Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dita e Muzeve, specialistët kërkojnë shndërrimin e Piramidës në muze kombëtar për arkeologjinë

Postuar: 19/05/2017 - 07:48

Dita Ndërkombëtare e Muzeve për specialistë të ndryshëm çdo vit sjell në vëmendje mjerimin që kanë sot muzetë në vend. Jo vetëm për kushtet që mungojnë për objektet, por dhe për mungesën e  profesionistëve. Muze të ndryshëm në vend, prej vitesh kanë mungesë investimesh, por dhe probleme të tjera me kuadrot shkencorë. Sipas specialistëve, në Shqipëri mungon strategjia e aplikimit të teknologjisë së konservimit. Por veç problemeve që kanë të bëjnë me gjendjen që kanë sot muzetë, për drejtorin e Institutit të Arkeologjisë në Muzeun e Arkeologjisë  në Tiranë, Luan Përzhita, duhet të fillojë menjëherë ndërhyrja. Sipas tij, duhet të investohet për ndriçimin, sistemin e survejimit, etj. “Muzeu i Arkeologjisë është në gjendje që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Punimet duhet të konsistojnë në përmirësimin e ndriçimit, sistemin e survejimit, riparimin e tavanit dhe dyshemesë si dhe në ndryshimin e stendave dhe vitrinave. Kjo ndërhyrje duhet të fillojë menjëherë. Ajo që më shqetëson më shumë është ngritja e një laboratori si dhe financim muzeut”, pohon drejtori i IA. Sipas Përzhitës, shumë objekte arkeologjike rrinë në magazina dhe nuk kanë ku të ekspozohen. Ndaj në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, ai bën thirrje që Piramida të ketë vëmendje nga qeveria për t’u kthyer në një muze kombëtar të arkeologjisë. “Ne disponojmë shumë objekte arkeologjike dhe rrinë e presin në magazina që të ekspozohen. Në kushtet sot do të ishte më e mira ngritja e një muzeu arkeologjik kombëtar te Piramida. Një muze siç ka në vende të BE. Piramida që sot është e boshatisur dhe është kthyer në një pikë, e cila ka problematikat e saj, mbase është mirë ta kthejnë në një muze nacional të arkeologjisë kombëtare. Është një pozicion në qendër të Tiranës dhe shumë e përshtatshme për ti dhënë vlerat e një muzeu kombëtar arkeologjik ”, vijon më tej arkeologu Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë.

Mungesë kuadrosh shkencorë

Restauratori Frederik Stamati pohon se problemi më shqetësues në muzetë e vendit është mungesa e teknologjisë së konservimit. “Muzeumet më të mirë ne kemi atë të Bankës dhe “Marubin”. Muzeumet e tjerë, një pjesë janë përtokë, disa janë diçka më mirë, por mungon   plotësisht teknologjia e konservimit. Jo vetëm që muzeumet janë jashtë kontrollit të klimës, por edhe në MHK, ku kjo ishte e instaluar, u dëmtua ose u nxor jashtë përdorimit. Mungon plotësisht në Shqipëri strategjia e aplikimit të teknologjisë se konservimit dhe as që kuptohet. Mungojnë kuadrot shkencore në këtë punë, mungojnë studimet konservuese të specifikuara për veçantitë e objekteve tona, etj. Nuk kemi përgatitje universitare të kuadrove, që duhet të punojnë në konservim (nënkupto dhe restaurim) dhe as që ekziston ideja se si duhet organizuar kjo strategji dhe punë, përderisa kjo punë ka rënë, apo ka mbetur në duar të atyre që nuk janë specialistë të kësaj fushe dhe as që do të munden ta kuptojnë ndonjëherë”, pohon restauratori Stamati. Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka degë të veçantë për konservimin dhe restaurimin e objekteve muzeale. “Në Shqipëri bëhen kurse dhe quhet sikur janë përgatitur. Por duhet shteti të krijojë degë të veçantë për restaurimin dhe konservimin, jemi i vetmi vend në Evropë që nuk kemi”, shton më tej Stamati. Në reagimin e tij, restauratori sjell në vëmendje muzetë etnografikë, që sipas tij janë konceptuar gabim. “Në muzetë etnografikë në Shqipëri prishen materialet, sepse janë konceptuar si muze në natyre dhe jo muze të ruajë objektet. Kavaja, Kruja, Berati, Vlora kushtet si kanë dhe janë ekspozuar në mënyrë të gabuar”, pohon specialisti Frederik Stamati. Në lidhje me muzetë në kushtet ku ndodhen aktualisht objektet sipas tij qeramika nuk paraqet ndonjë urgjence, por tekstilet, lëkura, objektet metalike të arkeologjisë, instrumentet muzikore janë nga më të rrezikuarit. 

Nga Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 3

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/05/2017 - 08:03

Komedia “Romancë në vitin 2025” shkruar dhe vënë në skenë nga Erand Sojli mbrëmë u shfaq për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Postuar: 23/05/2017 - 08:01

Festivali “Flauti Magjik” starton sonte në mbrëmje në skenën e Universitetit të Arteve edicionin e tij të pestë.

Postuar: 23/05/2017 - 07:58

Teatri Kombëtar ka publikuar listën e veprave të selektuara për “Netët e leximit të dramës shqipe 3”.

Postuar: 23/05/2017 - 07:56

Botues dhe autorë të ndryshëm pohojnë se libri është në ditët e tij më të vështira.

Postuar: 21/05/2017 - 08:03

Kantautori Gjergj Leka pohon se në art nuk ka më krijimtari autentike shqiptare.

Postuar: 21/05/2017 - 08:01

Sipas raportit më të fundit të UNESCO-s (publikuar në datën 19 maj 2017) për të cilin Forumi për Mbrojtjen e Gjirokastrës ishte informuar më parë, përmes përgjigjes bëhet e ditu

Postuar: 21/05/2017 - 08:00

 “Watercolor Rhapsody” titullohet ekspozita, që është çelur për publikun në Galerinë FAB.