BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Kultura

Ekspozita “Jetët e të tjerëve” në galerinë FAB, me veprat e piktorit Hasan Nallbani

Ekspozita “Jetët e të tjerëve” në galerinë

Ekspozita “Jetët e të tjerëve” vjen për publikun me vepra në pikturë të autorit të njohur Hasan Nallbani. Ekspozita në galerinë e artit FAB prezanton punë të ndryshme të autorit të njohur Hasan Nallbani, ku një pjesë e tyre sipas piktorit prezantohet për herë të parë për publikun. Platforma e Artit Bashkëkohor “Harabel” sjell këtë herë për publikun ekspozitën “Jeta e të tjerëve”, që është e kuruar nga Ajola Xoxa dhe pedagogu i arteve Vladimir Myrtezai. Piktori Hasan Nallbani një nga emrat e vlerësuar me veprat e tij ndër vite në pikturë, shprehet se kjo ekspozitë vjen pas asaj personale që u çel më 2016 te universiteti “Polis”. Këtë herë për veprat e tij piktori shprehet mes të tjerave, se figura njerëzore është në qendër të krijimtarisë.

“Figurat njerëzore, unë atë dua të prezantoj, por dhe titulli është shumë i saktë në ekspozitën. “Jetët e të tjerëve” është ambienti, janë njerëzit që të rrethojnë, janë ngjarjet që jetojmë, ngjarjet që të shtyjnë të reflektosh. Në një kuptim ajo nuk përjashton jetën tënde. Jeta jote është e tyre, është si të thuash jeta e piktorit është pas telajos, ose në qosh të telajos. Edhe kuratorët kanë gjetur ato piktura, që kanë zgjedhur nga veprat e mia në këtë ekspozitë, që hyjnë në këtë linjë”, pohon Nallbani.

Piktori tregon se për këtë ekspozitë me vepra të krijimtarisë së tij, këtë herë kanë punuar dhe kuruar Ajola Xoxa dhe Vladimir Myrtezai, ku sipas tij janë marrë vepra të ndryshme dhe një pjesë prezantohet për publikun. “Kuratorët që kanë marrë përsipër të bëjnë ekspozitën time e kanë menduar, që ta ndërtojnë me këtë titull “Jetët e të tjerëve”. Punët janë bërë këto dy-tre vitet e fundit. Kuratorët kanë marrë shumë punë, janë marrë mbi 60 vepra, por nuk janë ekspozuar të gjitha dhe për shkak të ambienteve të galerisë, sepse është vendi i kufizuar. Janë punë, që një pjesë prezantohen për herë të parë në publik”, tregon mes të tjerave piktori Hasan Nallbani. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 4 shkurt në galerinë FAB.

 Aktiviteti ndër vite

Hasan Nallbani ka lindur në vitin 1934, në qytetin e Beratit (Shqipëri), ku kreu edhe arsimin tetëvjeçar. Filloi të ndjekë liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë në vitin 1949 dhe që prej atij viti ka qenë student i piktorit Nexhmedin Zajmi deri në vitin 1954, vit në të cilin punoi si skenograf në Teatrin Popullor në Tiranë. Studimet e larta i kreu për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, (1959-1964), në atelienë e piktorit Guri Madhi.

Ndër tablotë e para të paraqitura prej tij renditen “Refugjatët”, si dhe një sërë peizazhesh nga Tirana. Hasan Nallbani ka fituar çmimin e tretë në konkursin kombëtar të artit me tablonë “Letër nga shtabi” më1968, është paraqitur me ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve më 1984 dhe po në të njëjtin vit ka marrë pjesë në Bienalen e Aleksandrisë (Egjipt). Piktori Hasan Nallbani ka ekspozuar në Bienalen e Ankarasë (Turqi) 1986-1988. Pas viteve ’90 ka vijuar me një sërë ekspozitash në Tiranë (GKA), Berat, Vlorë, Shkodër etj. Ka ekspozuar në Francë në 1993 në “Magazin” dhe në “Mediterranea” në Bari Itali më 1998. Piktori Nallbani është cilësuar Artisti Pamor më i Mirë i Vitit 2008 dhe është vlerësuar me çmimin e konkursit ndërkombëtar “Onufri” në 2010. Hasan Nallbani është projektuesi i muzeut ikonografik “Onufri” në mjediset ndihmëse të katedrales së “Shën Marisë” në kalanë e Beratit.