BREAKING NEWS

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen detajet ku do të jetë selia

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen
x

Kultura

Dramaturgët: Ministria e Kulturës tetë vjet pa një konkurs për dramën shqipe, as teatrot nuk tregojnë interes

Dramaturgët: Ministria e Kulturës tetë vjet pa një konkurs

Drama shqipe nuk ka sa duhet hapësira në skenat e teatrove në vend, ndërsa nga Ministria e Kulturës prej tetë vitesh nuk është zhvilluar një konkurs për veprat e autorëve shqiptarë. Jo pak herë është folur për problemet teatrit dhe rëndësinë që kanë veprat shqipe në skenë tonë, ku edhe pandemia pati pasojat në jetën artistike. Autorë të ndryshëm shprehen, se ka një mungesë vlerësimi nga institucionet në vend dhe me rikthimin e jetës artistike në normalitet sipas tyre duhet treguar vëmendje për krijimtarinë. Për autorët problemet vazhdojnë dhe ata nuk kanë parë deri tani vlerësim sa duhet për veprën e tyre. Autori Mustafa Tukaj thotë se kjo gjendje ka sjellë probleme për krijimtarinë, ndërsa shprehet se ka vepra teatrore që nuk di se ku ti çojë për në skenë. “Konkurse për dramën shqipe në vendin tonë nuk janë bërë, që nga 2012 ku unë fitova një çmim kombëtar me një dramë. Nga Ministria e Kulturës tetë vjet nuk është bërë as dhe një konkurs për dramaturgjinë shqipe në Shqipëri. Para disa ditësh Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli konkurs për letërsinë për fëmijë që është shumë mirë, por dhe konkurs për librin e karantinës shumë mirë. Por mua më intereson që të kem një vend. Unë kam një dramë të re shumë të fortë për pas Lufte të Kosovës, por unë tani për tani nuk kam kur ta çoj këtë vepër”, pohon dramaturgu i njohur Mustafa Tukaj. Në reagimin e tij dramaturgu vijon më tej se konkursi mbarëkombëtar i vitit 2012 solli në konkurrim dhe autorë nga Maqedonia e Kosova dhe duhet që nga institucionet në vend të mendohet një organizim i tillë, sepse kjo i shërben dramaturgjisë shqipe. “Teatrot në vendin tonë kanë një lloj blloku. Teatri Kombëtar është në një farë kolapsi për vetë faktin, që dihet dhe me problemet e godinës. Nuk mund të jetë “ArTurbina” për godinën e Teatrit Kombëtar. Në 2012 në konkursin mbarëkombëtar morën pjesë dhe autorë nga Kosova e Maqedonia dhe ishte shumë mirë, duhet të bëhet një konkurs i tillë”, vijon më tej Tukaj. Në vitin 2012 me dramën “Të ftuarit”, në konkursin mbarëkombëtar të dramaturgjisë shqipe organizuar nga Ministria e Kulturës me rastin e 100 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tukaj u vlerësua me çmim kombëtar.

Nuk ka skena për dramën

Ndërsa nga Ministria e Kulturës ka mungesë vëmendje për konkurse të dramës shqipe, autorët shprehen se teatrot më shumë po rendin pas dramave të huaja. Si dramaturg Mustafa Tukaj vijon më tej se nëse një libër mund të botohet, një vepër nuk mund ta vërë dot vetë në skenë autori pa teatrin. “Më thoni se në cilin prej teatrove sot vihen në skena dramë kombëtare? Qëllon me ndonjë rast i rrallë shumë. Me këtë problematikë po shuhet drama kombëtare dhe ju e dini, që të fitosh një dramaturg duhen dhjetëra vjet dhe për ta humbur e humb në pak javë. Ne kemi probleme të mëdha. Nëse për një libër që shkruaj nuk do të gjej sponsor për botim ose mbaj aty ose e botoj vetë, por drama shqipe është e skenë. Unë e kam dramën dhe më dhimbset në shpirt, sepse duhet ti gjej skenën. Katër a pesë teatro sa kemi janë sulur pas dramave të huaja”, thotë Tukaj. Me të njëjtin qëndrim është dhe autori i njohur Bashkim Kozeli, i cili shprehet me kritika për institucionet, që nuk kanë treguar vëmendje për dramën shqipe. Ai thotë se duhet të vendoset një kriter për teatrot. “Duhet konkurs për dramën shqipe në vendin tonë. Ka vite që nuk është bërë. Ne si autorë kemi folur dhe herë të tjera më parë, që nëse nuk bëhet me rregull dhe të jetë kriteri te teatrot që të vihet në skenë dramë shqipe kjo punë kështu do vazhdojë. Pra të jetë kriteri që në teatrot profesioniste të vihet dramë shqipe në skena. Nëse vihet ky kriter bëhet dhe festivali për dramën shqipe”, vijon Kozeli. Dramaturgu Bashkim Kozeli në 2012 u shpall fitues i konkursit mbarëkombëtar të zhvilluar për dramën shqipe, me veprën “Ëndrra e Ismail Qemalit”.