BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Kultura

Ekspozita “Euimage” vjen me karikatura satirike, postera dhe fotografi historike

Ekspozita “Euimage” vjen me karikatura satirike, postera dhe

Projekti europian “Euimage”, që i dedikohet lidhjes midis imazhit dhe propagandës të Luftës së Parë Botërore dhe stereotipeve kombëtare bashkëkohore, është kthyer në një ekspozitë shëtitëse e përbërë nga karikatura satirike, postera, fotografi historike dhe komente nga nxënës, studentë, qytetarë shqiptarë e të huaj si dhe ekspertë. “Euimage” përbëhet nga një përzgjedhje me karikaturat satirike nga arkivat dixhitale në funksion të ekspozitës. Imazhet dhe tekstet janë kombinuar në formën e një gazete për të nënvizuar karakterin e fortë didaktik të projektit dhe për ta bërë të mundur qarkullimin e thjeshtë të ekspozitës në vendet e partnerëve të projektit. Kuratori i ekspozitës Andi Tepelena shprehet se “Euimage” na fton të pyesim veten për efektet e stereotipave të lindura gjatë Luftës së Parë Botërore, ku sot pas një shekulli prekin ende marrëdhëniet midis vendeve Europiane. “Thjeshtimet dhe përgjithësimet e realitetit përbëjnë një filtër përmes të cilit qytetarët formojnë mendime rreth kombit të tyre ose vendeve të tjera, duke anulluar dallimet dhe nuancat. Kështu lindin stereotipet, të cilat bëjnë të mundur reduktimin e një komuniteti të tërë në një etiketë të thjeshtë. Origjina e këtyre perceptimeve, ende rilevante në ditët e sotme, shpesh mund të shoqërohen nga veprime propagandistike, të krijuara gjatë luftës së madhe, për të justifikuar konflikte, në të cilin armiqtë përshkruhen sistematikisht si barbarë dhe agresorë”, shprehet kuratori Tepelena. Duke folur për ekspozitën që u hap te “Destil Tirana” kuratori Andi Tepelena vijon se “Euimage” synon të nxisë një reflektim mbi Evropën e njëqind viteve më parë, por dhe Europën e shekullit 21 nën një paqe të brishtë. “Publiku ka mundësi të njihet me një zhanër satirik siç është karikatura politike, e cila është përdor gjerësisht gjatë Luftës së Parë Botërore për të satirizuar "armikun" e jashtëm. Ka disa imazhe karikatura, që janë marrë nga biblioteka kombëtare e Francës, apo arkiva dixhitale të revistave austriake të kohës. Kanë vlerë aktuale sot e kësaj dite, në një kontekst kur kufijtë në Ballkan janë ende të brishtë edhe 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore”, shprehet mes të tjerave kuratori Tepelena.

Ndihma për Shqipërinë

Ekspozita “Euimage” po qëndron hapur për publikun, dhe sipas kuratori Andi Tepelena përmes saj tregohet dhe ndihma që kanë dhënë shtete perëndimore për mbijetesën ekzistenciale të Shqipërisë. “Karikaturat, që janë ekspozuar na japin të kuptojmë në mënyrë artistike dhe humoristike një moment të vështirë të historisë sonë kombëtare dhe ndihmën, që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin sot e kësaj dite në proceset integruese europiane shtete perëndimore për mbijetesën ekzistenciale të Shqipërisë, siç është Austro- Hungaria”, shprehet kuratori Tepelena. Bashkëpunëtorë të ekspozitës janë dhe Mesut Tufan gazetar, historian turk, Ilda Mara eksperte për marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe Nevila Xhindi. “Euimage”, realizohet në kuadër të projektit “New Nations - New National Stereotypes: Lessons from WWI to overcome national stereotypes in the EU” i financuar nga Bashkimi Europian përmes programit “Europa për Qytetarët- Kujtesa Historike”. Partnerë të projektit janë Art Kontakt (Shqipëri); Komuna e Kinselos Balsamo (Itali); Universiteti i Studimeve në Trieste (Itali); Universiteti Sapienza në Romë, Universiteti Kaunas ( Lituani), Freie Universitat (Gjermani) dheVilla Vigoni, qendra italo- gjermane për ekselencën europiane.

Nga Julia Vrapi