BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

Ekspozita “Gjuha shqipe dhe alfabeti tek drejtshkrimi”, hapet në Kalanë e Tiranës

Ekspozita “Gjuha shqipe dhe alfabeti tek drejtshkrimi”, hapet

“Gjuha shqipe nga alfabeti tek drejtshkrimi” titullohet ekspozita, që u çel në Kalanë e Tiranës. Ekspozita fotografike dhe dokumentare u çel nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim në ATSH-në (Agjencia Telegrafike Shqiptare) dhe Kalanë e Tiranës. Në të përfshihen dokumente dhe fotografi nga Kongresi i Manastirit deri tek Kongresit i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili u mbajt në Tiranë në datat 20-25 nëntor 1972. Për qytetarët për të parë nga afër fotografitë dhe dokumentet, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor. Ekspozita fotografike dhe dokumentare, që u çel në kalanë e Tiranës është në vijim të veprimtarive që po zhvillon gjatë kësaj kohe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Ekspozita u hap në datën 20 nëntor, që shënohet 48-vjetori i Kongresit që unifikoi gjuhën shqipe standarde. Pikërisht, më 20 nëntor të vitit 1972 u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare. Një kontribut të rëndësishëm dhanë me punimet e tyre në këtë Kongres edhe delegatët e të ftuarit nga vatrat e ndryshme të etnisë shqiptare. Mes 87 delegatëve, kishte pjesëmarrje të gjerë të studiuesve e gjuhëtarëve nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Arbëreshët e Italisë. I njëzeti në listën e nënshkruesve të Kongresit të Drejtshkrimit ishte edhe profesori arbëresh Josif Ferrari, i cili u përzgjodh si delegat, për shkak të profilit të tij si studiues dhe profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Barit. Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Ai pasqyron gjendjen e sotme dhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit. Duke ngritur në një shkallë më të lartë traditën e shkrimit të shqipes, drejtshkrimi i sotëm synon njësimin e mëtejshëm të normës së gjuhës letrare kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj.