BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

Dita e Shekspirit në Teatrin Kombëtar, me disa nga veprat më të bukura të dramaturgut të madh anglez

Dita e Shekspirit në Teatrin Kombëtar, me disa nga veprat më

Shekspiri në Teatrin Kombëtar u kujtua me kryeveprat e tij ndër vite në skenën tonë. Teatri Kombëtar të premten e cilësoi dita e Shekspirit dhe solli në vëmendje disa nga shfaqjet më të njohura, që kanë qenë në skenë. Teatri publikoi fotografi, fletëpalosje, skica kostumesh e artikuj gazetash të kohës, në ciklin “Shekspiri në Teatrin Kombëtar”. Në ditën e Uilliam Shekspir, TK kujtoi shfaqjen “Otello”, premierë më 21 mars të 1953. Një vepër e përkthyer nga Fan Noli dhe vënë në skenë nga K. A. Ivanoviç. “Regjisorë: L. Kriço, Besim Levonja, Andon Pano. Skenografia Rrok Dabërdaku, muzika Mustafa Kratja. Interpretojnë: Xhevat Serezi, Andon Pano, Gjon Karma, Mihal Stefa, Andrea Minka, Stathi At-Stathi, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Sandër Prosi, Ndrek Luca, Kadri Roshi, Lazër Vlashi, Liza Vorfi, Behije Çela e shumë të tjerë”, thuhet në një publikim të TK për veprën e 1953. “Gratë gazmore të Uindsorit” një tjetër vepër e Shekspirit, që u vu në skenë premierë më 6 shkurt të 1959. Regjisor Kujtim Spahivogli, as/regjisor Kadri Roshi, skenografia Hysen Devolli dhe muzika Çesk Zadeja. Aktorë në role Mihal Popi, Gjon Karma, Agron Karma, Viktor Gjoka, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi, Sandër Prosi, Mihal Stefa, Ndrek Shkjezi, Lazër Filipi, Avni Resuli, Prokop Mima, Stefan Pali, Ferial Alibali, Lazër Vlashi, Xhevat Serezi, Violeta Manushi, Drita Pelinku dhe Behije Çela. Një tjetër vepër e Shekspirit dekada më parë në TK është dhe “Hamleti”, që u vu në skenë më 24 qershor 1960. Regjisor Vladimir Borotko dhe piktor Hysen Devolli, ku në role ishin aktorët e njohur të teatrit. “Mbreti Lir” nga Shekspir ishte premierë më 30 korrik në 1965. Regjisor Pandi Stillu, përktheu Skënder Luarasi, skenograf Hysen Devolli dhe muzika Agim Basha. Dita e Shekspirit në Teatrin Kombëtar solli në vëmendje edhe veprën “Nata e dymbëdhjetë”, një premierë që u dha më 17 shtator 1982. Regjisor Piro Mani, skenograf e kostumograf Agim Zajmi. Në role përmendim aktorët Ahmet Pasha, Ndriçim Xhepa, Anil Frashëri, Fitim Makashi, Vasjan Lami, Gjergj Gjika, Fadil Kujofsa, Mërkur Bozgo, Robert Ndrenika, Pandi Siku, Shkëlqim Basha, Vasillaq Vangjeli, Pavlina Mani, Roza Anagnosti, Yllka Mujo, Leka Sefla dhe Tomorr Guçe.

Shekspiri dhe veprat

Teatri Kombëtar publikoi edhe biografinë e William Shakespeare (Uilliam Shekspir), që ka qenë një poet, dramaturg dhe aktor anglez, i konsideruar nga shumë kritikë si dramaturgu më i madh i të gjitha kohërave. Nuk dihet shumë për jetën e tij private, përtej regjistrave të kishës, disa dokumenteve gjyqësor dhe certifikatës së martesës e të vdekjes, që rastësisht është po 23 prilli i supozuar si ditëlindja e tij, por 23 prilli i vitit 1616. Shekspir zë një vend unik në letërsinë botërore. Asnjë shkrimtar tjetër nuk i ka tejkaluar kaq shumë kufijtë kombëtarë me veprat e tij; vepra, të cilat ndonëse janë shkruar në shekullin e XVI dhe XVII për një teatër të vogël repertori, performohen dhe lexohen gjithmonë e më shpesh në një shkallë botërore. Fillesa e krijimtarisë së Shekspirit përkon me temën historike që përbënte dhe interesimin e kohës. Më 1591 erdhi në jetë “Henriku VI”, për t’u pasuar nga “Rikardi III” më 1593, “Rikardi II” më 1595, “Henriku IV” që daton në periudhën 1596-1597, dhe mbyllëse e këtij kapitulli të teatrit historik vjen më 1599 me “Henriku V”. Në të njëjtën periudhë jetësohen edhe komeditë. E para e këtij vargani është “Komedia e keqkuptimeve” më 1594, pastaj “Zbutja e kryeneçes” shkruar nga Shekspir në të njëjtin vit. “Ëndrra e një nate vere” vjen më 1595, e pasuar nga “Gratë gazmore të Uindstorit” më 1597. Tri komedi të tjera vijnë në kohështrirjen e viteve 1598-1601; ato janë “Shumë zhurmë për asgjë”, “Si t’ju pëlqejë” dhe “Nata e dymbedhjete”. Dhe çelet sipari i tragjedive që nis me një pjesë shumë të dhunshme në stilin e kohës, me vrasje, përdhunime, gjymtime. Bëhet fjalë për “Titus Andronikus”, kohë në të cilën pena e jashtëzakonshme shkruan dhe “Romeo dhe Xhulieta”. Pas vitit 1600 ai hedh në letër e vë në skenë tragjeditë e mëdha me temë nga lashtësia: “Antoni dhe Kleopatra”, “Koriolani" dhe "Timoni i Athinës”. Kjo është koha e veprave epokale “Jul Çezari” më 1599, “Hamleti” më 1601, “Otello”, 1604, “Makbeth” më 1606 dhe “Mbreti Lir” diku rreth atij viti. Veprat e Shekspirit flasin sot, në botën moderne, me të njëjtën forcë që kanë folur në kohën kur janë shkruar.