BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

Eliona Thomaraj: Kushton më shumë një kompjuter se sa puna e një regjisori në Shqipëri

Eliona Thomaraj: Kushton më shumë një kompjuter se sa puna e

Problemet me kinematografinë në vendin tonë janë dhe në financimin, që bëhet për projekte të ndryshme me filmat. Për krijuesit e filmave në vend vështirësitë me të cilat përballen janë nga më të ndryshmet, një pjesë shkak i buxhetit që akordohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Nëse flasim për animacionin, gjithashtu përballet me jo pak vështirësi në realizimin e tij, por për regjisoren Eliona Thomaraj projekti i saj “Legjenda e vendit të t’shenjtë” që u financua me 5 milionë lekë të vjetra nga QKK, bëri që të zgjatej dhe koha për realizmin e tij. Në një reagim regjisorja, e cila pret që ta shfaq këtë film premierë vitin që vjen thotë se me atë buxhet që mori në 2017 ishte një penalizim për atë si autore. “Në vitin 2017 doli një mënyrë aplikimi e filmit indipendent eksperimental të animuar, që do të thotë jepej një shumë prej 5 milionë lekësh të vjetra minus 15 për qind TVSH. Ndërkohë dihet që filmi i animuar e ka kuotën deri në 20- 25 milionë lekë të vjetra. Që këtu ne që ishim për herë të parë me aplikime në QKK gabuam dhe morëm përsipër të bëjmë një film të animuar, me 5 milionë lekë të vjetra. Ne jemi të penalizuar. Pikërisht kjo është dhe arsyeja, që na mbeti kaq kohë e gjatë filmi i animuar pa mbaruar. Buxhetet e pakta për filmat penalizojnë autorët”, pohon regjisorja. Filmi që Thomaraj sapo ka mbaruar është me skenar prej saj, një prodhim në fushën e animacionit që siç ka pohuar dhe më parë është një film familjar. Por me kritika për çfarë ndodh sot me krijuesit dhe buxhetet e pakta që jepen, si regjisore Eliona Thomaraj shton më tej se buxheti i paktë solli vështirësi, por nuk u arrit as që të gjendeshin sponsorë për ndihmë në film. “Nuk ka pse të bëjë një autor një film me 5 milionë lekë të vjetra, nuk ka se çfarë të bëjë. Në 2017 fitoi ky projekt dhe në 2018 u lëvruan fondet për filmin. Ishte shumë e vështirë dhe ne nuk arritëm të gjenim asnjë sponsor”, thotë mes të tjerave regjisorja Eliona Thomaraj.

Puna me profesionalizëm

Sipas regjisores realizimi i një filmi kërkon një punë me mjaft profesionalizëm, por kur ke një buxhet të paktë sipas saj shumë gjëra të mungojnë. Të gjendur në këtë situatë, regjisorja Thomaraj thotë se i gjithë grupi i punës për filmin bashkoi forcat, që ky projekt të vijonte të zhvillohej si duhej. “Të gjitha penalitetet nga buxheti mua më mësuan, që kurrë më një film me një buxhet kaq të vogël. Të marr një iniciativë kaq të madhe, që të sjell legjendat shqiptare në një film të animuar për fëmijët dhe familjet shqiptare, kur ke një buxhet kaq të vogël përballesh me vështirësi të jashtëzakonshme. Kjo punë me filmin është bërë e gjitha me forcat tona, apo vullnetare. Ne nuk duam të bëjmë një punë shkel e shko, sepse ne mund të kishim bërë ja 4 zhgarravina është indipendent, eksperimental, dhe fillonim bënim gjërat më të thjeshta, gjërat më minimaliste për të thënë që kaq buxhet na dhatë, kaq do bëjmë. Ndërkohë që ambicia e grupit tonë të punës ishte, që të ne të sjellim legjendat shqiptare në filmat e animuar në mënyrë më të mirë të mundshme”, tregon regjisorja për punën me filmin e animuar. Për regjisoren Eliona Thomaraj buxhetet për projekte e filmave në vend duhet të rriten. Sipas saj, ndërsa niveli teknologjik është lart ai artistik në projekte të ndryshme ka probleme, sepse ndikon dhe buxheti. “Në Shqipëri nuk bëhet fjalë vetëm për filmin, teatrin apo muzikantin, por në përgjithësi tregu ynë është shumë i vogël, ku e gjithë teknologjia që ne përdorim për të bërë një film është në hapin e kohës, por në të vërtetë artistët nuk paguhen siç çdo artist apo krijues në shtetet e tjera. Regjisori duhet të përplaset tek montazhierët që kanë kompjuter të fuqishëm, kanë programe të mira për punën, etj. Tek ne niveli teknologjik ka shkuar lart dhe niveli artistik ka mbetur poshtë. Kushton më shumë një kompjuter, se sa puna e një regjisori në Shqipëri. Kjo është fatale. Buxhetet për filmat duhet të rriten”, thotë Thomaraj. Edhe më parë regjisorja Eliona Thomaraj ka folur për filmin e saj me legjendat shqiptare, duke pohuar dhe rëndësinë e këtij projekti.