BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Kultura

Ekspozita “Cov-19 Finding Inspiration”, me punime në pikturë në galerinë FAB

Ekspozita “Cov-19 Finding Inspiration”, me punime në

Ekspozita “Cov-19 Finding Inspiration” vjen me punime në pikturë për artdashësit. Ateliea e Pikturës Monumentale dhe Artit Publik në Fakultetin e Arteve të Bukura prezantohet sot me këtë ekspozitë, në galerinë e artit FAB. Ekspozita prezanton punët e diplomave të studentëve, ku artistë e rinj vijnë punime me teknika të ndryshme. Ekspozita përmban pikturë murale, mozaik (pikturë me gurë, natyrale, artificiale), pikturë në transparencë, pra në xham (vitrazh), pikturë murale afresk, pikturë në kanavacë, vaji ose akrilik. Pedagogu dhe kuratori Mikel Temo, njëkohësisht edhe shef i Ateliesë thotë se në ditë kaq të vështira me pandeminë të rinjtë arritën të gjejnë frymëzim. “Ndërkohë që bota u izolua, studentët e Universitetit të Arteve, dega Monumentale, gjetën frymëzimin. Në këtë fund viti shkollor ku studentë, pedagogë dhe e gjithë popullsia u përball më pandeminë dhe izolimin nga virusi Covid -19, puna e studentëve vazhdoi pa ndërprerje online dhe më pas vazhdoi në atelie. Rezultati i kësaj pune është pikërisht ekspozita”, pohon piktori Mikel Temo, kurator i ekspozitës që hapet sot në orën 11:00 në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura. Shef i Ateliesë së Pikturës Monumentale dhe Artit Publik në Fakultetin e Arteve të Bukura, Mikel Temo thotë se ka qenë një proces pune që kaloi mes disa vështirësive gjatë kësaj kohe. “Këto janë punë që konkludojnë studimin tre vjeçar Bachelor si dhe atë Master pesë vjeçar të ateliesë sonë. Duke marrë parasysh vështirësinë në të cilën kaloi i gjithë ky proces, jeni të mirëpritur të suportoni me pjesëmarrjen tuaj punën e këtyre artistëve të rinj, si dhe të shijoni krijimet e tyre artistike”, vijon më tej pedagogu i arteve dhe kuratori Mikel Temo.

Një ekspozitë në periudhë pandemie

Kurator i ekspozitës piktori Mikel Temo tregon se piktura monumentale është e destinuar për hapësirat publike, ku sipas tij me këtë ekspozitë është realizimi fizik i veprave të të rinjve. “Unë jam shef i Ateliesë së Pikturës Monumentale në Fakultetin e Arteve të Bukura. Një ekspozitë e studentëve, ku tani kemi realizimin fizik të projekteve. Këto projekte që u bënë digjitale tani po i zbatojmë realisht, me materialet e duhura. Piktura monumentale është specifike dhe është e destinuar për ambiente publike kryesisht, që ka lidhje me monumente”, pohon piktori Mikel Temo. Kjo ekspozitë që hapet në galerinë e artit FAB vjen në vijim dhe të tjerave, që janë prezantuar më parë. Ekspozita “Cov-19 Finding Inspiration” ( Gjejmë frymëzimin) përmban punime nga artistë e rinj Igli Shterpi, Klajdi Katroshi, Mirushe Kurti, Xhovana Heqimaj, Blerta Koka, Afenisa Demiri, Ajet Halili, Anxhelo Gjonci, Dave Bushaj, Enea Ziu, Eugen Miça, Xhovana Zenkollari, Jona Kadriu, Ermira Isufaj, Enirjeta Selimaj, Eralda Murati, Ligerta Cakoni, Gjovani Marku, Genalda Xhepa, Dea Imeraj, Urtina Gashi. Galeria FAB e ndërtuar në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit te Arteve është një ndër hapësirat më atraktive në Tiranë për ekspozim. Galeria FAB është e pozicionuar në anën e pasme të Universitetit të Arteve, duke i dhënë mundësi të gjithë kalimtarëve si dhe artdashësve ta kenë tejet të lehtë aksesin në këtë ambient. Në këtë galeri arti ku herë pas here prezantohen ekspozita të të rinjve të Fakultetit të Arteve të Bukura në Tiranë nuk kanë munguar dhe ato të profesorëve apo dhe artistëve të tjerë gjatë aktivitetit artistik.