BREAKING NEWS

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr jetën ish-ushtarakut të lartë (EMRI+FOTO)

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr
x

Kultura

Emin Riza: Ministria e Kulturës të ndalojë shkatërrimin e monumenteve të kulturës, humbjet të parikuperueshme, duhen masa

Emin Riza: Ministria e Kulturës të ndalojë shkatërrimin e

Akademiku Emin Riza shprehet se nëse ndodh shkatërrimi i monumenteve të kulturës është një humbje e parikuperueshme. Njohës dhe studiues i banesave popullore, akademiku Emin Riza shprehet se ndër vite nga institucionet nuk ka pasur vëmendje për monumentet e kulturës në vendin tonë. Akademiku pohon se ka pasur edhe vendime që kanë sjellë dëmtime, por sipas tij zëri i specialistëve nuk dëgjohet. Në intervistën për gazetën “SOT”, akademiku Emin Riza njëkohësisht dhe hartues i dosjes së Gjirokastrës dhe Beratit në UNESCO, tregon se ka munguar ndërhyrja e vazhdueshme për të mbrojtur monumentet e kulturës dhe përgjegjësia sipas tij në fillim shkon tek institucionet. Akademiku që herë pas herë ka qenë kritik mbi gjendjen e monumenteve të kulturës në vend, thotë se në përgjithësi për Tiranën ruajtja e vijueshme me anë të ndërhyrjeve konservuese restauruese është në nivelet më të ulëta, që ka qenë ndonjëherë në Shqipëri. Akademiku Emin Riza është një ndër emrat më të shquar të restauruesve shqiptarë dhe një nga studiuesit më të mirë në fushën e ndërtimeve të vjetra. Por ai shpreh keqardhjen, që sot specialistë të fushës nuk thirren herë pas here nga Ministria e Kulturës në konsultime për monumentet e kulturës, ku sipas tij nëse kjo do të vijojë dhe shkatërrimi është i sigurt në trashëgimi.

-Sa është shqetësuese për ju dëmtimi i banesave monument kulture në Tiranë, ku së fundmi specialistë të trashëgimisë kanë reaguar dhe për një shembje gjatë këtyre ditëve?

Banesat monument kulture po ti kenë hequr nga statusi, atëherë formalisht ato edhe mund të prishen. Megjithatë unë do të thosha, që vlerat e trashëgimisë arkitekturore dhe në përgjithësi sa më shumë të ruhen aq më mirë janë për historinë e një kombi. Të bësh një gjë të re mund ta bësh si të duash, por ta prishësh diçka që është ndërtuar me vite e vite përpara ajo nuk përsëritet më, është e papërsëritshme. Kështu që është një humbje e parikuperueshme shembja e monumenteve të kulturës.

-Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sa përgjegjësi ka përballë kësaj situate me çfarë po ndodh me banesat monument kulture në vend?

Për çdo përkeqësim të gjendjes, vetëkuptueshëm ky Institut i Monumenteve është përgjegjësi thelbësor. Ruajtja e monumenteve të kulturës në radhë të parë duhet bërë me moslejimin e dëmtimeve, në moslejimin e transformimeve dhe në ndërhyrjen e vijueshme për të ruajtur gjendjen ekzistuese. Është e palejueshme, që të shemben monumentet e kulturës. Është një vetëvrasje e trashëgimisë sonë kulturore. Por për këtë në radhë të parë përgjegjësinë kryesore e ka Instituti i Monumenteve të Kulturës.

-Ju herë pas here keni reaguar në mbrojtje të monumenteve të kulturës në vend, banesave historike. Çfarë ka ndodhur me Tiranën ndër vite, sa është dëmtuar?

Në përgjithësi për Tiranën me termin vlerësim është shpallja e monumenteve, dhe ruajtja e vijueshme me anë të ndërhyrjeve konservuese restauruese është në nivelet më të ulëta që kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri, që nga koha e vënies në mbrojtje të monumenteve, që fillon kryesisht që nga vitet 1965.

-Kur ju pohoni që ndërhyrjet kanë qenë në nivelet më të ulëta, çfarë ka munguar nga institucionet përgjegjëse për monumentet?

Nga institucionet përgjegjëse ka munguar kontrolli i gjendjes dhe ndërhyrjet për të ruajtur gjendjen ekzistuese të monumenteve të kulturës.

-Ministria e Kulturës përballë kësaj gjendje shqetësuese në trashëgiminë kulturore për ju sa përgjegjësi ka?

Ministria e Kulturës duhet të ndalojë këtë shkatërrim të monumenteve të kulturës në Tiranë dhe kudo. Merreni me mend se çfarë bëhet në rrethe kur Instituti i Monumenteve të Kulturës ka vite, që nuk i kontrollon gjendje e monumenteve të kulturës, dhe kur pothuajse pushteti lokal nuk çan kokën.

-Dekada më parë ju keni qenë dhe drejtues në Institutin e Monumenteve të Kulturës, në punën tuaj çfarë synohej ato vite?

