë të parë, por ajo zhgënjehet, sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Edhe në botën e përtejme ajo vazhdon ta dashurojë pavarësisht se ai e gënjeu. Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij. Baleti “Zhizel”, i cili është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1988 kishte në rolet kryesore Mukadez Erebara, Albana Suljemani, Ludmill Cakalli, Ilir Kerni, Pëllumb Agalliu, Leonard Xhokaxhi etj. Rivënia e dytë e tij ishte në vitin 1998 po me koreograf Agron Aliaj, skenografia Shaban Hysa dhe në rolet kryesore ishin Enada Hoxha, Gerd Vaso, Eno Birko, Ambeta Toromani, etj.