Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Elma Doresi: Nëse punon të flakin nga Teatri, regjisorët e huaj i presin në darka e bankete, neve nuk na presin as në aeroport pas shfaqjeve jashtë...

Postuar: 04/09/2018 - 07:18

 Në skenën e Teatrit Kombëtar regjisorja Elma Doresi ka vënë vepra teatrore, që kanë mbushur sallën. Por për regjisoren Doresi arsyet e ndërprerjes së kontratës me Teatrin Kombëtar bien ndesh me vendimet, që janë marrë ndaj saj. Në intervistën për “SOT” regjisorja Elma Doresi tregon se çfarë ka ndodhur këtë herë me punën e saj në Teatrin Kombëtar dhe kundërshton ndërprerjen e kontratës. E angazhuar disa vite me shfaqje dhe projekte të tjera në TK, regjisorja pohon se shfaqjet e saj kanë sjell dhe 10 mijë spektatorë. Pjesë e intervistës me regjisoren Elma Doresi janë dhe problemet që shqetësojnë komunitetin artistik. Regjisorja pohon se jo vetëm që duhet të plotësohen kërkesat e tyre për jetën artistike dhe kushtet e punës, por dhe duhet të mbahen premtimet nga institucionet. Regjisorja Elma Doresi, e cila ka marrë pjesë në disa festivale të teatrit me shfaqjet e saj pohon gjithashtu se është ndjerë e fyer nga “heshtja” e Ministrisë së Kulturës.

-Ju pohoni se ju është ndërprerë kontrata me Teatrin Kombëtar dhe se kjo nuk është e drejtë. Çfarë ka ndodhur?

Jam shprehur se arsyet e ndërprerjes së kontratës bien ndesh me vendimet e marra kundrejt meje. Mendoj dhe jam e bindur se janë kontradiktore mbi çfarë është e shkruar, dhe mbi atë që më është thënë. Mendoj se isha një ndër njerëzit, që punuan shumë në atë institucion, sidomos në vitin që lamë pas. Struktura e teatrit është publike. Ju takon ju të listoni emrat dhe punët e secilit dhe aty do të gjeni se: nuk duhet të punosh. Se duhet të rrish pa punuar, që të kesh vazhdimësi. Kontratat në institucion janë në marrëdhënie me individin dhe institucionin e jo për bashkëpunime. Ta sqarojmë edhe këtë. Jam shprehur se nëse punon të flakin jashtë. Mendoj se ky ishte gabimi im (qesh). Shfaqjet e mia në Teatrin Kombëtar e lanë shenjën e tyre. Duhet thënë se jo vetëm Kryeneçja, e cila solli 10.000 njerëz në teatër e vajti deri në Kinë, por edhe "Vdiq mbreti, rroftë mbreti", shfaqje e cila pati fatin e saj të "keq" të ndeshej me të ftohtin e janarit, rezultoi me shitje më të larta të sezonit, që lamë pas mbi produksionet e teatrit. Verifikojini!

 

-Për ju çfarë duhet të ndryshojë në funksionimin e Teatrit Kombëtar?

Si fillim dëgjova se është shkrirë bordi i Teatrit Kombëtar! Pra vetë "Unë jam Maliqi dhe ky është shkopi im dhe unë vendos tashmë". Absolutisht duhet të rikthehet bordi. Në këtë mënyrë çdo gjë bëhet transparente dhe eliminon çdo pikëpyetje apo "pengesë". Një shqetësim i imi ka qenë dhe parkimi për stafin artistik të Teatrit Kombëtar. Aktori lodhet nga puna, aktori del nga shfaqja i djersitur, aktorit i ndodh të dali dhe në 02:00 të natës nga salla. I kam dërguar një sms kryetarit të bashkisë me emrin tim dhe stafit tim diku në muajin dhjetor në mos gaboj të 2017. Nuk mora kurrë përgjigje prej tij. Ndonëse një nga premtimet e tij në takimin me artistët kur kandidonte ishte pikërisht kjo: kushtet dhe parkimin për artistët. Tjetër gjë, meqenëse fjala "qarkullim" dhe unë jam një tani (qesh), do doja që vërtet të "qarkullonin" artistët. Por jo si "qarkullimi im" nga teatri në shtëpi. Aspak. Të qarkullojnë aktorët, regjisorët. Dua regjisorin e Vlorës të vijë një sezon në Teatrin Kombëtar, dhe që aktori i Shkodrës të vijë një sezon në Teatrin Kombëtar, sikundër regjisori i TK të shkojë në Korçë e të punojë atje një vit. Por dua që këtë shkëmbim ta bëjnë dhe në pagesë. Le të shohin secilin dhe kushtet e kolegëve se si punojnë dhe le ti jepet mundësia secilit të prekë nga afër çdo skenë.

