BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Kultura

Ekspozita "1001 dritaret e Beratit”, me punët e 23 piktorëve nga më të mirët mjeshtër të peisazhit në Shqipëri 

Ekspozita "1001 dritaret e Beratit”, me punët e 23

Ekspozita "1001 dritaret e Beratit” prezanton punët e piktorëve të njohur shqiptarë, por nuk mungojnë dhe fotografitë. Ekspozita u çel të enjten në galerinë "Edward Lear" në qytetin e Beratit, dhe është e kuruar nga piktori Agron Polovina. 23 piktorë, nga më të mirët mjeshtra të peisazhit në Shqipëri vijnë së bashku në një ekspozitë kushtuar qytetit të Beratit. Autorët pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë: Agim Kadillari, Agron Polovina, Bujar Lika, Buron Kaceli, Çaush Vathi, Elton Stasa, Emiona Stasi, Fatmir Carkanji, Jordan Findiku, Kastriot Dervishi, Kudret Durollari, Kujtim Buza, Luan Boriçi, Maria Julia Tagliero, Nasuf Myftari, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Rikarda Nova, Sadik Kasa, Skënder Strica, Spiro Panariti, Vangjo Vasili dhe Xheneta Kadillari. Punimet në ekspozitën në Berat janë bërë në dy vitet e fundit. Ekspozita u hap të enjten në galerinë e artit të qytetit, dhe kuratori Agron Polovina thotë se vlerat e Beratit vijnë në tablo pikture, ku janë monumentet e kulturës, por dhe peisazhi i larmishëm. “Në këtë ekspozitë marrin pjesë artistë nga grupimi “Plein Air”, si dhe artistë të tjerë që e kanë të rëndësishëm peisazhin në krijimtarinë e tyre, dhe veçanërisht peisazhin e qytetit të Beratit. Titulli i ekspozitës është “1001 dritaret e Beratit”, por në fakt është një metaforë për të kompletuar pikturat që kanë bërë artistët e Beratit, si një dritare nga ku shihet vetë imazhi i qytetit. Vlerat e  Beratit vijnë në tablo pikture, janë monumente të kulturës por dhe peisazhi i bukur i qytetit”, tregon kuratori Agron Polovina. Ekspozita në galerinë "Edward Lear" është e organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Beratit dhe shoqata “Plein Air Art Albania”.

Ekspozita në jetën artistike

Ekspozita në Berat me punime të autorëve të njohur i shtohet jetës artistike këtë kohë, ku sipas kuratorit Agron Polovina peisazhi i qytetit të Beratit është traditë për tu bërë në pikturë. “Historikisht të gjithë artistët qoftë shqiptarë dhe të huaj i janë drejtuar qytetit të Beratit, arkitekturës së tij për vlerat që ka dhe jo vetëm tani. Kemi parasysh dhe pikturat, duke filluar që nga mjeshtrat ikonograf Johan Çetiri dhe Adam Kristo, të cilët në ikonat e tyre kanë pasqyruar dhe peisazhin autentik të Beratit. Pastaj dhe artistë të tjerë të huaj, Edward Lear, Edith Durham dhe të tjerë që kanë vizituar Beratin njëkohësisht kanë lënë dhe dëshmi shumë të rëndësishme të imazhit të këtij qyteti”, thotë mes të tjerave kuratori Agron Polovina në një reagim të tij. Ekspozita sipas piktorit Agron Polovina hapet edhe në prag sezoni turistik. Piktorit thotë se në kuadër të promovimit të qytetit të Beratit pritet të zhvillohen edhe aktivitete të tjera. “Ne shpresojmë që qytetit ti drejtohen më shumë vizitorë, siç është turizmi vendas dhe turistët e huaj që vijnë në Berat. Ne presim të realizojmë dhe aktivitete të tjera në këtë kuadër për të promovuar vlerat e qytetit tonë”, thotë mes të tjerave piktori i njohur Agron Polovina. Ekspozita që u hap të enjten në Berat do të qëndrojë deri më datë 20 të këtij muaji për publikun. Galeria e artit “Edward Lear” herë pas here prezanton ekspozita me punë të artistëve të ndryshëm. Në aktivitetin e saj janë hapur me dhjetëra ekspozita që nga krijimi. Galeria e arteve “Edward Lear”  në vite ka arritur që të krijojë edhe një fond të pasur me vepra arti të gjinive, teknikave e drejtimeve artistike të ndryshme dhe që përfaqësojnë emrat më të rëndësishëm të artistëve të qytetit të Beratit, por dhe të vendit.