Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Kultura

Ekspozita “PranverArt” në edicionin e 11-të, artistët: E mbajmë gjallë me forcat tona, nuk ka vëmendje nga institucionet

Ekspozita “PranverArt” në edicionin e 11-të,

Ekspozita "PranverArt” një aktivitet, që bën bashkë piktorë dhe skulptorë të ndryshëm do të hapet në 16 shtator në Muzeun Historik Kombëtar. Këtë vit ekspozita bën bashkë 66 autorë, që marrin pjesë me punët e tyre në pikturë dhe skulpturë në edicionin e 11 të “PranverArt”. Një nga ekspozitat që prej vitesh zhvillohet në vendin tonë, duke u bërë pjesë e jetës artistike në Tiranë. Një krijimtari e larmishme, ku publiku dhe këtë vit do ta gjejë në sallën e ekspozitave në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita zhvillohet në një kohë të vështirë prej pandemisë, por organizatorët kanë lajmëruar për ekspozitën që do të tregohet kujdes duke respektuar rregullat. Piktori Llazar Taçi si dhe skulptori Maksim Bushi dy artistët të njohur me aktivitetin e tyre shprehen, se edhe këtë vit ekspozita e pranverës realizohet vetëm me kontributin e vetë artistëve. Si një nga bashkorganizatorët piktori i njohur Llazar Taçi shprehet se veprat do të prezantohen në sallën e ekspozitave në muze, dhe deri më datë 24 shtator do të jenë për publikun. “Mbas një pranvere të trishtë për gjithë vendin tonë dhe jo vetëm, ju ftojmë të nderuar miq artdashës, në ambientet e ekspozitës tonë të radhës "PranverArt 11 - 2020", që inaugurohet në sallën e ekspozitave të Muzeut Kombëtar Historik, më 16 shtator 2020, ora 18.00 dhe qëndron e hapur deri më 25 shtator. Kujdes, maskat mbrojtëse me vete”, njofton ai. Piktori Llazar Taçi kur vetëm disa ditë na ndajnë nga hapja e ekspozitës thotë mes të tjerave, që në 11 vjet vjet vetëm dy herë pati mbështetjen e institucioneve si projekt. “Ekspozita “PranverArt”, në jetën artistike është zhvilluar vetëm me kontributin e vetë artistëve ndër vite. Vetëm vjet ne patëm një mbështetje nga Bashkia e Tiranës. Më pas gjithë këto vite është bërë vetëm me forcat tona dhe sigurisht, që ka qenë e vështirë realizimi i saj. Vetëm në vitin 2010 si aktivitet që pati ndihmë dhe vjet. Pra në kaq vite nuk është se ne kemi pasur ndihmë nga institucionet. Institucionet jo vetëm që nuk na kanë ndihmuar, por dhe kur i kemi çuar ftesa nuk kanë denjuar që të vijnë, por dhe nga Ministria e Kulturës jo e jo dihet kjo, që as nuk na kanë mbështetur ndër vite. Kjo ekspozitë është dëshira jonë e mirë për ta çuar përpara këtë aktivitetet”, pohon piktori i njohur Llazar Taçi.

Punët në ekspozitë

Ekspozita e pranverës u ndërpre në vitin 1972 dhe nuk u zhvillua më. Por që nga viti 2010 kjo është një ekspozitë, që vazhdon pa ndërprerje. Si një nga bashkorganizator piktori i njohur Llazar Taçi thotë se artistët prezantohen me një ose dy punë, kjo varet nga dimensionet që kanë. Sipas tij këtë vit janë artistë nga Shqipëria, por dhe artistë të tjerë që jetojnë në Kosovë dhe jashtë vendit. “Ekspozita këtë vit ka një përfshirje 66 autorë, që janë nga Shqipëria, Kosova por dhe të tjerë autorë shqiptarë që jetojnë në Greqi. Disa piktorë në punët e tyre kanë dhe reagime për këtë kohë me pandeminë”, thotë piktori. Skulptori i njohur Maksim Bushi shprehet se ekspozita e pranverës që këtë vit vjen në edicionin e 11 sjell një krijimtari të re, janë vepra arti që prezantohen për herë të parë për publikun. “Ne si artistë e mbajmë vetë gjallë aktivitetin nga energjia, që kemi për krijimtarinë. Në ekspozitë është krijimtari e re, si në çdo vit që ne prezantohemi me punë të reja”, shprehet skulptori Maksim Bushi, si një nga bashkorganizatorët e ekspozitës. Ekspozita “PranverArt” ishte parashikuar të zhvillohej me herët gjatë muajve të pranverës, por për shkak të problemeve që erdhën si shkak i pandemisë po hapet në shtator në muze.