BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Kultura

Edmond Budina kërkesë kryeministrit ta lejojë të japë shfaqje në truallin e Teatrit Kombëtar, e fton si spektator

Edmond Budina kërkesë kryeministrit ta lejojë të japë

Regjisori Edmond Budina i kërkon kryeministrit Edi Rama ta lejojë të shfaqë pjesën teatrale “Profeti i Kokoshkave”, në sheshin e rrënuar të Teatrit Kombëtar. Regjisori Budina i është drejtuar kryeministrit Rama përmes një letre për ta lejuar të shfaqë pjesën teatrale, ndërsa e fton dhe të jetë dhe spektator. Pjesën me një personazh "Profeti i Kokoshkave” Edmond Budina e ka shkruar, interpretuar dhe punuar vetë në skenografi e kostume. Në letrën drejtuar kryeministrit regjisori Edmond Budina shprehet se është pjesë e atij grupimi të shoqërisë shqiptare, që kundërshtoi e proteston kundër shqyerjes së Teatrit Kombëtar. Budina shkruan se për dy vjet e katër muaj u protestua në mënyrën më paqësore, duke shpërfaqur një sens qytetarie të pashembullt për Shqipërinë, por jo vetëm për të. “Vetëm pas ndërhyrjes brutale të policisë suaj më 24 korrik të vitit të shkuar qytetarët protestues hynë në teatër. Është krejtësisht e pavërtetë ajo, që ju propagandoni, se protestuesit e kishin zaptuar teatrin prej dy vjetësh e katër muajsh. Ata hynë në teatër për ta mbrojtur, pastruar, mirëmbajtur e rijetëzuar, duke zhvilluar mbi tetëdhjetë aktivitete, ku morën pjesë artistë nga e gjithë bota. E gjithë nisma u krye pa asnjë lek prej buxhetit të shtetit, veç me kontribut vullnetar në një kohë, që shteti i drejtuar prej jush preu dritat dhe ujin. Një veprim antinjerëzor dhe i paprecedent për asnjë vend demokratik. Shqyerja, që iu bë teatrove atë agim të 17 majit, me gjithë vlerat e pallogaritshme materiale, që ruanin, por mbi të gjitha më protestuesit ende brenda, lemerisi mbarë opinionin”, shprehet Budina. Letra e regjisorit drejtuar kryeministri, vijon se jo rastësisht shtypi botëror e cilësoi si një akt barbar, fashist e talebanesk. Budina thotë se personalisht nuk arrin ta kuptojë, se si është e mundur të shemben tre salla teatri me një histori tetëdhjetë vjeçare të një kryeqyteti njëqind vjeçar në një kohë, që ishin gjetur rrugët nëpërmjet institucioneve europiane edhe të një financimi të mundshëm për restaurimin. “Në një qytet një-milionësh nuk do të ishte më mirë një teatër më shumë, në një vend tjetër, se sa një më pak?! Aktualisht hapësirat teatrore janë ngushtuar së tepërmi e qyteti është më i varfër”, thotë regjisori Edmond Budina.

E drejta si artist

Trualli i Teatrit Kombëtar për regjisorin Edmond Budina është konsideruar nga qytetarët, si një hapësirë lirie. Në letrën e tij Budina thotë se gjatë kësaj shfaqje do të ketë vetëm art dhe do të respektohet protokolli i caktuar nga Ministria e Shëndetësisë. “Meqenëse ju jeni pronari i hapësirave publike dhe i keni njohur të drejtën vetes të transferoni pronësinë nga pushteti qendror në atë lokal etj, po ashtu sikundër unë legjitimohem në të drejtën kushtetuese të shprehjes së fjalës së lirë dhe të ushtrimit të profesionit, ju kërkoj të më lejoni të jap një shfaqje në truallin e Teatrit Kombëtar, që për qytetarët ka qenë konsideruar përherë si një hapësirë lirie. Ju siguroj, që nuk do të ketë eksploziv, molotovë, armë, por vetëm art. Po ashtu ju siguroj, se shfaqja do te jetë konform rregullave dhe protokollit të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga Covid-19, duke marrë në konsideratë distancimin fizik të artdashësve”, vijon ai. Ndërsa kërkon të lejohet për shfaqjen e tij në truallin e Teatrit Kombëtar, regjisori Edmond Budina thotë se dashurinë për artin e kanë treguar më së miri në dhjetë muaj të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, e kundërta e asaj sipas tij që u bë duke i dhunuar me ruspa. “Si qytetar i këtij vendi, që nuk e dëshiron dhunën dhe do të shmangë një përplasje mes policisë e forcave paramilitare (të tillë i konsideroj të gjithë ata, që veshin uniformën e policisë së shtetit pa numër identifikimi) nga njëra anë dhe qytetarëve nga ana tjetër, ju kërkoj atë hapësirë publike të lirë, me qëllimin për të bërë art. Nëse është në rutinën tuaj të kontrolloni më parë tekstin, konceptin regjisorial ose çfarëdo lloj informacioni, unë jam i gatshëm t’jua vë në dispozicion. Po ashtu nuk hezitoj t’ju ftoj të merrni pjesë në shfaqje, natyrisht si spektator. Uroj, që kërkesa ime të ketë një përgjigje pozitive prej jush”, përfundon letra e regjisorit Edmond Budina. Kjo kërkesë vjen më 27 korrik pikërisht në datën kur një vit më parë në Teatrin Kombëtar nga artistët filloi rivitalizimi i tij me Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit.