Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Dita e Muzeve, veshjet popullore manifestim i fuqishëm i kulturës tradicionale

Dita e Muzeve, veshjet popullore manifestim i fuqishëm i kulturës

Në kuadër “Ditës Ndërkombëtare të Muzeve”, Muzeu Historik Kombëtar prezantoi një video promovuese, duke u përpjekur të sjelli disa prej objekteve të konsideruara si produkte lokale, prodhime të zejtarisë ilire, të cilat karakterizohen nga larmia, si dhe cilësia e lartë e punimeve, me origjinë nga qytete të ndryshme ilire. MHK shprehet se elementi vendas vihet re mirë jo vetëm tek stolitë, por dhe tek veglat e punës. “Veshjet popullore, janë pa dyshim një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës tradicionale. Ato janë trashëguese dhe transmetuese të shumë elementeve, që vijnë nga lashtësia e nga mesjeta. Ato janë njëkohësisht edhe shprehje e marrëdhënieve kulturore me popujt e tjerë gjatë shekujve. Elementi vendas vihet re shumë mirë edhe tek stolitë, krahas veglave të punës dhe armëve. Gërmimet arkeologjike në të gjithë Shqipërinë, kanë dëshmuar për praninë e një kulture arbërore që u zhvillua mbi bazën e një kulture më të vjetër vendase”, shkruan Muzeu Historik Kombëtar. Më herët MHK shprehej se Shqipëria vitet e fundit ka pasur vizitorë në rritje nga pothuajse të gjitha vendet e botës. “Si rrjedhojë e rritjes së turistëve në vendin tonë edhe Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i kujtesës historike kombëtare, ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj”, nënvizon institucioni, që gjatë kësaj kohe ka vijuar duke prezantuar objektet që janë në pavijonet e tij. Muzeu Historik Kombëtar thotë se përveç vizitave të turistëve të shumtë, punon me të gjitha shtresat dhe gjeneratat e njerëzve për t'i afruar ato në muze. “Ne organizojmë aktivitete dhe vizita në muze për fëmijët, të rinjtë, studentët, njerëzit e moshës së tretë, njerëzit me aftësi të kufizuara, si dhe duke promovuar diversitetin kulturor në Shqipëri. Specialistët tanë të muzeologjisë rrëfejnë historinë e vendit tonë përmes objekteve dhe pavijoneve të muzeut dhe e bëjnë rrëfimin e tyre e tërheqës dhe të përshtatshëm për të gjitha grupmoshat e vizitorëve tanë”, bën me dije institucioni. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.