BREAKING NEWS

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar me COVID

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria
x

Kultura

Ekspozita “Breza në artet figurative”, këtë dhjetor vjen me 75 punime

Ekspozita “Breza në artet figurative”, këtë dhjetor

Ekspozita “Breza në artet figurative” edhe këtë dhjetor nuk mungon në Muzeun Historik Kombëtar. Janë 30 autorë, piktorë dhe skulptorë që prezantojnë në këtë ekspozitë të përvitshme 75 punime. Ekspozita u hap në një vit të vështirë prej pandemisë dhe vjen në edicionin e pestë, por piktorët shprehen se përcjellin mesazhe përmes saj. Një ekspozitë që prezanton 10 skulptura të punuara nga 4 autorë dhe pjesa tjetër janë punime të piktorëve. Piktori dhe organizatori i kësaj ekspozite Robert Përmeti thotë se në kot kohë të vështira sytë duhet ti kthejmë nga arti, si mënyra më e mirë për të hequr stresin. “Në ditët e vështira nga trysnia psikologjike që po kalojmë, duhet që të kthejmë sytë nga muzika letërsia, piktura, skulptura dhe sportet, si mënyra më e mirë për të hequr stresin. Mesazhi jonë është në këtë kohë pandemie, nëse ka një motiv që duhet njerëzit sado pak ti çlirojmë nga stresi i kohës që jetojmë është që arti luan një rol shumë të madh. Ky është qëllimi jonë”, thotë Përmeti, në një reagim të tij. Ekspozita u hap më datë 24 dhjetor dhe do të qëndrojë deri më datë 30 të këtij muaji. Piktori Robert Përmeti, i cili është dhe organizatori i kësaj ekspozite që nga edicioni i parë, thotë se këtë vit “Breza në artet figurative 2020” ka të veçantën e saj në punët që janë prezantuar për publikun, që mund ti shikojë këto ditë në sallën e Muzeun Historik Kombëtar. “Në punët e prezantuara në tablo pikture mbizotëron teknika e vajit. E veçanta e kësaj ekspozite në punët e prezantuara nga autorët pjesëmarrës në raport me të tjerat, mbizotëron tabloja kompozicionale dhe portreti. Prioritetin më të madh në pikturë e ka kompozicioni. Dhe pak hyjnë dhe natyrat e qeta, peisazhet, etj”, shprehet Robert Përmeti.

Autorët pjesëmarrës

Punët këtë vit janë nga autorë të njohur, por prezantohen dhe vepra të artistëve që janë ndarë nga jeta. Ekspozita përmban veprat e artistëve Fadil Pëllumbi, Guri Madhi, Sali Shijaku, Shaban Hysa, Xhevdet Dada, Lec Shkreli, Nikolin Ivanaj, Romeo Goliku, Robert Përmeti, Anastas Kostandini, Leka Rudha, Llambrini Dena, Emiona S. Nako, Pëllumb Bylyku, Vehap Kokalari, Idriz Balani, Nesti Taço, Dylber Neziri, Bardha Buza, Majlinda Alia, Blerta Xhomo, Gjergji Meta, Gëzim Hidri, Greta Tahiraga, Altin Ahmeti, Elvis Goliku dhe Eni Veveçka. Piktori dhe organizatori Robert Përmeti thotë se mes emrave pjesëmarrës janë artistë shqiptarë që vijnë dhe nga Greqia, Italia apo dhe nga Kosova. Në reagimin e tij piktori Përmeti tregon se ka punë në ekspozitë që datojnë që në vitet ’60 nga emra të njohur të artit shqiptar. “Koha e realizimit të pikturave nuk është kusht për ne, sepse secili prezanton veten e tij. Përshembull kemi dhe punë nga viti 1960, 1966. Unë kam një punë të viti 1978, por ka dhe punë të reja që janë realizuar”, tregon piktori Robert Përmeti për ekspozitën e këtij viti “Breza në arte figurative 2020”. Duke folur për artistët pjesëmarrës, Përmeti tregon se artistët që vijnë nga jashtë kanë peisazhet nga Shqipëria në punët e tyre. Duke u ndalur në veprat në skulpturë, organizator dhe kurator i ekspozitës Robert Përmeti thotë se skulptura këtë vit vjen këndshëm. “Vjen me një lloj trilli tjetër. Skulptura në këtë ekspozitë kësaj radhe meriton fjalën qershia mbi tortë. Idriz Balani që vjen me 3 portrete midis të tjerave edhe me një medaljon për Moikom Zeqon. Është Dylber Neziri me 3 skulptura shumë simpatike, nga Librazhdi Gëzim Hidri ka realizime me materiale të bukura, ndërkohë kemi dhe skulptoren Llambrini Dena, që merr pjesë në ekspozitë”, thotë Përmeti. Ekspozita këtë vit sipas tij pati mbështetjen nga Ministria e Kulturës, që krijoi mundësinë për sallën e MHK.