BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Kultura

 Elva Margariti: Mozaiku i Tiranës, një nga dëshmitë historike dhe kulturore

 Elva Margariti: Mozaiku i Tiranës, një nga dëshmitë

Puna për konservimin dhe restaurimin e Mozaikut të Tiranës ka nisur nga specialistët. Ministrja e Kulturës Elva Margariti zhvilloi një vizitë te Mozaiku i Tiranës, ku shprehet se ndërhyrjet synojnë stabilizimin e gjendjes. “Mozaiku i Tiranës është një nga dëshmitë historike, kulturore më domethënëse të qytetit. Me gjithë kujdesin e vazhdueshëm, koha ka lënë gjurmët e veta në këtë monument, ndaj dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore së bashku me Drejtorinë Rajonale të Tiranës kanë nisur punën për konservimin dhe restaurimin e tij. Ndërhyrjet konservuese synojnë stabilizimin e gjendjes fizike të të tre mozaikëve, minimizimin e patologjive të degradimit, si dhe përmirësimin e imazhit të tyre estetik”, shprehet ministrja e Kulturës. Për ministren Margariti edhe hapësirat rreth Mozaikut të Tiranës do të kthehen në një qendër dialogu. “Shpresojmë që shumë shpejt edhe hapësirat përreth këtij monumenti të kthehen në një qendër dialogu, një agora, ku trashëgimia të flasë me të ardhmen”, vijon Margariti. Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme. Brenda këtij kompleksi u zbuluan tre stela varresh të periudhës romake. Gërmimet e fundit përforcuan mendimin se kemi të bëjmë me një vilë fshatare, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë e dhëne për transformimin në bazilikë paleokristiane të mbështetur nga autorët e gërmimit të parë të viteve ’70. Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin Mozaiku i Tiranës.