BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Dita e Librit, shkrimtarët: Librin për fëmijë e gjen më shumë në rrugët e Tiranës sesa në librari, ka vetëm zhurmë dhe aspak mbështetje

Dita e Librit, shkrimtarët: Librin për fëmijë e gjen më

Librin për fëmijë e gjejmë më shumë në rrugë që shitet se sa në librari. Ky është një nga problemet, që bëhet me dije nga autorë të ndryshëm për librin. Të premten në Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë autorët edhe pse e cilësuan si një festë, sollën në vëmendje dhe disa nga problemet. Në reagimet e tyre autorë të njohur vlerësuan punën që bëjnë shkrimtarët, dhe u shprehën se edhe pse flitet për fonde dhe projekte duhet bërë më shumë nga institucionet, ku problem është dhe shpërndarja e librit. Shkrimtari Vasil Premçi thotë se me të gjitha qeveritë libri për fëmijë nuk është përkrahur sa duhet. Sipas tij edhe ato aktivitete, që janë zhvilluar më shumë kanë zhurmën se sa ndihmën konkrete për librin. “Unë vetë i shikoj me sy kritik disa aktivitete, sepse më shumë bëhen për zhurmë se sa për librin. Në të gjitha qeveritë, libri nuk është përkrahur. Librat i mbajnë vetëm iniciativat dhe pasioni i shkrimtarëve për të botuar. Shteti nuk e përkrah librin, pasi ai duhet të jetë konkret tek botimi, promovimi dhe mbështetja financiare, tek libraritë, tek shkollat, të gjithë këto kontrollohen nga një rubinet që quhet shtet, dhe një klan i caktuar kryesisht qeveritarët”, shprehet Vasil Premçi. Një problem, që vënë në dukje autorët është dhe që format për të promovuar librin duhet të ishin shumë më të larmishme. Në reagimin e tij shkrimtari Premçi thotë se edhe shtëpitë botuese nuk janë afër librit për fëmijë. Ai thotë se edhe pse shkruajnë shkrimtarët, nuk botohen librat për fëmijë. “Nuk kanë interes as shtëpitë botuese. Nuk paraqet interes letërsia për fëmijë në shtëpitë botuese, sepse është një frut që nuk ka fitim. Librin për fëmijë nuk e gjen më shumë në librari, por e gjen që shitet dhe në rrugët e Tiranës, e gjen në tokë dhe atje mund ta blesh”, pohon shkrimtari.

Qëndrimi kundër librit

Me kritika në reagimin e tij shkrimtari Vasil Premçi shprehet dhe ndaj Ministrisë së Kulturës, e cila dhe dje vijoi me urimin për Ditën Ndërkombëtare të Librit. Por sipas autorit Vasil Premçi shkrimtarët nuk kanë më shpresa te ajo. “Nëse flasim për politikat e Ministrinë e Kulturës nuk e quajmë më ministrinë për librin dhe kulturën, dhe nuk e kemi më shpresë tek ajo. Të gjithë ministrat që vihen pa dallim orientimi politik mbajnë një qëndrim kundër librit”, pohon shkrimtari. Një problem sipas Premçit sot është dhe çmimi për librat, që janë të shtrenjta dhe ka raste që nuk përballohen dot, por sipas tij problem janë dhe bibliotekat që janë të pakta në vendin tonë. “Me një rrogë 30 mijë lekë të reja nuk i shkon mendja një punëtori të thjeshtë, që ti blejë librin fëmijës. Çmimet janë të tilla dhe rrogat dihen. Por kemi dhe bibliotekat që janë të pakta dhe nuk funksionojnë si duhet, duke filluar që nga ajo kombëtare”, pohon shkrimtari. Për autorin Pandeli Koçi duhet më shumë organizim në vendin tonë për librin. Sipas tij, krahas lodrave fëmijëve iu jepet dhe libri, që është ai që do ta shoqërojë tërë jetën dhe ndaj është krijuar dhe letërsia për fëmijë dhe janë shkrimtarët. “Prindërit kanë hequr dhe nga goja e tyre për ti blerë librat fëmijëve të tyre. Shkrimtarët në të gjithë botën janë njerëz të nderuar. Tek ne ka problem, që krahas librave që bëhen të ilustruar edhe çmimi duhet të ulet, sepse të kenë mundësi ta blejnë dhe ata prindër që kanë pak të ardhura. E dyta, libri mundësisht të shkojë në të gjithë cepat e Shqipërisë dhe tek fshati më i largët. Kjo do organizim sepse libri nuk shkon atje, dhe duhet të jetë në vëmendje nga institucionet arsimore dhe kulturore të vend”, pohon ai. Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë është një festë, që organizohet çdo vit më 2 prill. Për herë të parë u zhvillua në vitin 1967. Festohet ne këtë datë pasi është ditëlindja e shkrimtarit të shquar danez për fëmijë Hans Kristian Andersen.