BREAKING NEWS

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar me COVID

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria
x

Kultura

Emin Riza: Gjendja e monumenteve të kulturës katastrofike, të gjithëditurit në institucione janë emëruar pa qenë specialistë

Emin Riza: Gjendja e monumenteve të kulturës katastrofike, të

Gjendja e monumenteve të kulturës është katastrofike dhe të gjithëditurit në institucione nuk kanë dëgjuar zërin e specialistëve. Kështu shprehet akademiku Emin Riza, në një reagim të tij këtë muaj të fundit të këtij viti në lidhje me problemet e trashëgimisë kulturore në vendin tonë. Në një kohë kur nga institucionet bëhet me dije dhe miratime projektesh për ndërhyrje për objekte të ndryshme, akademiku Emin Riza shprehet se janë të pakta duke sjellë në vëmendje problemet që kanë bërë me dije specialistët ndër vite. Në reagimin e tij akademiku i njohur thotë se Shqipëria deri në 1990 ka qenë një nga vendet, ku për monumentet e kulturës tregohej kujdes me mirëmbajtjen. “Gjendja e monumenteve në Shqipëri nuk është problematike, por është katastrofike. Shqipëria deri në vitin 1990 ka qenë një nga vendet më të zhvilluara europiane për mbrojtjen e monumenteve të kulturës. Është rasti për të ritheksuar pohimin e personalitetit të njohur ndërkombëtarisht Xhevat Erder, ish drejtues i Qendrës Ndërkombëtare të Vlerësimit të Monumenteve, i cili më pat pohuar në vitin 1980 gjatë shoqërimit të tij në Shqipëri “Qendra e Ndërkombëtare e Vlerësimit të Monumenteve nuk duhet të jetë në Romë, por në Tiranë”. Pas vitit 1990 ka jo një rënie, por një mosekzistim të Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili është formalisht. Vetëm se ka një tabelë që shkruhet tek dera, ka një drejtoreshë dhe përgjegjës sektori, por nuk bëhet asgjë”, thotë akademiku. Me kritika ndaj Institutit të Monumenteve të Kulturës, që me ligjin e ri u quhet Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, akademiku Riza vijon se specialistë të njohur që sot janë në pension duhet të jenë në konsultat për punën, por sipas tij kjo nuk ndodh. “Është me të vërtetë katastrofike për arsye, sepse përvoja e fituar mbi rreth 30 vjet nga brezi i parë i restauratorëve shqiptarë humbën, mbaruan. Kanë dalë në pension, por kjo nuk është arsye për të mos u konsultuar apo mos u mbajtur parasysh nga IMK, ku ka muhabete dhe jo punë. Kur them gjendja katastrofike, e para nuk ndërhyhet për dëmtime të vogla në monumentet që duhet të jenë të shpeshta dhe nën mbikëqyrje. Nuk ka punëtorë që ishin të ngarkuar si dikur për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës”, thotë akademiku Riza.

Specialistët në institucione

 Profesor Emin Riza është një ndër emrat më të shquar të restauruesve shqiptarë dhe një nga studiuesit më të mirë në fushën e ndërtimeve të vjetra. Ai thotë se ka nisur punën me monumentet e kulturës, që nga viti 1962 në vendin tonë. Por akademiku Riza shpreh keqardhjen që mënjanimi i rrjetit të kujdestarëve ishte negative për monumentet. “Mënjanimi i plotë të rrjetit të kujdestarëve të monumenteve në mbarë hapësirën e shtetit shqiptar, një masë thelbësisht negative për ruajtjen e tërësisë të vlerave arkitekturore dhe teknike të veprave të shquara monumentale. Ministria e Kulturës duhet të mendojë për rrjetin e kujdestarëve për monumentet e kulturës. E kam pohuar dhe më parë të ngrihet rrjeti i kujdestarëve, të kontrollohen çdo vit të paktën njëherë monumentet dhe të bëhen ndërhyrje mirëmbajtëse. Por tek ne zërat e specialistëve nuk janë marrë parasysh, nuk të dëgjon njeri. Janë të gjithëditurit në institucionet. Këta të gjithëditur janë specialistë sot, janë të emëruar specialistë pa qenë”, shprehet akademiku. Mes të tjerave akademiku Emin Riza thotë se kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës sot (IKTK), duhet të zgjidhet prej punonjësve të institutit apo atyre që tashmë kryejnë funksione jashtë kategorisë së monumenteve, duke pas ushtruar më parë këtë funksion. Sipas tij, vijueshmëria e ndërhyrjeve mirëmbajtëse ndaj monumenteve është kusht primar për ruajtjen e origjinalitetit të këtyre dëshmive unikale historiko-kulturore.