BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

“Dritë në Humnerë” shfaqet në muze, drama e jetës së Drita Çomos në një dokumentar

“Dritë në Humnerë” shfaqet në muze, drama e

Filmi dokumentar “Dritë në Humnerë” kushtuar Drita Çomos u shfaq në Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të “Muajit të kujtesës”. Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i memories kombëtare organizoi të mërkurën këtë aktivitet përkujtimor në nderim të jetës dhe të veprës së Drita Çomos. Filmi me skenar nga Petrit Ruka dhe regjisor Namik Ajazi ishte pjesë e këtij aktiviteti përkujtimor, ku merrnin pjesë dhe dr. Dorian Koçi drejtori i MHK, Iris Elezi drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, etj. Dokumentari që u shfaq të mërkurën në Muzeun Historik Kombëtar është i frymëzuar nga botimi i librit me të njëjtin titull, dhe rrëfen 40 vite pas vdekjes së Drita Çomos kalvarin e saj të vuajtjeve. Në këtë aktivitet përkujtimor, drejtori i MHK dr. Dorian Koçi u shpreh mes të tjerave se është një lëngim i shpirtit të Drita Çomos dhe brezit të saj, që nuk arriti dot të shikonte Shqipërinë të zhvilluar. Për drejtoreshën e Arkivit të Filmit Iris Elezi, figura e Drita Çomos duhet të na bëjë të reflektojmë. “Tridhjetë vjet më vonë ende nuk kemi reflektuar si duhet. Figura e Dritës duhet që të na bëjë që të reflektojmë shumë, për ku po shkojmë”, tha Iris Elezi, drejtoreshë e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit. Nëpërmjet jetës dhe vuajtjes së vajzës së re të persekutuar, që u diagnostikua me kancer, synohet rikthimi i vëmendjes në dramën e një brezi të tërë. Gjatë kohës që ajo rendte nga Cërriku për në spitalin Onkologjik në Tiranë, mes zymtësisë që rrethonte këtë mjedis, shkruante në ditarin dhe në poezitë e saj, mendimet për njerëzit dhe jetën e lirë. Personazhet e këtij dokumentari, mes tyre Liri Belishova sa ishte gjallë, vëllai i saj Petriti, infermieret e spitalit, por edhe aktorja Rajmonda Bulku si shoqja e saj, shprehen se Drita Çomo ka qenë vetëm një nga shumë viktimat e sistemit diktatorial, që ishte i pamëshirshëm. Aktiviteti përkujtimor në përfundim të tij parashikonte dhe nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi, për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Aktiviteti u zhvillua në vijim të veprimtarive në kuadër të “Muajit të kujtesës” në Muzeun Historik Kombëtar, por sipas udhëzimeve dhe masave për mospërhapjen e virusit sars-cov 2.

Jeta e Drita Çomos

Drita Çomo (19 mars 1958, Tiranë - 19 shkurt 1981, Tiranë) ishte një poete shqiptare. Drita Çomo u lind më 19 mars 1958 në Tiranë. Prindërit e saj u akuzuan për spiunazh ndaj Partisë së Punës për BRSS. Nëna e saj, Liri Belishova një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste u internua në Kuç afër Vlorës, pastaj në Progonat dhe në fund në Cërrik bashkë me Dritën, e cila ishte vetëm 2 vjeçare, dhe babai Maqo Çomo udhëheqës partizan e më vonë ministër i Bujqësisë, u burgos me 30 vite burg. Në Cërrik Drita mbaroi shkollën e mesme, por për shkak të kancerit ajo nuk e dha provimin e maturës. Sëmundja avancoi dhe më 19 shkurt 1981, në moshë 23-vjeçare ajo u nda nga jeta në spitalin Onkologjik të Tiranës. Në momentet më tragjike të ditëve të fundit të jetës, asaj nuk iu lejua të kishte pranë nënën e saj, ndaj deri në momentin e fundit të vdekjes, mbeti e vetme. Në vitet e fundit të jetës së saj ajo mbante një ditar, i cili ishte një procesverbal i ngjarjeve që kishin të bënin me qëndrimin në një vend të izolimit. Ajo la gjithashtu dhjetëra poema, të shkruara në vitet 1975-1981, të cilat janë një histori vuajtjesh, dhimbjesh dhe magjepsjesh nga rinia.