Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Kultura

 DRTK Berat, punime restauruese në banesat në Goricë dhe Mangalem

 DRTK Berat, punime restauruese në banesat në Goricë dhe

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat po vazhdon këtë kohë me punime restauruese në banesat e lagjeve Goricë dhe Mangalem. DRTK-Berat shprehet se këtë kohë kanë filluar punimet për restaurimin e çatisë së familjes Goxhomani, në lagjen Mangalem. “Dëmtimi i çatisë si pasojë e lagështisë së madhe e shkaktuar nga thyerja e disa trarëve kryesorë të strukturës së saj përbënte një rrezik të madh për jetën e familjarëve si dhe rrezikonte gjithë monumentin në tërësi”, bën me dije Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat. Sipas DRTK, pas hartimit të projektit për restaurimin e çatisë nga specialistët dhe miratimit të tij në instancat përkatëse u bë e mundur këtë verë nga punonjësit e mirëmbajtjes të fillojë ndërhyrja për restaurimin e saj. “Kjo ndërhyrje do të kryhet në bashkëpunim me CHWB-Albania”, bën me dije DRTK Berat. Ditët e fundit DRTK Berat po kryen punime edhe për restaurimin e çatisë së banesës së familjes Buda, lagjia Goricë, që bën me dije se në proces është mbulimi. “Gjatë fazës së parë të ndërhyrjes është kryer zbulimi i çatisë, zëvendësimi i petavrave dhe shtrimi i saj me letër katërma. Në proces mbulimi me tjegulla vendi”, shprehet DRTK Berat. Ansambli muzeal i lagjes Mangalem shtrihet në formë gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët, që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shekulli XV-XVI, duke formuar në këtë mënyrë zonën e varroshit. Ansambli i lagjes Goricë shpaloset në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit atë e ndan lumi Osum, dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës. Sipas Çelebiut, në shekullin XVII lagjja numëronte 200 shtëpi, ndërsa pamjet e sotme arkitektonike të banesave, ashtu si edhe dy lagjet e tjera u janë nënshtruar rindërtimeve të thella pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1851. Disa banesa dhe porta, në ballin e tyre mbajnë pikërisht datimin e kësaj periudhe rindërtimi, pra të gjysmës së dytë të shekullit XIX. Për vetë pozicionin që ka lagjja Goricë, ndryshe nga Mangalemi në Berat është më pak e ndriçuar gjatë vitit nga rrezet e diellit.