BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

Dramaturgët akuza Ministrisë së Kulturës: Nuk stimulohet krijimtaria, s’kemi një konkurs të dramës shqipe

Dramaturgët akuza Ministrisë së Kulturës: Nuk stimulohet

Autorët shqiptarë nuk kanë stimulim për krijimtarinë e tyre nga Ministria e Kulturës. Mungojnë konkurset, por dhe një tjetër probleme është që dhe veprat shqiptare mungojnë në skenat tona. Edhe pse një vit i vështirë nga pandemia, për autorë të ndryshëm mungoi një mbështetje për krijimtarinë nga Ministria e Kulturës. Ndërsa pak ditë më parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë shpalli fituesit e konkursit “Katarina Josipi” që zhvillohet çdo vit për dramaturgjinë shqipe, autorët në Shqipëri thonë se nga ministria jonë e Kulturës deri më tani nuk është bërë diçka e tillë. Sipas tyre, konkursi i fundit ka qenë për veprat shqipe në vitin 2012. Bashkim Kozeli autor i njohur dhe i vlerësuar me veprat e tij thotë se edhe “Netët e leximit të dramës shqipe” që këtë vit Teatri Kombëtar i riktheu në edicionin e katërt, janë thjesht net leximi, por ajo që duhet për autorët është konkursi mbarëkombëtar për dramën shqipe. “Teatri nuk ka fond për dramën shqipe. Ajo që ka publikuar është një lexim për tu përzgjedhur një dramë e sezonit artistik ose dy. Por ky nuk është konkurs. Konkursi është që autori të fitojë çmim nga Ministria e Kulturës. Konkursin duhet ta shpallë MK siç ka shpallur konkurs më parë dhe që ndau dhe çmimet për 100 -vjetorin e pavarësisë së vendit. Autorët dorëzojnë veprat në konkurs dhe fituesit kanë disa çmime. MK nuk stimulon krijimtarinë”, thotë autori Kozeli. Sipas tij edhe pse në këtë kohë pandemia Ministria e Kulturës mund ta zhvillonte konkursin për dramën shqipe, ku më pas të shpalleshin fituesit ashtu si zhvillohet në Kosovë. “Gjithë puna është paralelizmi me Kosovën për ti bërë një thirrje Ministrisë së Kulturës, që pavarësisht nga pandemia krijo mundësi për konkurs, sepse ne si autorë nuk po komunikojmë me njëri -tjetrin, por kemi veprën e dorëzojmë. Nuk është puna që të bëjmë shfaqje, veprat janë në letër dhe ato dorëzohen dhe konkursi bëhet me një juri profesionistësh. Pas konkursit këto vepra kanë mundësi për të qenë më pas në skena, pra ato që janë fituese”, thotë autori i njohur Bashkim Kozeli.

Pak vëmendje për teatrin

Për një tjetër autor të njohur të dramës shqipe Mustafa Tukaj në vendin tonë Ministria e Kulturës fare pak po tregon vëmendje për zhvillimin e teatrit në vendin tonë. Sipas tij duhet të ndiqet dhe shembulli i Kosovës. “Konkursi u bë në 2012 për 100- vjetorin, që nga ajo kohë nuk ka pasur fare nga ministria. Ne duhet të kemi konkurs të dramë shqipe si e ka Ministria e Kulturës në Kosovë, që zhvillon çdo vit. Madje në Kosovë janë me seriozë se tek ne edhe me çmimet për artet e tjera, pavarësisht se është vështirë të çash përpara si kudo. Kosova duket se po punon më mirë se ne për autorët sepse ka konkurse. Tek ne nuk stimulohen autorët për dramën shqipe. I takon Ministrisë së Kulturës të bëjë një konkurs mbarëkombëtar dhe të marrin pjesë edhe autorë nga Kosova, etj, ku të ndahen çmime. Por me këtë konkurs të shikohet dhe se ku mund të vendosen veprat fituese në skena”, thotë autori Tukaj në një reagim të tij. Për konkursin që u zhvillua tetë vite më parë dramaturgu Mustafa Tukaj thotë se shërbeu dhe për të mobilizuar me veprat edhe autorët në trevat shqiptare. “Ishte një gjë e mirë se mobilizoi shumë autorë të dramës e komedisë në të gjitha trevat shqiptare dhe u paraqitën vepra cilësore. Juria ishte shumë serioze, me njerëz kompetentë e njohës të teatrit”, pohon ai. Edhe më parë në një reagim të tij dramaturgu Mustafa Tukaj pohoi se raporti ka ndryshuar në dëm të dramës shqipe. Për skenat e teatrove tona ai tha se veprat shqipe janë vënë, por janë shumë të rralla në krahasim me ato të huaja. Sipas autorit Tukaj, me ndonjë përjashtim fatkeqësisht këto vepra të huaja kanë lënë pak gjurmë te spektatori.