-Për Teatrin Kombëtar ka pasur dy qëndrime nga artistët. Një pjesë për të mos lejuar shembjen e tij dhe të tjerë që kërkojnë po në atë vend një teatër të ri. Çfarë mund të na thoni për qëndrimin tuaj?

Unë mendoj se të gjithë mendojmë njësoj pavarësisht se si serviret apo thuhet lart e poshtë. Mendoj se të gjithë e duam një teatër të ri me kushte të mira për ne dhe publikun, por njëkohësisht të gjithëve na dhemb Teatri Kombëtar. Unë personalisht e kalova në kurrizin tim me shfaqjen në janar. Mu desh të takoja njerëzit, që çoheshin nga salla, sepse ishte ftohtë. Pashë sallën plot dhe bosh njëkohësisht prej kushteve. Jam shprehur madje se duhej një ndryshim, se duhej një teatër i ri. Ndoshta u tregova egoiste, sepse po mendoja për veten time?! Ose e nxituar. Kolegët e mi, të cilëve sot i përulem publikisht për gjithë forcën e tyre, më ndihmuan të kuptoja se kishte diçka mbi atë dhe quhej: Histori! Ajo do të humbi. Vërtetë që historinë e bën njeriu dhe jo muret, por në ato mure secili prej nesh ka kujtesën e tij. Familja ime ka kujtesën e saj aty, unë kam kujtesën time, çdo qytetar i Tiranës ka kujtesën aty. Lëreni aty ku është. Regjisorët dhe një dhomë të vogël krijojnë konceptet dhe nuk është aspak e vërtetë fjalia se: ka kondicionuar regjisorët ajo sallë. Daleni miq, se nga ajo sallë kanë dalë ata artistë, që ne sot i kemi e histori. Pastaj pashë publikun. Ai e do atë godinë ashtu siç është. Dhe aty vendosa të hidhja firmën për mos prishjen e teatrit në emër të publikut, të atyre njerëzve që sot unë jam kjo që jam. Përderisa do të shembet, rindërtojeni siç është. E njëjta formë, por me kushtet optimale. Dhe historia mbetet dhe kushtet përmirësohen. Ose rikonstruksion i asaj, që është dhe ndërtimi i një teatri të ri diku tjetër. Ky është qëndrimi im. Nëse është e vërtetë se prishja e Teatrit Kombëtar nuk do preki territorin e tij dhe meqenëse thuhet se ka rrezikshmëri etj, atëherë unë jam për rindërtimin e godinës ekzistuese. Pra të rindërtohet siç është.

-Puna juaj ku ka qenë e fokusuar në vitet që ju keni qenë në Teatrin Kombëtar?

Nga 2015- 2016 konkursi i Netëve të Leximit të Dramës Shqipe 2. Lexim i veprave, përzgjedhja e tyre. Kurimi i 7-të veprave nga 10-të përzgjedhura. Më 24. 11. 2015 100-vjetori i Kol Jakovës. Nga 2016-2017 “Zbutja e Kryeneçes, 19 net me sallën plot. 2017-konkursi i Netëve të Leximit të Dramës Shqipe 3 (sezoni i parë, leximet e veprave në janar ). Rikthimi 20 ditë prova i “Zbutjes së Kryeneçes” në shtator pas 1 viti e gjysëm shkëputje me 5 aktorë zëvendësues. Pjesëmarrja në dy festivale teatri në Kinë nga 15-30 shtator. Fund tetori 2017 - 4 shkurt 2018 realizimi i projektit teatror "Vdiq mbreti, rroftë mbreti".

 -Ju prej vitesh jeni me veprat teatrore në skena. Por me çfarë përballet sot një artist, cilat janë vështirësitë në jetën artistike ?

Jo luftën artistike normalisht. Në 10 vite investim njoha brrylat dhe grushtat e një bote, që nuk i përkiste skenës. Njerëz të mbushur me mllefe dhe të palumtur. Aq më tepër një femër, vajzë apo grua. Vështirësitë janë edhe më të mëdha dhe nuk mundohet të fshihet forca e "mashkullit" në këtë rast. Kur personalja të ndaloj e ti lë hapësirë profesionales atëherë ndoshta do të ulemi e do të flasim shtruar mbi problemet dhe shqetësimet artistike.