Ato vite kishte tjetër vëmendje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Xhevat Erder, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Konservimit dhe Restaurimit të Monumenteve të Europës, në vitin 1981 kur ai erdhi në Shqipëri mua më caktuan ta shoqëroja. Pasi unë i tregova mënyrën se si ne i trajtonim monumentet dhe e çova edhe në Berat dhe në Tiranë ku pa monumentet, në tretë që unë e shoqëroja për në drekë te hotel “Dajti” qëndroi para tij dhe më tha: Emin, Qendra Ndërkombëtare e Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve nuk duhet të jetë në Romë, por duhet të jetë në Tiranë. Këtë e tha Xhevat Erderi, një kolos i vlerësimit të monumenteve botërorë. Kjo ka qenë gjendja atë kohë. Ai regjim kishte ato që kishte, por për monumentet e kulturës ka qenë një mrekulli.

-Ju po flisni për Tiranën, por në të gjithë vendin ka pasur jo pak dëmtime në monumentet e kulturës. Si erdhi shkatërrimi i tyre dhe çfarë ka sjellë kjo humbje e vlerave?

Po një pjesë janë shkatërruar për ndërtime të reja. Ne shqiptarët e duam më shumë paranë se sa trashëgiminë kulturore, dhe jo vetëm ne shqiptarët por dhe të tjerët. Por ne na intereson të flasim tani vetëm për Shqipërinë. Shkatërrimi i monumenteve është një humbje e parikthyeshme. Prandaj është jashtëzakonisht negative. Madje ka prej tyre, që pas viteve ’90 në Institutin e  Monumenteve të Kulturës pothuajse është pezulluar dhe nuk vijon më veprimtaria jashtëzakonisht thelbësore e dokumentimit të monumenteve të kulturës me rrugë grafike dhe fotografike përshkrimore. Kjo do të thotë, që Instituti i Monumenteve të Kulturës pothuajse nuk bëhen fare atë detyrë që kemi bërë ne dikur deri në vitet ’90, që bënim rilevimin e monumenteve, fotografimin e njëpasnjëshëm, përshkrimin, botimet etj, që. Kështu që është një Institut i Monumenteve kot, vetëm emri jo puna e karakterizon atë. Për fjalë deklarative janë të vetmit drejtuesit e institutit, por për punë  rrotullohen afër zeros.

-Sa është dëgjuar ndër vite zëri i specialistëve nga institucionet sipas jush?

Nuk do t’ia dijë njeri as për Emin Rizën, as për Valter Shtyllën, as për të tjerë. Mua nuk më kanë thirrur as për një mbledhje, për një konsultim. I dinë vetë drejtuesit, pseudodrejtuesit kryesisht në institucione, por i dinë për qëllime të tjera. Unë jam anëtar në një këshill pranë Ministrisë së Kulturës dhe ka kohë, që nuk më kanë thirrur. Në rast se zëri i specialistëve nuk dëgjohet nga Ministria e Kulturës shkatërrimi i monumenteve të kulturës është i sigurt. Ministria e Kulturës të afrojë specialistët, profesionistët sepse as nuk na pyet njeri.

-Restaurimet sipas jush nuk bëhen me tendera, por kryesore të merren specialistët e duhur me projektet. Si ka ndikuar kjo për monumentet e kulturës?

 Në Shqipëri në radhë të parë nuk zbatohen parimet në hartimet e projekteve të restaurimit dhe zbatimi i punimeve bëhet ashtu siç ia do qejfi disa të ashtuquajturve të interesuar për monumentet e kulturës, por në fakt të interesuar për xhepat e tyre. Abuzohet me trajtimin e  vlerave të monumenteve të kulturës. Abuzohet me parimet e restaurimit. Për parimet e restaurimit ka botuar monografi Aleksandër Meksi, kam botuar unë, por dhe të tjerë.

-Ju jeni në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar. Për ju çfarë përfaqëson?

Teatri Kombëtar është një dokument real i një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, që lidhet me teatrin. Është teatri i parë që ka mbetur në Tiranë në kryeqytetin e vendit. Pavarësisht që është ndërtuar nga italianët, por rëndësi ka që është bërë në të. Pas vitit 1944 ai deri më sot gjithmonë ka qenë qendra e teatrit, ku dhe veprat teatrore shqiptare kanë qenë parësoret. Teatri Kombëtar sigurisht që duhet të ruhet dhe restaurohet. Është solid dhe nuk ka ndonjë problem të madh për restaurimin. Por duan të bëjnë disa ndërtesa të tjera, sepse është pikë kryesore, është zemra e Tiranës. Kapitalistët e rinj duan para.

-Ndër vite ju keni bërë botime të ndryshme kushtuar monumenteve të kulturës, ndërkohë sapo keni përfunduar së shkruari dhe një të fundit. Për çfarë bëhet fjalë?

Unë kam bërë deri tani 20 monografi për monumentet e kulturës. Të fundit e kam çuar në Akademinë e Shkencave dhe do të botohet këto ditë besoj. Libri i fundit është një autobiografi e imja, e gjithë jeta ime që pas vitit 1962 është e lidhur me monumentet e kulturës dhe titullin ia kam vënë “Një jetë me monumentet”.