BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Ekspozita “Dritë përtej errësirës” çelet në Shkodër

Ekspozita “Dritë përtej errësirës” çelet

Ekspozita “Dritë përtej errësirës” u prezantua në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë. Në panelet e ekspozitës së ndërtuar nga “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër, vijnë në emra dhe foto, kleri katolik, ortodoks dhe mysliman që vuajti persekutimin komunist, ata që u dënuan dhe u ekzektuan bashkë me të dhënat për katër etapat në të cilat kleri u persekutua derisa vendi u shpall ateist. Ajo që e bën ekspozitën të veçantë, tha Jonila Godole drejtuese e IDMC, është se krahas viktimave si priftërinj, hoxhallarë, imamë e deri prelatë të fesë, vijnë edhe imazhet e atyre që qenë përgjegjës për këto persekutime në kohë të ndryshme nga 1944 deri më 1990. Më tej, Pjerin Mirdita, drejtor i “Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës”, prezantoi të gjitha panelet dhe u ndal edhe te shkatërrimi i objekteve të kultit, ku krahas emrave të klerikëve që humbën jetën, si Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Alfron Tracki, Imzot Vinçenc Prenushi, At Anton Harapi, janë edhe emrat e atyre persekutorëve që morën pjesë në hetimet, gjykimet, torturat e dënimet e tyre. Sipas njoftimit, kjo ekspozitë në Shkodër pasqyron luftën që regjimi diktatorial zhvilloi kundër fesë, strategjinë që ndoqi shteti komunist për asgjësimin e saj, propagandën brutale, që shoqëroi jetën e shqiptarëve për 47 vite, por edhe rezistencën e admirueshme të klerit dhe besimtarëve në përballjen me terrorin përndjekës shtetëror. “Të gjitha këto regjimi komunist i zhvilloi çdo ditë të pushtetit të tij”, thuhet mes të tjerave në njoftim. “Ditët e Kujtesës” e çelin siparin e aktiviteteve, me forumin online: "30 vjet më pas, sa e njohim komunizmin?”. Folësi kryesor i këtij edicioni do të jetë historiani i mirënjohur, prof. dr. Oliver Schmitt (Austri), i cili referoi në ceremoninë e hapjes më 19 shkurt, me temën “Komunizmi në Shqipëri- perspektiva krahasuese”. Përgjatë javës së kujtesës, IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me ISKK, Ambasadën Austriake në Shqipëri, kujto.al, shoqatat e ish- të përndjekurve politikë dhe aktorë të tjerë të fushës sjellin aktivitete me qëllim forcimin e dialogut mbi të shkuarën dhe njohjen më të mirë të regjimit komunist, si: forume diskutimi, prezantim ekspozitash, shfaqje filmash e dokumentarësh, prezantim publikimesh, etj.