-Artistët nuk kanë as status një kërkesë e tyre prej vitesh, por deri tani vetëm premtime nga ministria. Çfarë kërkoni?

Statusin urgjentisht! Mbështes kolegët e mi me këtë kërkesë, që duhej të ishte bërë vite më parë. Dhe diçka, stimulim ndaj artistit. Ka aktor/aktore shumë të talentuar që i japin shpirtin skenës, që sjellin publik në teatër, që sjellin figura artistike të arrira, e këto artistë duhen urgjentisht të stimulohen në shumë drejtime. Mos t’i vrasin artistët!

-Çfarë mendoni për festivalet e teatrit. Për ju si zhvillohen dhe ku duhet përmirësim në këto festivale?

Pse kemi festivale teatri ne?(qesh). Nuk kam qenë pjesë e kompeticioneve në Shqipëri, vetëm dy herë, në Fier dhe në Elbasan. Kam simpati të madhe për festivalin e “Skampës”, si edhe çmoj padiskutim festivalin e Butrintit, ku duhet të marrim shembull me trupat pjesëmarrëse. Festivalet nuk duhen të bëhen: Elma çfarë vepre ke ti dhe a do ta sjellësh tek unë. Aspak! Zotërinjtë e festivaleve duhet të më kenë parë, duhet të kenë një komision përzgjedhës, duhet të nxjerrin kritere për të qenë pjesë e festivalit. Dikur në Francë kur tentova të konkurroja në festival më thanë: zonjushë je me vonesë, duhet të flisnim 6 muaj përpara. Ndërsa tek ne nuk ka një gjë të tillë. Nuk ka kritere dhe çdokush mund të bëhet pjesë e një festivali, mjaft të kesh një "shfaqje".

 

-Në politikat e artit dhe kulturës në vend për ju çfarë ka munguar nga Ministria e Kulturës dhe çfarë kërkoni për institucionet dhe artistët në politikat e saj?

 

Mungon vlerësimi. Një regjisor i huaj merr shumë benifite në të gjitha aspektet. Një krijues shqiptar, i cili merr 1/4 e fondit nuk ka asnjë benifit. Konkretisht vajtëm në Kinë! Nuk më erdhi një mesazh nga institucionet kulturore, asnjë urim. Nuk më bëri kush një pritje kur u kthyem. E vetmja që na nderoi dhe e them publikisht këtë ishte zonja ambasadore e Kinës në Shqipëri. Askush tjetër. Lajmi nuk u menaxhua nga Ministria e Kulturës. E vetmja që më duhej të merresha përpos rivendosjes së veprës me 5 aktorë zëvendësues e që duhet të riformoja shfaqjen isha unë, edhe më duhej dhe të menaxhoja lajmin e festivaleve. Ndërkohë për regjisorët e huaj, me gjithë respektin, por qoftë dhe vendosjen e një premiere u shtrohen bankete e darka. Më falni, por ky është një shqetësim shumë i madh dhe unë jam ndjerë e fyer nga gjithë kjo "heshtje" e ministrisë.

-Si do vijojë sezoni artistik për ju edhe pse me probleme keni treguar se nuk i ndalni projektet?

Unë nuk i ndal projektet, mua mi ndalin projektet. Kam arkivën time private në të cilën janë veprat që unë do të realizoj në të ardhmen. Po ku?! Do të pres ftesat përsëri nga teatrot, dhe jam e hapur për bashkëpunime përherë.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 5. Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 08:05

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit nis mbrëmjen e sotme dhe është cilësuar si ngjarja më e rëndësishme teatrore e vitit nga Teatri Kombëtar. Ky festival organizohet me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Postuar: 23/09/2018 - 08:03

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjell premierën e re “Kumt&rdqu

Postuar: 23/09/2018 - 07:58

Krijimtaria në vend nuk mbështetet sa duhet për zhvillimin e saj, por problem mbetet dhe zbatimi

Postuar: 22/09/2018 - 08:24

Ekspertë nga “Europa Nostra”, organizata kryesore e trashëgimisë në Europë dhe Instit

Postuar: 22/09/2018 - 08:05

Artisti i njohur Saimir Strati do të çelë ekspozitën e tij në Suharekë.

Postuar: 22/09/2018 - 07:58

Studiues dhe historianë u bënë bashkë në aktivitetin, që sillte në vëmendje pasurinë kulturore në

Postuar: 22/09/2018 - 07:54

Grupi polifonik “Ergjëria” dhe artisti i njohur slloven Marko Hatlak çelën edicionin