BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Kultura

Ekspozita “Miss Mary Edith Durham”, kushtuar “Mbretëreshës së Maleve”

Ekspozita “Miss Mary Edith Durham”, kushtuar

Muzeu Historik Kombëtar sjell virtualisht ekspozitën “Miss Mary Edith Durham”, hapur me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së "Mbretëreshës së Maleve” Mary Edith Durham (1863-1944), artiste, shkrimtare e shquar britanike. Durham u bë e famshme për shkrimet e saj antroplogjike rreth jetës së Shqipërisë në fund të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX. Ekspozita përmban fotografi dhe skica të realizuara nga Edith Durhami gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare. Pas hapjes së ekspozitës u zhvillua konferenca shkencore me pjesëmarrjen e studiuesve të fushave të ndryshme, të cilët me kumtesat e tyre sollën prurje të reja në lidhje me mbresat e udhëtimeve të Edith Durhamit në trojet shqiptare. Kur u hap ekspozita, në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi u ndal në veçanti në rolin dhe kontributin e çmuar të Edith Durham në çështjen shqiptare dhe veprimtarinë e saj të dendur në Shqipëri, ku ajo ndërmori rreth 7 udhëtime në vendin tonë duke lënë pas një histori të tërë në pasqyrimin e jetës së shqiptarëve dhe rolit të tyre në rajonin e Ballkanit. “Kjo ekspozitë është një pasqyrë e qartë e kontributit të Miss Edith Durham si një pjesë e pandashme e historisë moderne të kombit shqiptar. Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe i dashur, sepse ajo nga dita që shkeli në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti e vlerat e shqiptarëve”, tha ai. Shqiptarët e nderojnë akoma edhe sot Durham. Ajo u mirëprit nga malësorët shqiptarë dhe gjatë kalimit të saj në këto vise nuk pati asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër e vetme. Përshtypje të mbetura nga Shqipëria ishte tradita e “Burrneshave Shqiptare”, që ishte një zakon ku femrat visheshin si burra dhe kishin një pozitë të qartë në shoqëri. Shumë nga punët e Durham i janë dhuruar akademive të koleksioneve pas vdekjes. Në ditët e sotme, dokumentet e saj mbahen nga “Museum of Mankind” dhe Royal Anthropological Institute (Instituti Mbretëror Antropologjik) në Londër, ndërsa koleksioni i saj me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhet në “Pitt Rivers Museum” në Oksford dhe Bankfield Museum në Halifaks.