Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Ditari i Ana Frank”, dramë premierë më 15 nëntor në teatrin Metropol

Postuar: 11/11/2018 - 08:09

Drama “Ditari i Ana Frank" në regjinë e Armela Demaj vjen premierë në skenën e Teatrit Metropol mbrëmjen e 15 nëntorit. Kjo vepër teatrore vjen në vijim dhe të tjera shfaqjeve që janë vënë premiera këtë sezon artistik. Shkruar nga Frances Goodrich dhe Albert Hackett, regjia Armela Demaj dhe interpretojnë aktorët Bruno Shllaku, Dinorah Beqiraj, Edvin Mustafa, Ezra Vogli, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Mario Bali, Marius Dhrami, Marjana Kondi, Myzafer Zifla, Paola Xhafa, Roerd Toçe, Sara Koçi, Sedmir Memia, Stivi Osmanaj, Valdano Bajram, Vanesa Guri. Po aq i gjallë sot sa herën e parë kur është shkruar, ditari i jashtëzakonshëm i Ana Frank është bërë një zë thelbësor i mënyrës se si ne e kujtojmë një nga periudhat më të errëta të historisë njerëzore. “Mbushur me shpirtin plot dritë të autores, dëshirës së saj të pakufijshme për gjithçka të bukur e të mirë, ditari hedh dritë edhe në procesin e rritjes në izolim të një vajze të re, komplekse e pasionante, ndërkohë që ajo bie në dashuri, bëhet një grua dhe lufton të mbijetojë së bashku me familjen e saj në mes të kaosit të luftës dhe përndjekjes etnike”, thuhet në materialin për veprën teatrore, që do të jetë premierë në skenën e Teatrit Metropol dhe në role me aktorë të njohur të teatrit, por dhe emra të rinj. Në regjinë e Armela Demaj, teksti fitues i çmimit “Pulitzer”, shkruar nga Frances Goodrich dhe Albert Hackett do t’i sjellë publikut një copëz reflektive nga jeta e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Anne Frank filloi të shkruante në ditarin e saj që në moshën trembëdhjetëvjeçare, nga 12 qershori i vitit 1942 deri më 1 gusht 1944. Në të vërtetë, ajo nuk kishte ndonjë mik të afërt me të cilin mund të fliste, ndaj në ditarin e saj i shkruan për të gjitha përjetimet e veta një shoqeje imagjinare, me emrin Kiti. Këto shënime, ku ajo nxirrte dufin e atyre ditëve të zymta dhe të rënda, ishin shkruar vetëm për Anën, deri në pranverën e 1944-ës, kur Bolkenshtajni, atëherë ministër i Arsimit në mërgim, tha në radio se të gjitha dëshmitë e vuajtjeve të popullit holandez gjatë pushtimit gjerman, do të mblidheshin dhe do të botoheshin pas mbarimit të luftës. I ati, pas luftës dhe zhdukjes së gjithë familjes në kampet e përqendrimit, vendosi ta botonte këtë ditar, që shumë shpejt u bë një nga dëshmitë më të forta dhe rrëqethëse të “Shoah-ut”. As/regjisor Edvin Mustafa, skenografia Enio Shehi, koreografia Erdet Miraka, kostumografia Jonida Beqo, identiteti vizual Vincenzo Giannatasio. Pas premierës më 15 nëntor, shfaqja vijon dhe në datat 16, 17, 18, 21, 22, 23, 24, 25, 30 nëntor si dhe 1, 2, 6, 7, 8, 9 dhjetor.

 Historia e familjes Frank

Më 1940 Gjermania pushtoi Hollandën dhe filloi menjëherë zbatimi i ligjeve antihebreje. Babai i Ana Frankut, i frikësuar për familjen e tij me prejardhje hebreje, ra në ujdi me bashkëpunëtorët e biznesit të tij për ta vazhduar punën në një vend të fshehtë, ku edhe do të fshiheshin derisa lufta të përfundonte. Ata shpresonin se lufta do të përfundonte shpejt, por nuk ndodhi ashtu. Iu desh të qëndronin për më shumë se dy vjet radhazi në vendin ku fshiheshin. Disa muaj përpara se familja Frank të fillonte të fshihej, Anës i dhuruan për ditëlindje një ditar. Ajo e quajti ditarin e saj Kiti dhe shkruante në të gjithçka i ndodhte asaj dhe familjes. Askush nuk e di saktësisht se si ndodhi që pas dy vjet e gjysmë strehimi, dikush u tregoi nazistëve për vendndodhjen e familjes Frank. Nazistët shkuan në vendin ku gjendeshin Frankët, i morën dhe i dërguan në një kamp përqendrimi. Miep Gies, mikesha e familjes Frank, e gjeti ditarin e Anës dhe e fshehu në një vend të sigurt, pasi shpresonte që Ana të kthehej pas përfundimit të luftës. Por kjo gjë nuk ndodhi. Nga familja Frank mbijetoi vetëm babai i saj, Otoja. Gruaja e tij u vra në Aushvic. Ana dhe motra e saj më e madhe humbën jetën në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, vetëm disa ditë përpara se kampi të lirohej. Oto Franku, me sugjerimin e disa miqve të tij, lejoi që ditari i vajzës së tij të botohej. Kështu, “Ditari i Ana Frankut” u bë një ndër librat më të lexuar në botë dhe u përkthye në dhjetëra gjuhë. Shtëpia, ku ishte fshehur familja Frank në Amsterdam, sot është e hapur për vizitorët. Aty gjendet edhe ditari që shkroi Ana, i cili ka vlerën e një dokumenti unik njerëzor./ Julia VRAPI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:35

Drama "Maskuar" me regji nga Milto Kutali sonte në mbrëmje shfaqjet për publikun në skenën e teatrit të qytetit të Korçës.

Postuar: 09/12/2018 - 07:33

"Streha mes reve" është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dh

Postuar: 09/12/2018 - 07:32

Në skenën e teatrit dhe në kinema aktori Romir Zalla është i njohur me angazhimet tij si dhe vler

Postuar: 08/12/2018 - 07:37

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor sollën mbrëmë në skenë koncertin “

Postuar: 08/12/2018 - 07:36

Shfaqja “Unë kam gjithmonë një shami në xhepin tim” bën bashkë artistët shqiptarë dhe

Postuar: 08/12/2018 - 07:34

Artistët kanë treguar që dhe me pak mbështetje ia kanë dalë të realizojnë shfaqjet e tyre, por mo

Postuar: 07/12/2018 - 07:41

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi edicionin e IX të Ditëve të Albanologjisë.