Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Drejtuesit e festivaleve të traditës japin alarmin: Ministria e Kulturës nuk po na financon, po detyrohemi të heqim dorë nga aktivitetet

Postuar: 26/06/2019 - 07:28

Drejtues të festivaleve të ndryshme që zhvillohen në vend shprehen se me shumë vështirësi po zhvillojnë këto aktivitete. Problemet për organizimin e tyre vijnë për shkak të mungesës së përkrahjes financiare. Ata shprehen se nga Ministria e Kulturës buxhetet janë aq të pakta sa nuk të lejojnë për të zhvilluar aktivitetin në përmasat që ata kanë menduar. Organizatorët përmes projekteve për festivalet e teatrit, muzikës apo dhe  më gjerë aplikojnë në Ministrinë e Kulturës, kjo e fundit sipas tyre jep pak ose aspak mbështetje financiare. Të gjendur në këtë situatë ata shprehen se mes shumë vështirësive po mbajnë gjallë këto festivale, që tashmë janë bërë pjesë e jetës artistike së vendit prej shumë vitesh. Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrinti 2000” zhvillon në muajin korrik edicionin e 17. Drejtori i festivalit aktori Alfred Bualoti shprehet se buxheti mbetet i vetmi problem, ku duket se gjërat nuk kanë ndryshuar dhe me ministren Margariti në ministri. “Buxheti mbetet i vetmi problem. Ne me festivalin tonë nuk kemi asnjë problem tjetër përveçse të buxhetit. U bënë gati 20 vjet festival, nuk ka më probleme të tjera, por vetëm buxheti. Festivali vjen duke u bërë me emër të madh dhe buxheti që jep ministria zvogëlohet. Ne e kemi thënë disa herë. Nuk kuptojnë gjë se çfarë është me festivalin në Ministri të Kulturës”, shprehet drejtori Alfred Bualoti. Festivali ndërkombëtar i teatrit “Butrinti 2000” zhvillohet në datat 7 - 13 korrik në teatrin antik Butrint, por sipas drejtorit Alfred Bualoti po zhvillohet me një sakrificë të madhe. “Në mënyrë të jashtëzakonshme na ka penguar buxheti i paktë me festivalin. Pa buxhet nuk bën dot asnjë hap për projektet, asgjë nuk bën dot. Është një situatë e vështirë kur flasim për përkrahjen financiare. Ne këtë vit po bëjmë aventurën e radhës. Janë gjashtë shfaqje, me nga 30 vetë trupat, çfarë të bëjmë më shumë tani ne? Festivalet bëhen me sakrificë të jashtëzakonshme, një aventurë që është e paparë dhe nuk dihet që në fund do të dalim me borxhe apo pa borxhe. Por ne nuk duam ta lëmë festivalin. Me shumë sakrificë po mbahen gjallë festivalet. Ministria e Kulturës nuk i ka parë prioritet aktivitetet, që tashmë kanë traditën. Ende nuk kemi parë një lëvizje pozitive nga ministria me projektet”, shprehet mes të tjerave Alfred Bualoti drejtori i festivalit.

Mohimi nga ministria

Festivali i Romancave këtë vit duhet të zhvillonte në muajin maj edicionin e pestë. Për drejtuesin e tij kompozitorin Endri Sina festivali këtë vit nuk pati mbështetje nga Ministria e Kulturës. Të gjendur në këto kushte festivali është menduar të zhvillohet në vjeshtë, por dhe kjo është duke parë mundësitë financiare. “Ne po bëjmë përpjekje për ta zhvilluar festivalin nëse do të arrijmë ta bëjmë nga vjeshta, gjithmonë nëse ne marrim tjetër kund mbështetje. Pra të gjejmë qoftë dhe një sponsor minimal. Ne këtu po shpresojmë, por ende se dimë nëse do ta bëjmë dot apo jo. Ne e shtymë festivalin për ta zhvilluar në vjeshtë, e kemi pas bërë diku nga fundi i muajit maj, por iku dhe muaji qershor. Ministria e Kulturës këtë vit nuk e mbështeti Festivalin e Romancave, që ka në fokus krijimtarinë e re muzikore”, shprehet drejtori i festivalit Endri Sina. Festivali i Romancave ka të bëjë vetëm me krijimtari të re muzikore dhe çdo vit kanë qenë gjithmonë 15 romanca të reja, që është gjinia më e vogël muzikore, sepse ka dhe buxhet minimal. Si një nga organizatorët dhe drejtuesit e tij kompozitori Endri Sina shprehet se ministria e mohon këtë festival, por krijuesit kanë shumë interes. “Unë jam shumë pesimist për politikat që ndjek Ministria e Kulturës për artistët dhe artin, këtë vit Festivali i Romancave mohohet nga ministria. Në këto kushte ne akoma nuk jemi të sigurt për festivalin nëse do ta zhvillojmë apo jo. Ne duam që të bëjmë dhe gjëra më të mëdha, një muzikë shumë më të angazhuar, dhe jo thjesht me dy persona siç është romanca vokal dhe piano, por kërkon më shumë buxhet dhe nuk mundemi. Në këto kushte ne po mundohemi të mbajmë këtë festival. Për këtë aktivitet janë shumë të interesuar kompozitorët që të marrin pjesë edhe pse pagesa është shumë minimale, por është një aktivitet që i vë në lëvizje dhe janë të interesuar të bëjnë diçka”, shprehet kompozitori Endri Sina. Jo vetëm këto dy festivale po zhvillohen mes shumë vështirësive, por dhe të tjerë janë përballur me probleme. Në këto kushte pakënaqësitë e organizatorëve ndaj ministrisë kanë vijuar prej vitesh, duke kërkuar më shumë vëmendje dhe vlerësim për këto aktivitete.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/07/2019 - 07:54

Festivali Multikulturor i Beratit erdhi në edicionin e tij të gjashtë, me një program të pasur në ditët e tij.

Postuar: 21/07/2019 - 07:52

Ekspozita “Duke pikturuar filmin” vjen me vepra të piktorit Shyqyri Sako.

Postuar: 21/07/2019 - 07:51

Përballë problemeve, që janë në aktivitetin artistik artistë të ndryshëm shprehen se nuk gjejnë m

Postuar: 20/07/2019 - 07:44

Gjithmonë kam qenë i mendimit që racat dhe etnitë e ndryshme të njerëzimit janë si një buqetë me

Postuar: 20/07/2019 - 07:42

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, me skenar dhe regji nga Kushtrim B

Postuar: 20/07/2019 - 07:41

Sezoni artistik në teatro ka përfunduar, por për artistët Ministria e Kulturës duhet të riorganiz

Postuar: 19/07/2019 - 07:28

Filmi “Streha mes reve” pas pjesëmarrjes në “Munich Film Fest” do të shfa