BREAKING NEWS

Anti-shpifja dhe emërimet në Kushtetuese, zbardhet data kur Komisioni i Venecias dorëzon opinionin përfundimtar

Anti-shpifja dhe emërimet në Kushtetuese, zbardhet data kur Komisioni
x

Kultura

Ekspozita “Euimage”, me një përzgjedhje skicash satirike në Shtëpinë e Europës

Ekspozita “Euimage”, me një përzgjedhje skicash satirike

Ekspozita “Euimage” përmban një përzgjedhje skicash satirike. Ekspozita u çel këto ditë në Shtëpinë e Europës dhe na fton të pyesim veten mbi ndikimet e stereotipave të lindura gjatë Luftës së Parë Botërore, të cilat ende prekin sot marrëdhëniet mes vendeve europiane. Kuruar nga Andi Tepelena, “Euimage” sjell në qendër të vëmendjes karikatura politike me gjuhë satirike, duke na rikujtuar problemet ndëretnike që kalonin fqinjët dhe veçanërisht Ballkani, si pasojë e politikave konfliktuale, duke e cilësuar madje Ballkanin “fuçi baruti”. Kuratori Tepelena shprehet se analiza kërkimore u përqendrua kryesisht në përzgjedhjen e karikaturave më domethënëse, që kanë në fokus raportet politike të Shqipërisë dhe fqinjët në të gjithë kompleksitetin e atyre dhe pozita e Shqipërisë pas shpërbërjes së perandorisë Osmane. “Kjo na sjell në kujtesë momente të vështira të historisë sonë kombëtare me gjithë rrezikun, që i kanosej integritetit të saj territorial. Në karikaturat e përzgjedhura që trajtojnë atë periudhë sintetizohen me gjuhë grafike ngjarjet politike që kanë polarizuar shumë dhe kanë përkeqësuar veçanërisht marrëdhëniet reciproke midis fqinjëve ballkanikë si Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Në disa karikatura del në pah roli i fuqive të mëdha si ish Perandoria Austro Hungareze dhe Italia nga luftërat ballkanike deri në Luftën e Parë Botërore”, thotë kuratori Andi Tepelena, ku skicat janë të zgjedhura nga arkivat dixhitale të gazetave të ndryshme në të gjithë Evropën. Projekti europian “Euimage”, që i dedikohet lidhjes midis imazhit dhe propagandës të Luftës së Parë Botërore dhe stereotipeve kombëtare bashkëkohore, është kthyer në një ekspozitë shëtitëse e përbërë nga karikatura satirike, postera, fotografi historike dhe komente nga nxënës, studentë, qytetarë shqiptarë e të huaj si dhe ekspertë. “Euimage”, realizohet në kuadër të projektit “New Nations - New National Stereotypes: Lessons from WWI to overcome national stereotypes in the EU” i financuar nga Bashkimi Europian përmes programit “Europa për Qytetarët- Kujtesa Historike”.

Karikaturat, si mjet propagande

Kuratori Andi Tepelena duke folur për ekspozitën “Euimage” shprehet se stili për secilin autor, temat që trajtohen, grafikën, satirë, personazhet, metaforat e karikaturave të botuara në gazeta e revista të ndryshme të asaj kohe mund të përbëjnë çudi në ditët sotme. Por në atë kohë sipas kuratorit Tepelena karikaturat kishin një rol të jashtëzakonshëm, si mjet propagande e fuqishme në duar të qeverive, që fabrikonin stereotipe për qëllime politike. “Rreziku i konflikteve etnike vazhdon të jetë sot e kësaj dite një rrezik real për këto vende, duke zgjatur konfliktin Ballkanik si një shqetësim për sigurinë e Evropës. Politika të vjetra soviniste përplasen me vullnetin dhe dëshirën e këtyre popujve për të jetuar në paqe dhe harmoni dhe një prespektivë të qartë Europiane. Ndaj pikërisht ky projekt vjen në dritën e një vizioni për ta kthyer Ballkanin në një hapësirë kulturore ekonomike, ku popujt që e banojnë të jetojnë në paqe dhe harmoni, në respekt të identiteve reciproke. Disa çështje kufijsh në rajonin tonë të trazuar mbeten ende të hapura. Por është pikërisht integrimi në Bashkimin Evropian përgjigja e të gjitha këtyre frikave shekullore mes vendeve të rajonit”, thotë mes të tjerave kurarorit i ekspozitës, që ka marrë jo pak vëmendje. Ekspozita është hapur në Shtëpinë e Europës në Tiranë, por kuratori Tepelena thotë se projekte të tilla si “Euimage”, ndihmojnë në forcimin e kësaj vetëdijes, me qëllim kapërcimin stereotipet të vjetra dhe mbjelljen e farës së besimit dhe respektit midis popujve fqinjë të rajonit tonë, për të forcuar demokracitë e brishta, qytetarinë dhe respektin për historinë dhe trashëgiminë kulturore Europiane të përbashkët.