BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Kultura

Dita e Librit, Autorët: Institucionet në apatinë e gjithhershme, kritikët dhe studiuesit duhet ta thonë më shumë fjalën e tyre shkencore

Dita e Librit, Autorët: Institucionet në apatinë e gjithhershme,

Dita Botërore e Librit, 23 prill, për autorë dhe studiues rikthen vëmendjen te problemet, që prej vitesh shoqërojnë librin dhe krijimtarinë letrare në vendin tonë. Në reagimet e tyre ata shprehen se edhe pse herë pas here i janë drejtuar institucioneve shumë pak bëhet për librin dhe autorët. Shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati, si dhe botuesi e publicisti Frano Kulli thotë se për librin shqip duhet bërë shumë më tepër. Botues dhe autor Frano Kulli shprehet se Dita Botërore e Librit, më së paku për njerëzit që merren me librin, me shkrimin dhe me editimin e tij është një ditë homazh, një ditë respekti në radhë të parë për vetveten. “Secili njeri, në profesionin që bën ia ka për borxh vetvetes respektin për zgjedhjen që ushtron. Në këtë kuptim, si njëri prej njerëzve që merret me librin, me shkrimin po edhe me editimin e çmoj si një ditë të shënuar. Dyfish të shënuar”, thotë ai. Sot shënohet Dita Botërore e Librit, dhe sipas botuesit e publicistit Frano Kulli duhet të shërbejë dhe për institucionet tona në vend për detyrën, që kanë me punën e librit. “23 prilli e shënuar si Dita Botërore e Librit, që nga viti 1995 nga UNESCO, do të ishte një detyrim më shumë për strukturat publike që e kanë për detyrë funksionale punën me librin, si njëri prej mjeteve më jetëgjatë që ka shpërndarë historikisht dijet për njerëzimin. Entet tona, sidomos ato shtetërore, edhe sivjet janë krejtësisht debitore në këtë aspekt. Gjithçka, si duket shkon në kahjen e apatisë së gjithhershme, që ato kanë manifestuar në funksionimin e tyre”, pohon mes të tjerave autori Frano Kulli.

Mungesa e librit në rrethe

Studiuesi Xhahid Bushati për Ditën Botërore të Librit që shënohet sot, shprehet se nga libri shqip duhet kthyer vëmendja, sepse ka të bëjë me letërsinë shqipe, me jetën, substancën, psikologjinë, botën dhe ekzistencën tonë. “Në raport me letërsinë e huaj që, sigurisht ka vendin e vet, libri artistik me autorë shqiptarë duhet të ketë përparësi e të botohet me plot vlera, me dizajn estetikisht bukur e pa gabime gjuhësore. Gjeografia e librit shqiptar duhet të jetë më e gjerë dhe më njohur, veçanërisht me botimet e Kosovës, ku urat e komunikimit mendoj që ende janë të zbehta. Duhet të ndjehet prania e librave më shumë në rrethe. Qarkulli libror lë për të dëshiruar. Duhet bibliotekat të pasurohen edhe me librin shqip”, shprehet shkrimtari dhe studiuesi Bushati në një reagim të tij për Ditën e Librit. Më tej autori Xhahid Bushati thotë se në faqet e shtypit duhet të zërë më shumë vend njohja dhe evidentimi i vlerave të librave të sapodalë në qarkullim, dhe të mos mbeten në kuadrin e informacionit apo të një recenze lavdëruese. Bushati thotë se duhet të ketë më shumë diskutime, ku të shpalosen problematikat e librit shqip dhe të rrugëtimit të tij. “Të mos mbeten shumë në dorën e autorëve-krijues, por kritikët dhe studiuesit duhet ta thonë më shumë fjalën e tyre shkencore”, thotë ai. Një problem për autorin Xhahid Bushati janë dhe çmimet e librave. Sipas tij, ka raste që kur i njëjti libër vjen me çmim më të lartë. “Mbase duhen rishikuar edhe çmimet e librave. Sepse ndodh, siç ka ndodhur, ka shtëpi botuese që brenda vitet a pak më tej, i njëjti libër në ribotimin e tij, vjen me një çmim më të rritur nga i mëparshmi”, thotë shkrimtari Xhahid Bushati. 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor të 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj