BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Ekspozita “Koha”, një instalacion artistik ndërtuar me orë nga Oltsen Gripshi

Ekspozita “Koha”, një instalacion artistik ndërtuar me

Orët janë pjesë e instalacionit artistik në ekspozitën “Koha”. Ekspozita personale e artistit bashkëkohor Oltsen Gripshi organizohet nga “MuZEH Lab”, hapësira më e re artit bashkëkohor në Durrës. Ekspozita që u hap këto ditë vjen e kuruar nga Dorina Xheraj Subashi. Ky projekt u mbështet edhe nga teatri “Aleksandër Moisiu”. Artisti bashkëkohor Oltsen Gripshi i pyetur rreth ekspozitës tregon se mesazhi që ka dashur të përcjelli është se qenia njerëzore është boshti i gjithësisë, pasi pa njeriun a do të ekzistonte koha? “Koha është fillimi dhe mbarimi i një veprim, por edhe e padukshme, e prekshme, duke jetuar ndërsjell brenda njëri-tjetrit, qenia njerëzore brenda kohës dhe ajo brenda tij. Prandaj, është një kohë abstrakte, e matematizuar. Provat e këtij abstraksioni qëndrojnë në faktin se për mekanikën klasike koha është e kthyeshme: lëvizja, e përkthyer në gjuhën e gjeometrisë analitike, mund të zbërthehet në çaste precize dhe të udhëtojë në të dy drejtimet e kronologjisë. Koha e kthyeshme është ajo e lëvizjes së lavjerrësit, e cila gjithmonë mund të lexohet prapa pa mospërputhje”, shpjegon artisti. Në tekstin kuratorial, Dorina Xheraj Subashi shprehet se instalacioni “Koha” i artistit bashkëkohor Oltsen Gripshi, në vetvete kërkon të përfshijë brenda saj aktivizimin me komunitetin, duke krijuar një dialog e reflektim rreth kohës së shkuar, në bashkëkohësinë që jetojmë dhe thurjes së saj në të ardhmen. “Artisti nëpërmjet këtij instalacioni monumental kërkon të ngërthej kohën si ndjesi brenda qenies njerëzore, si përjetim i vegimeve vetmitare, si substancë molekulare që përbën kozmosin, si hapësirë pa vëllim, si hapësirë mendore shumëngjyrëshe, duke e muzealizuar atë brenda një hapësire muzeore”, shprehet ajo. Natyrshëm lind pyetja a mund ta muzealizojmë kohën? A është koha materie e prekshme, ku lundron gjurma njerëzore apo është thjesht një perceptim konceptual i artistit Gripshi? Ne jetojmë me kohën brenda apo jashtë saj pa kohë? Çfarë ngjyre ka koha? Çfarë përmase ka ajo? Çfarë moshe? A ndikon koha në formësimin tonë si materie fiziologjike? Mos ndoshta koha frymon me grimcat e frymëmarrjes tonë? Për kuratoren Dorina Subashi, të gjitha këto dilema pikëpyetje artisti i konkretizon përmes simbolikës së orës, e cila shpërfaqet si semiotikë e vetë kohës.

Orët jo thjesht sende

Ekspozita “Koha” u hap këto ditë për publikun në qytetin e Durrësit dhe kuratorja Denisa Subashi shprehet se për artistin Oltsen Gripshi, koha është një “krijesë” e pavdekshme, e cila jeton in aeternum, ku nuk ka as lindje dhe as vdekje! “Oltsen Gripshi përmes këtij instalacioni konceptual thellohet në hulumtimin e hartës së kohës si përmasë jetësore, ku përpos orëve ai bën bashkë retë fluturuese, si edhe fjalët; e shkuara, e tashmja, e ardhmja si kode konceptuale për të përshkruar estetikën e kohës apo kohën si estetikë, ku shqetësimet sociale bëhen pjesë përbërëse e saj bashkë me sëndukun 100 vjeçar të trashëgimisë familjare të gjyshes së tij, i cili mbart në brendësi peshën e kohës si rrëfenjë e një kujtimi eremit!”, shprehet Subashi. Orët në këtë instalacion artistik nuk janë thjesht disa sende të varura jashtë funksionit të çfarëdo stili, ngjyre, materiali dhe epoke, pra të mpira pashpirt, por ato mbartin historinë e rrugëtimit jetësor të secilit prej atyre që kanë dhuruar një të tillë, duke lënë gjurmë mbi rripin e orës me emër mbiemër. Një zgjedhje e artistit Oltsen Gripshi, që vepra të mos mbetet e shkëputur nga publiku, përkundrazi vetë publiku të bëhet pjesë përbërëse e saj me rrahjet e tik-takut ku ora mbështetet, duke mishëruar njëherazi alkiminë e ekzistencës së kohës. Ekspozita do të qëndrojë për publikun deri më datë 1 të muajit maj.