BREAKING NEWS

Albin Kurti gjatë konferencës merr vendimin e menjëhershëm për taksën ndaj Serbisë, ja çfarë u vendos dhe kur do hyjë në fuqi

Albin Kurti gjatë konferencës merr vendimin e menjëhershëm
x

Kultura

Emin Riza: Monumentet e kulturës në rrezik, institucionet ndërrojnë vetëm emrat, mirëmbajtja parandalon shkatërrimin

Emin Riza: Monumentet e kulturës në rrezik, institucionet

Monumentet e kulturës pa mirëmbajtje dhe ndërhyrje restauruese shkojnë drejt degradimit. Dhe kur flasin për vendin tonë, problemet nuk janë të pakta në fushën e trashëgimisë kulturore. Pa specialistë të fushës në institucione dhe fonde, gjendja në monumentet e kulturës në vend do të vazhdojë të jetë me jo pak probleme. Herë pas here specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore i janë drejtuar institucioneve përgjegjëse, Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës ( sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore), për mirëmbajtjen e monumenteve, pasi sipas tyre pak bëhet në këtë drejtim. Akademiku Emin Riza, hartuesi i dosjeve të dy qendrave historike Berati dhe Gjirokastra për në UNESCO, shprehet se planet bëhen kollaj, por nëse nuk ka fonde për zbatim gjendja e monumenteve do të vazhdojë me probleme. “Gjendja është shumë problematike në monumentet e kulturës, për të mos thënë dramatike. Banesat monument kulture kanë jo pak probleme, përmend këtu Gjirokastrën sepse nuk bëhet sa duhet. Institucionet jo vetëm duhet të bëjnë planet, sepse nëse nuk kanë fonde është e kotë. Planet bëhen kollaj, por zbatimi i tyre është problemi. Pa pasur fonde për trashëgiminë kulturore në vend është mjaft e vështirë restaurimi i tyre. Pa pasur specialistë të fushës si do të përzgjedhësh, se tek cilët monumente të kulturës duhet ndërhyrë? Si duhen radhitur me ato fonde që ke ndërhyrjet?”, pohon akademiku Riza, një nga zërat kritikë në drejtim të institucioneve për gjendjen, që është në trashëgiminë kulturore. Në reagimin e tij sërish akademiku Emin Riza risjell në vëmendje mungesën e rrjetit të kujdestarëve, për të mirëmbajtur monumentet e kulturës në vend. “Nuk është një banesë monument kulture, që ka problem, por janë me qindra shtëpi të tilla. Thelbësorja është, sepse tek ne është prishur rrjeti i kujdestarëve të monumenteve të kulturës. Normal që duhet të kemi një rrjet të tillë. Gjatë këtyre viteve pothuajse nuk është bërë asgjë për monumentet e kulturës”, shprehet akademiku Riza.

Mirëmbajtja të jetë e vijueshme

Përballë problemeve që kanë sot monumentet e kulturës, në lidhje me institucionet përgjegjëse, akademiku Emin Riza thotë se duke menduar se po bëjnë gjëra të reja, situata në trashëgiminë kulturore vijon njëlloj. “Tek ne ndryshojnë emrat e institucioneve përgjegjëse për monumentet e kulturës, ndërrojnë emrin dhe mendojnë se gjoja po bëjnë gjëra të reja, por po njëlloj problemet. Kemi bërë thonë ndryshimin statuti e të tjera dhe punë hiç”, shprehet akademiku Riza. I vlerësuar për punën e tij me dekada në monumentet e kulturës, akademiku Emin Riza pohon se thelbi është vijimësia e ndërhyrjeve mirëmbajtëse, e cila tek ne nuk ka pasur sa duhet vëmendje. “Karta e restaurimit të Venecias thotë, thelbi i restaurimit është vijimësia e ndërhyrjeve mirëmbajtëse. Kjo është esenciale. Pra puna është të bësh vijimësisht ndërhyrje mirëmbajtëse, sepse nëse e rregullon me ndërhyrje mirëmbajtëse i pret rrugën vijimësisë shkatërrimtare. Kjo është e rëndësishme, sepse nuk ke dot mundësi ti restaurosh të gjitha monumentet e kulturës. Duhet rritur vijimësia e ndërhyrjeve mirëmbajtëse në sa më shumë monumente të kulturës, në vend për të mos lejuar që një shkatërrim, një dëmtim i vogël të bëhet shkak për dëmtime shumë më të mëdha. Por tek ne nuk bëhet sa duhet për monumente e kulturës, duhet njohur gjendja e tyre”, shprehet më tej akademiku Riza. Disa ditë më parë u zhvillua mbledhja e parë e Komisionit të Përhershëm të Artit dhe Trashëgimisë Kulturore në Akademinë e Shkencave, ku anëtar është dhe akademiku Emin Riza. Pas konstituimit dhe njohjes me vendimet, pikat e statutit për ngritjen, detyrat dhe funksionimin e këtij komisioni, takimi vazhdoi me diskutimin e problematikave e shqetësime më të ngutshme në fushën trashëgimisë kulturore, etj.